Krasniqi: Nga dialogu PS-PD kërcënohet forca e tretë politike

Politologu Afrim Krasniqi u shpreh në intervistën e mbrëmjes në Ora News se nëse PS dhe PD do të hyjnë në dialog, ajo që do të humbasë është forca e tretë politike.
Nëse palët politike do të ulen në tryezë sipas tij, duhet të ketë një dëshmitar që të garantojë se liderët nuk do të marrin vendime në dëm të interesit publik.

“Njeriu më i kërcënuar nga dialogu e kompromisi mes PD e PS është partia e tretë politike, sepse zakonisht kur të mëdhenjtë takohen bashkë ndryshojnë kushtetutën, ndryshojnë sistemin zgjedhore ndryshojnë shumë gjëra në strukturën shtetërore dhe gjithmonë partitë e vogla goditen. Kështu që është edhe një lloj apeli që nëse ne do të kemi dialog ne kemi nevojë të kemi një dëshmitar në dialog. Presidenti është në fundin e mandatit dhe unë e kuptoj që e ka të vështirë në dialog mes palëve kur njëra nga palët e ka kontestuar. Gjithësesi kam përshtypjen se nëse ftoheshin palët, dhe ju vihej në dispozicion edhe selia e presidencës për bisedime ky do te ishte një sinjal pozitiv”,- u shpreh Krasniqi.

Për Afrim Krasniqin palët politike do të gjejnë gjuhën e përbashkët vetëm kur afati për tu regjistruar në KQZ do të jetë drejt fundit.

“Ata do të jenë të gatshëm në momentin që fillon afrimi i orës kur palët do të duhet të regjistrohen në KQZ. Presidenti i ri është pjesë e marrëveshjes nëse palët do arrijnë të bëjnë reforma kushtetuese. Deri tani asnjëra nga palët nuk ka propozuar një formulë për presidentin. Palët nuk janë duke menduar për presidentin, sepse e dinë që presidenti nuk vendos fatin e zgjedhjeve. Palët janë duke menduar për gjithçka që lidhet me kutitë e votmit”,- deklaroi Krasniqi./Oranews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress