Kosovë, seanca për votimin e qeverisë së re do të mbahet të mërkurën

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi me shumicë votash për aprovimin e kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për thirrjen e seancës për të mërkurën ku pritet të votohet kandidati i kësaj partie për kryeministër, Avdullah Hoti.

Kreu i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i pyetur se a i kanë 64 vota për votimin e qeverisë së re sipas asaj që ka deklaruar dje, tha “po, i kemi” ndërsa theksoi po ashtu se “të gjitha marrëveshjet me partnerët e koalicionit janë përmbyllur”.

“Sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, nesër mbahet seanca në ora 11:00”, tha Gashi pas mbledhjes së kryesisë.

Dje, Gjykata Kushtetuese publikoi të plotë aktgjykimin e saj ku i dha të drejtë dekretimit të Avdullah Hotit si të propozuar për kryeministër nga ana e Presidentit Hashim Thaçi.

Me këtë rast, presidenti Thaçi në një konferencë për media pas publikimit të këtij vendimi tha se “Kosova nuk e ka luksin të ketë vakum në qeverisje dhe pret që sa më parë të themelohet qeveria e re”.

Po kështu, LDK menjëherë bëri kërkesë në Kuvend që të mbahet seancë e jashtëzakonshme për votimin e Avdullah Hotit si të propozuar për kryeministër dhe qeverisë së re. LDK, e udhëhequr nga Isa Mustafa, ka arritur tashmë një marrëveshje për formimin e qeverisë së re me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe shumicën e partive të tjera minoritare.

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë dhe të papranueshëm dhe tha se “qytetarët do të informohen me hapat e mëtejshëm politikë në ditët në vazhdim”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne