Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari ka vendosur t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme në pranverë. Ai e bëri njoftimin në rrjetet sociale, duke nxitur debate tek një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, por dhe mbështetje nga ana tjetër, tek përkrahësit e tij.
Zoti Taravari u bën thirrje organeve më të larta partiake që ta mbështesë atë në “këtë rrugëtim drejt procesit për ndryshimin e madh dhe të shumëpritur”. Duke shpjeguar motivin për t’iu bashkuar koalicionit opozitar, ai shkruan se ka zgjedhur “të dëgjojë zërin e popullit që sot flet më qartë se kurrë”. “Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, sipas zortit Taravari.
Ai doli me këtë vendim të papritur pak ditë pas një takimi të përbashkët në Prishtinë të thirrur nga kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive të opozitës shqiptare (Lëvizja Evropiane për Ndryshim – LEN) nga Maqedonia e Veriut. Drejtuesit e partive Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratitke që përbëjnë koalicionin LEN, i kishin ofruar atij të kandidonte për garën presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit (raundi i dytë), por kreu i ASH-së i tha medias se nuk ishte i interesuar. Aktualisht ai është edhe kryetar i Komunës së Gostivarit. Vendimi i tij po ashtu pasoi takimin e një dite më parë me partnerët e koalicionit qeverisës, Dimitar Kovaçevski (LSDM) dhe Ali Ahmeti (BDI).
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës per Shqiptarët, Krenar Lloga, i cili është edhe Ministër i Drejtësisë, i kundërvihet propozimit të kreut te ASH-së. “Në fuqi ka një vendim të Kryesisë Qendrore, i cili është votuar njëzëri për të shkuar të vetëm në zgjedhje. I bëj thirrje Kuvendit të ASH-së që të përmbajë propozimin unanim të Kryesisë i cili është: Aleanca për shqiptarët të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare 2024!” thekson zoti Lloga.
Reagime kundërshtuerse kanë ardhur edhe nga një pjesë e ligjvënësve të ASH-së. Ndërkohë, vendimi i zotit Taravari ka hasur në mbështetjen e drejtuesve të opozitës shqiptare. Fuqia qëndron në bashkim!”, shkruan në Facebook, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, sipër një fotografie nga takimi me kryeministrin Kurti dhe kolegët e tij nga Maqedonia e Veriut, përfshirë Arben Taravarin e ASH-së.