Bota

“Emiratet e Bashkuara Arabe anulojnë takimin me SHBA-të dhe Izraelin”

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë anuluar një takim të pritur trepalësh me Izraelin dhe SHBA-të për shkak të shitjes në pritje të avionëve luftarakë F-35.

Siç raporton faqja e lajmeve Axios, e cila citon burime të njohura mbi këtë çështje, Abu Dhabi anuloi takimin e të premtes në shenjë proteste ndaj kundërshtimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për shitjen e avionëve F-35 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe ende nuk janë prononcuar për lajmet e raportuara.

Më 18 gusht, kryeministri izraelit ripërsëriti kundërshtimin e qeverisë së tij për shitjen e avionëve amerikanë F-35 dhe të armëve të tjera të përpunuara për vendet e rajonet, “përfshirë për vendet arabe që bëjnë paqe me Shtetin e Izraelit”.

Në fillim të këtij muaji, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli njoftuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-të për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve, përfshirë hapjen e ambasadave në territorin e njëri-tjetrit.

Grupet palestineze kanë denoncuar marrëveshjen midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, duke theksuar se ajo nuk i shërben çështjes palestineze dhe injoron të drejtat e palestinezëve./AA

OPINIONE

INTERVISTA