Kosovë, presidenti kërkon të mos ndërpritet mandati i Gjykatës Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e ndërpresin mandatin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që njihen si Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve në rrjetet sociale, Thaçi ka thënë se i ka dëgjuar iniciativat dhe debatin që kanë nisur në Kosovë mbi mundësinë e skadimit të afatit të Gjykatës Speciale, mirëpo ka kërkuar nga përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend që mandatin e saj ta vazhdojnë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të saj të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian (BE), në konsultim me Qeverinë e Kosovës.

“I kam ndjekur iniciativat dhe debatin që kanë nisur mbi mundësinë e skadimit të afatit të Gjykatës Speciale. E dimë që në këto 20 vite pas çlirimit, Kosovës nuk i kanë munguar gjykatat ndërkombëtare dhe speciale me llojin e tyre. Dhomat e Specializuara janë gjykata e pestë me radhë për pretendimet e njëjta, një rekord i llojit të vetë në botë. Ndërkohë heshtja ndërkombëtare po kuptohet si aprovim i amnistisë për gjenocidin e shtetit të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se sado e dhimbshme, e gjatë dhe e padrejtë të duket në raste të caktuara rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte, si dhe rruga e pastrimit të njollave të vëna padrejtësisht mbi luftën e UÇK-së “nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë”.

“Politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi e as drejtësia nuk duhet të ndërhyjë në politikë. Kjo ka qenë bindja ime kur e kam mbështetur në çdo hap krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe paneleve speciale në këto 20 vite. Këtë bindje e kam edhe sot, kur i kam kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi, duke shprehur bindje se një gjë e tillë do të mbështetet nga deputetët e Kuvendit.

Javën e kaluar, Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) kërkoi nga kryeministri ta shtrojë çështjen e shfuqizimit të Gjykatës Speciale në dialogun Kosovë-Serbi.

Më 24 qershor, Thaçi përderisa ishte nisur për takim në Washington në nivel të dialogut Kosovë-Serbi, ndërpreu udhëtimin për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur Dhomave të Specializuara me seli në Hagë aktakuzë ku presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe për krime lufte, ndër të cilat vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne