Krishterimi dhe Islami: Dy fe, dy qytetërime

Ermir Gjinishi në librin “Krishterimi dhe Islami: Dy fe, dy qytetërime”, me parathënie nga prof. dr. Ilira Sulo, sjell një vështrim historiko-filozofik, si fetë dhe qytetërimet janë parë nga studiues të ndryshëm, marrëdhëniet e fesë me globalizmin, shekullarizimin, identitetin dhe kombin; tematikat, të përbashkëtat dhe kundërshtitë e dy librave, Bibla dhe Kurani; ndarjet e mëdha në rrjedhën historike…janë ide e mendime që prekin edhe rrugëtimin e dialogut ndërfetar

Në vitin 1880 kur Niçe shpalli se “Zoti kishte vdekur” me siguri as që e kishte menduar se sot, pas afro një shekulli e gjysmë, feja vazhdon të gjallojë në çdo shoqëri me praninë e saj edhe pse gjerësisht e debatueshme në shkallë botërore.

Dy shekujt e fundit studimet mbi religjionet kanë njohur një interes të shtuar, megjithatë te ne, për arsye të njohura, studimet mbi fetë janë të pakta. Për rrjedhojë, kur flasim mbi fetë, opinioni publik përgjithësisht “bombardohet” ose nga mentaliteti ateist ose nga ligjërime religjioze kryesisht teologjike, të cilat vijnë nga brenda mureve të kultit. Shpesh diferenca mes tyre është mjaftueshmërisht e bollshme për të iniciuar debate pa adresë të qartë dhe të keqkuptuara. Nisur nga ky vakum i trashëguar, ky libër është një kontribut i vyer i cili sjell një qasje njohëse dhe analitike të fesë në një kontekst ndryshe, si fenomenologji, duke u fokusuar në historikun e ndikimit të saj mbi ngjarje, çështje e problematika të cilat vazhdojnë të ngjallin interesin e studiuesve.

Pa dyshim, libri merr një rëndësi specifike edhe në kontekstin e sotëm, kur komplikimet ideologjike e praktike të keqinterpretimeve fetare kanë kulmuar në rritjen e ksenofobive dhe paragjykimeve që kanë përligjur në mënyra manipulative përplasjen mes feve, kulturave dhe qytetërimeve, gjë që është krejtësisht e kundërta e doktrinave fetare.

Krishterimi dhe Islami janë dy fetë më të mëdha në botë me rreth 3.5 miliard ndjekës, aq sa gjysma e banorëve të planetit, megjithatë, ndryshe nga ç’mund të mendojnë shumë njerëz, nuk mund të gjesh besime që të kenë aq të përbashkëta, siç janë tre fetë monoteiste në fjalë. Nga ana tjetër, fakti që këto religjione bashkohen në rrënjë të përbashkëta me Judaizmin monoteist, pranohet njëzëri nga studiuesit e fushës, duke i quajtur me termin, fe abrahamike.

Të studiosh në mënyrë komparative dhe kritike këto dy religjione të mëdha botërore, do të thotë të kuptosh ndryshe se si funksionon ekzistencialisht shoqëria njerëzore, e cila pak a shumë ndahet në tre pjesë përkatësie religjioze: grupime që e identifikojnë veten e tyre si të krishterë, të tjerë si myslimanë, dhe një pjesë e tretë po aq e rëndësishme që identifikohen si ateistë apo agnostikë. Sigurisht, ka edhe individë/grupe apo popuj që u përkasin feve të tjera, por numri i tyre është gati i papërfillshëm, krahasuar me tre kategoritë e sipërpërmendura. Dhe, ashtu siç funksionon natyra njerëzore, këta në çdo aspekt të jetës apo shkallë të hierarkisë shoqërore që të gjenden, do të veprojnë sigurisht, në përputhje me besimin apo mosbesimin e tyre.

Edhe pse me diferenca teologjike, Krishterimi dhe Islami, ndajnë të njëjtën traditë historike dhe gjeografike. Të dyja religjionet e kanë origjinën nga Lindja e Mesme, dhe e konsiderojnë veten e tyre si besime monoteiste. Myslimanët i quajnë të krishterët si Popull i Librit, por edhe të krishterët i konsiderojnë myslimanët, si ndjekës të një Zoti të vetëm (monoteistë) dhe të të njëjtëve profetë.

Gjithashtu, edhe pse kanë tekste të ndryshme, përkatësisht Biblën dhe Kur’anin, këta dy libra tregojnë në forma narrative të ndryshme, të njëjtën histori të njerëzimit, që nga fillimi i jetës, deri në ditën e fundit të historisë. Edhe nën këtë pikëpamje, studiuesit e historisë, nuk duhet të hezitojnë apo t’i kritikojnë këto libra si thjesht fetarë, dhe kështu ta mohojnë studimin e tyre, por mund t’i trajtojnë ato si burime të rëndësishme historike dhe të marrin prej aty, të dhëna të bollshme për studimet, në lëmin historik që kanë marrë përsipër të kurojnë.

Studimi ka karakter komparativ dhe gjithëpërfshirës, pasi qëllimi i tij është konceptuar si një kontribut në marrëdhëniet e historiografisë me dy religjionet kryesore botërore.

Punimi synon të jetë një studim me karakter historik të periudhës së lindjes, zhvillimit, kulmimit, ndarjeve dhe në përgjithësi vetë jetës së dy religjioneve kryesore botërore, Krishterimit dhe Islamit. Për këtë arsye është zgjedhur përdorimi i metodës cilësore, e cila të jep mundësinë të bësh një studim të thelluar, duke patur një përqasje kritike dhe një interpretim historik të burimeve parësore dhe dytësore të marra në referencë. Gjithashtu, autori ka patur mundësinë që të mbajë edhe qëndrimet apo të shprehë opinionet e tij në lidhje me këto zhvillime të rëndësishme sidomos për ato që kanë të bëjnë me karakteristikat e identiteteve të qytetërimeve kryesore apo raportet e fesë me procese të ndryshme të cilat kanë shënjuar zhvillimet historike botërore, bazuar mbi religjionet. Kjo, për vetë faktin se qasja metodologjike cilësore është qasje ontologjike interpretiviste dhe është më e përshtatshme për t’u përdorur për studime të tilla të karakterit historik dhe filozofik.

Studimi mbështetet në qasje të ndryshme metodologjike, ndër to mund të përmendim:

  • Për shkak të kohështrirjes së gjatë të dy besimeve dhe specifikave të temës, metoda bazë e ndjekur në këtë punim është kronologjiko–problematike e cila fokusohet në dy aspekte kryesore:

Së pari: në rolin e feve në formësimin e perspektivave ideologjike e organizative të shoqërisë njerëzore.

Së dyti: në ndikimin e konfigurimeve të brendshme fetare në zhvillimet historike jashtë saj.

  • Duke qenë se shumica e çështjeve fetare të ndikuara prej rrymave filozofike që shqyrtohen këtu nuk janë trajtuar sa duhet te ne, për të paraqitur në formë ravijëzuese teoritë filozofike të dy religjioneve, është ndjekur qasja përshkruese që të krijohet një pasqyrë e këndvështrimeve të ndryshme referuar studiuesve të historisë dhe filozofisë së feve.
  • Studimi ka kryesisht natyrë komparative, apo krahasimore, dhe studime të tilla, kanë si qëllim marrjen në shqyrtim dhe krahasimin e dy ose më shumë variablave, në rastin tonë të Krishterimit dhe Islamit, për të kuptuar më mirë, të veçantat dhe të përbashkëtat që këto dy religjione kanë mes tyre. Në këtë mënyrë libri arrin të paraqesë me kthjelltësi karakterin e këtyre dy religjioneve dhe kontekstin historiko–filozofik.
  • Analiza dhe sinteza. Për arsye se libri përveç dimensionit njohës, ka karakter të pastër komparativ apo krahasimor, me qëllim kuptimin e rolit që kanë luajtur dy religjionet që po shqyrtojmë në historinë botërore, është dashur patjetër të bëjmë analizën e elementeve përbërëse të çdo religjioni, dhe më pas të bëjmë sintezën e këtyre elementeve, për të arritur në konkluzionet tona. Për këtë arsye, jemi mbështetur edhe te dy qasjet kryesore filozofike, përkatësisht atë analitike dhe kontinentale.

Studimi në fjalë përbëhet nga katër kapituj, të cilët alternojnë një pjesë të rëndësishme të dy religjioneve dhe raportet e tyre me zhvillime kyçe historike, shoqërore, politike e kulturore, të cilat nuk kufizohen në hapësira të caktuara lokale apo religjioze. Për këtë arsye libri nis me parahistorinë e rajoneve dhe popujve ku u shfaqën të dy fetë, si pikënisje e ndryshimeve të mëtejshme. Semitizmi, është një pikëtakim i rëndësishëm midis Islamit dhe Krishterimit.

Në Kreun e Parë: “Fetë dhe qytetërimet nga këndvështrimi i studiuesve të ndryshëm” trajtohen raportet historike të feve me qytetërimet e kulturat, të para këto nën këndvështrimin e historianëve, antropologëve, etnologëve, sociologëve etj. Ai përqendrohet në të dhënat historike, perceptimet mbi religjiozen dhe evoluimin e botëkuptimit të saj ndërqytetërimor. Kronologjikisht vazhdohet me shfaqjen dhe evoluimin e kontekstit terminologjik dhe etimologjik i termave qytetërim, kulturë dhe fe.

E shenjta, si objekt apo ide, formësoi perspektivat ideologjike të popujve që në lashtësi, pavarësisht nëse pranohen nga logjika mendore apo jo, pavarësisht origjinës transcendente apo besëtyte. Në vazhdim qartësohen faktorët dhe karakteristikat që përcaktojnë diferencat dhe ndryshimin ndërmjet qytetërimeve ku dominojnë dy fetë, Krishterimi dhe Islami, me pjesën tjetër të qytetërimeve. Një analizë të veçantë në këtë trajtim zë ideja e përplasjes së qytetërimeve parë në këndvështrimin e pikëpamjeve teorike e praktike. Historiku i marrëdhënieve të fesë me pushtetin, politikën, identitetin, modernizmin etj., ka si qëllim të sjellë në vëmendje rolin dhe rëndësinë e fesë si në jetën individuale dhe atë shoqërore. Gjithashtu, modelet e ndryshme të këtyre raporteve shihen se si reflektojnë në qasjet kuptimore, ideologjike e praktike dhe në implikimet politike, ekonomike e sociale të çdo shoqërie.

Kreu i Dytë: “Dy librat e shenjtë (vështrim filozofiko–historik)” fokusohet në njohjen dhe krahasimin mes teksteve bazë të Krishterimit dhe Islamit, përkatësisht Biblës dhe Kur’anit. Krahasimi i feve hulumton rreth dallimeve e të përbashkëta mes feve të ndryshme ose fenomeneve fetare, jo vetëm për t’ju qasur kuptimit të plotë të objektit të tyre, por edhe për të përcaktuar ndërveprimet mes feve të ndryshme, si ato lidhen apo si ato ndikojnë te njëra–tjetra.

Boshti referues në këtë vështrim krahasues fokusohet vetëm mbi tematikën bazë të teksteve, pa hyrë në detaje të hollësishme, analizimi i të cilave ndërlikohet për shkak të aplikimit të metodave dhe kritereve të ndryshme në qasjet doktrinare përkatëse. Sigurisht që metodikat krahasuese mes feve përfshijnë qasje e analiza shumëdimensionale, filozofike, teologjike, politike, historike, qytetërimore…etj., por orientimi krahasimor referuar teksteve, siç vjen në këtë libër, është analiza më reale e thelbit të tyre, ku bota judeo–kristiano–islame takohet në qendrën e besimit të përbashkët. Nga ana tjetër, një trajtim i tillë qartëson dallimin midis teksteve dhe interpretimeve të tyre, midis fesë dhe fetarizmit, apo fesë së institucionalizuar dhe asaj burimore.

Kreu i Tretë: “Ndarjet e mëdha (skizmat, sektet) në rrjedhën historike” përqendrohet në një nga zhvillimet më të rëndësishme të ndodhura brenda feve, ndarjet dhe skizmat. Ai analizon faktorët kompleksë që ndikuan në fenomenin e skizmës, ndikimet që e pasuan atë në jetën politike e fetare të shteteve dhe në organizimin doktrinar e institucional të këtyre dy feve.

Skizmat veç të tjerash trajtohen si një interferim i kulturave dhe feve te njëra–tjetra. Një nga karakteristikat themelore të skizmave si proces është rritja e intensitetit të influencave fetare përtej kultit dhe anasjelltas, fenomen që u pasua me ndryshime të thella jo vetëm religjioze. Ato ndikuan dukshëm në orientimin fetar, kulturor e politik të shteteve. Kreu i tretë përmbyllet me paraqitjen e një numri sektesh e ndarjesh nga të dyja fetë, strukturën dhe përhapjen e tyre, të cilat sjellin në vëmendje kompleksitetin e situatës në kohën që ndodhën, arsyet e qëndrueshmërisë së tyre në komponentët specifikë deri në ditët e sotme dhe ndikimin e tyre përtej jetës religjioze. Në këtë analizë autori sjell modele sektesh e urdhrash që nga më të hershmit e deri tek ato të kohëve të vona.

Kreu i Katërt: “Dialogu ndërfetar evoluimi dhe perspektiva” si përmbyllje, trajton në një mënyrë të zgjeruar dialogun ndërfetar si koncept, fenomen, histori dhe evoluim. Në fokusin e këtij kreu paraqiten fazat nëpër të cilat është zhvilluar dialogu mes dy feve që nga koha e shfaqjes së tyre deri në ditët e sotme dhe influenca e tolerancës fetare në liritë kulturore dhe të drejtat e njeriut. Në vazhdim, trajtohen format e dialogut ndërfetar dhe rëndësia e tij si pjesë e domosdoshme e dialogut politik, kulturor e qytetërimor në ndërtimin e një shoqërie që respekton diversitetin e natyrshmërisë njerëzore. Zgjedhja e dialogut, në një larmi kulturash, gjuhësh, racash, e religjionesh është mundësia e vetme për arritjen e një bashkëjetese paqësore e cila garanton prosperitet dhe siguri. Kreu i katërt mbyllet me një analizë të gjerë mbi bashkëjetesën fetare në Shqipëri, e cila jo vetëm që përbën një rast unik por është një referencë studimore e mirëfilltë për të kuptuar se si fetë e ndryshme mund të bashkëjetojnë në paqe.

Literatura e përdorur, për shkak të prezencës modeste të botimeve në shqip dhe veçorive strukturore të temës, është kryesisht e huaj me një shumëllojshmëri burimesh bibliografike, rreth 300 tituj, për të mundësuar gërshetimin e qasjeve të ndryshme. Janë përcjellë analiza, teori, mendime, hipoteza e gjykime të studiuesve më të njohur të historisë botërore dhe qytetërimeve, duke filluar nga William Durant, Toyenbee, Spegler, Eduard Taylor, e deri te botimet më të vonshme si Hungtington, Fukayama, B. Lewis, Habermas, James Smith, John L. Esposito, Oliver Roy, Fernand Braudell, Roberto Dela Roka, Manilo Graziano.. etj., si dhe autorë të njohur arabë dhe hebrenj; Ahmed Shelebi, Ebu Mansur al- Baghdadi, Ismail Faruk, Tarek Ramadan, Al-Hadari, Talal Asad, Adin Steisaltz, Chaim Rabin…etj. Është shfrytëzuar gjithashtu një literaturë e pasur edhe në gjuhën arabe, ku studimet mbi çështjet fetare e qytetërimore janë të hershme, për këtë arsye kemi alternuar botimet e hershme me ato bashkëkohore për të sjellë një mendim gjithëpërfshirës, i cili veç të tjerash koncentron evoluimin e qëndrimeve kuptimore e analitike.

Për analizën teorike të dy religjioneve kryesore, jam bazuar së pari, te dy librat kryesorë, që përbëjnë edhe burimin bazë të teksteve, Bibla dhe Kur’ani. Ndërsa në burimet dytësore, veç të tjerash janë zgjedhur artikuj, botime, monografi përfaqësuese të të dyja religjioneve, që janë edhe objekti i studimit në këtë libër. Pjesë e rëndësishme e referencave kanë qenë dhe enciklopeditë e ndryshme të cilat kanë trajtuar gjerësisht çështjet religjioze.

I gjithë punimi si strukturë, metodologji e trajtim është risi. Qasja e studimit ndryshon nga teologjia dhe studimi i besimeve në thellësi të tyre. Ndërsa teologjia përpiqet të kuptojë natyrën e transcendentes, hyjnores apo të mbinatyrshmes, hulumtimet mbi fetë si fenomenologji studiojnë religjiozen dhe produktin religjioz jashtë ndonjë këndvështrimi apo pretendimi të caktuar fetar si një strukturë komplekse multidisiplinore e cila përshkruan, krahason, interpreton dhe shpjegon religjionin, ndërmjet metodologjive e disiplinave të ndryshme. Ajo përfshin historinë, antropologjinë, sociologjinë, psikologjinë, filozofinë, të drejtën etj., të cilat nuk kanë si qëllim vlerësimin e vlefshmërisë së besimeve, por njohjen dhe studimin në një dimension më të gjerë të marrëdhënieve dialektike që kanë të bëjnë me religjionin.

Studimi synon të ofrojë të dhëna njohëse, referuese, metodike, teorike, terminologjike, konceptuale e substanciale, mbi dinamikat religjioze, duke e ndërthurur atë me çështje të ndryshme historike, teorike, kulturore, ekonomike, sociale, politike etj., mbi interferimin e ideve dhe praktikave religjioze përtej jetës fetare.

Ky punim ndër të tjera, ka si qëllim të hedhë dritë mbi implikimet e mundshme të botës religjioze me atë joreligjioze në rastet e keqpërdorimit fetar, i cili mund të konfliktojë të gjitha sferat ku religjioni ushtron ndikimin e tij. Nga ana tjetër, ky punim kërkon të qartësojë hapësirat reale të veprimit religjioz, natyrën dhe tendencat e tij në strukturat shoqërore. Gjithashtu, për një lexim më korrekt të qëndrimeve fetare në përgjithësi, është e domosdoshme të bëhet diferenca midis fesë dhe fetarizmit apo parimeve doktrinare në tekstet e shenjta nga interpretimet e tyre. Orientimi krahasimor referuar teksteve, është analiza më reale e thelbit të tyre, ku bota judeo – kristiano – islame takohet në qendrën e besimit të përbashkët. Bazuar në këtë qasje, ky punim përbën një risi në hapësirat hulumtuese të historiografisë sonë.

KONKLUZIONE

  • Fetë dhe qytetërimet kanë një marrëdhënie ekzistenciale mes tyre. Natyrshmëria e diversitetit njerëzor na ka trashëguar një koleksion kulturash e qytetërimesh të shumëllojshme. Ekzistenca e këtij diversiteti njerëzor, popujsh, qytetërimesh e kulturash të ndryshme, ka pjesë të pandarë aspektin e tij religjioz. Ai dallohet nga prania e tempujve të ndryshëm, të asaj që njerëzit kanë besuar, në çdo etapë historike. Feja është pjesë e rëndësishme e kulturës njerëzore, dhe qytetërimet veç të tjerash, janë panoramë e diversitetit religjioz– fetar. Nuk ekziston asnjë qytetërim pa përvojën shpirtërore të shprehur në kulturën e tij, nga format pagano–bestyte, deri në ato transcendente. Ato personifikojnë një realitet të lidhur ngushtë me ndërveprimin njerëzor e kulturor. Koncepti i të mbinatyrshmes bashkëjeton në çdo qytetërim, i cili reflekton në strukturën shoqërore të tij, motivet social-psikologjike në tradita, mendime e ide. Historia e qytetërimeve dëshmon se, duke nisur nga çasti kur në një fe ka marrë formë përvoja fetare, ajo i prek të gjitha sektorët e jetës me një orientim reformues, duke qenë vetë burimi që i dha jetë këtyre ndryshimeve.
  • Marrëdhëniet midis popujve para së gjithash janë marrëdhënie midis kulturash e qytetërimesh. Që nga koha e shfaqjes së qytetërimeve, marrëdhëniet midis tyre kanë evoluar. Në kohët e hershme, kontaktet mes tyre ishin të kufizuara, thuajse nuk ekzistonin, me disa përjashtime të vogla. Qytetërimet ishin të ndara në kohë e hapësirë, të ndara gjeografikisht, çka i dallonte më shumë në strukturat e tyre sociale e psikologjike. Tre janë faktorët bazë që përcaktojnë avantazhin midis qytetërimeve: elementi etik, shpirtëror dhe material.
  • Qytetërimet lindin, lulëzojnë dhe zhduken, për t’ia lënë vendin të tjerave që vijnë. Nga të gjitha qytetërimet e mëdha vetëm Krishterimi dhe Islami thyejnë tabutë e etnicizmit dhe monokulturalizmit me prezencën e tyre në hapësira ndërkontinentale. Ato janë qytetërime të ndikuara fort nga feja, saqë identifikohen me emrat e feve përkatëse. Për shkak të universalizmit të tyre ato kanë dimension pluraliteti multietnik dhe multireligjioz. Kryesisht këto karakteristika kanë ndikuar dukshëm në përhapjen dhe ndikimin e tyre në popuj të ndryshëm.
  • Fetë sikurse civilizimet kanë ulje–ngritjet e tyre. Marrëdhëniet mes tyre ngjasojnë me ato të qytetërimeve, në këmbime, solidaritet, bashkekzistencë dhe kontradikta. Historia ka njohur një mpleksje kontradiktore mes asaj që predikojnë fetë dhe ndjekësve të saj. Kjo mospërputhje midis pacifizmit të doktrinës fetare dhe militantizmit të praktikimit të fesë nga ndjekësit e saj, është një realitet i pakontestueshëm por dhe një burim i madh keqkuptimi. Është e rëndësishme diferenca midis fesë si mënyrë jetese e përcaktuar në doktrinë dhe fetarizmit si formë sjelljeje e perceptuar individualisht.
  • Në disa raste ndarja e fesë nga politika nuk ka mjaftuar për të garantuar influencën e tyre te njëra–tjetra. Instrumentalizimi i fesë nga politika apo anasjelltas, është ndërthurje që sjell kaos për shkak të modelit të deformuar që krijon. Feja, sipas doktrinës së saj, është një mënyrë e të jetuarit sipas rregullave e kanoneve, të pandryshueshme, për shkak të burimit të tyre, ndërsa politika ekziston dhe realizohet nëpërmjet njerëzve si një veprimtari sociale, kolektive vendimmarrëse dhe evoluon sipas interesave që përfaqëson. Dallimi mes tyre nis nga ideologjia, ndiqet nga implementimi praktik, dhe sipas funksionit që kanë, përcjellin tek individi objektiva të ndryshëm në forma të ndryshme.
  • Pavarësisht se debatet mbi qytetërimet, kulturat dhe fetë kanë ardhur tani në plan të parë në politikën rajonale dhe globale megjithatë, kjo nuk do të thotë se ato janë burimet kryesore të konfliktit në politikën botërore bashkëkohore. Çështja themelore nuk është nëse kultura, feja apo politika, është burimi parësor i konflikteve, sepse ato të gjitha janë të implikuara në thelb me njëra–tjetrën, por konflikti në të gjitha format dhe manifestimet e tij, është një strukturë më e gjerë. Ai nuk mund të ndodhë vetëm për shkak të diversitetit qytetërimor apo fetar, por nxitet nga aktorë socialë, ekonomikë e gjeopolitikë, që ndjekin interesat e tyre. Pjesa më e rëndësishme e idesë së përplasjes së qytetërimeve është përqendrimi kryesisht në konstantet gjeopolitike të përcaktuara si të pandryshueshme dhe zhvillimet globale. Fetë e shtrijnë ndikimin e tyre përtej këtyre përcaktimeve. Harta e feve nuk është identike me atë të qytetërimeve.
  • Konfliktet e sotme nuk janë konflikte apo luftëra fetare. Feja në vetvete nuk është shkak për konflikte por ajo mund të keqpërdoret si motivim i tyre. Problemet reale që shfaqin sot vendet me konflikte në natyrën e tyre janë me karakter social, ekonomik, politik, të drejtat e minoriteteve, të drejtat e njeriut, barazia para ligjit etj. Ato janë tregues të fanatizmave lokalë e nacionalë, të autoritarizmit politik dhe mungesës së demokracisë. Eliminimi i këtyre fanatizmave në kohën që jetojmë është prej nevojave më të mëdha.
  • Diversiteti kulturor meriton të shihet si një vlerë pozitive. Problemi i vërtetë nuk qëndron brenda qytetërimeve, por në faktin se nuk i japin vetes mundësinë për të komunikuar dhe kuptuar njëri–tjetrin. Njohja dhe vlerësimi real i diferencave midis njëri–tjetrit ul barrierën e keqkuptimeve, të mosbesimit, dhe i hap rrugën një dialogu human larg tendencave dominuese.
  • Kapërcimi globalist i kufijve kulturorë dhe etnikë, ka ngjashmëri relative me atë fetar vetëm në formë. Dallimi bazë i fesë me globalizmin modern është se fetë synojnë universalizmin me të vërtetat dhe parimet e tyre etike duke respektuar diversitetin në tiparet kulturore e identitare, ndërsa tendenca relative e globalizmit për shkrirjen e veçorive kulturore me qëllim zëvendësimin e tyre me “kulturën e re globaliste”, rend pas çdo risie e cila përcaktohet nga tregjet. Janë tregjet ato që përcaktojnë vlerat e shoqërisë dhe jo e kundërta. Pikërisht dominimi i këtij orientimi të globalizmit është esenca e refuzimit fetar. Thelbësore në filozofinë fetare mbetet ruajtja e standardit të vlerave njerëzore të domosdoshme, të cilat garantojnë një ekuilibër të nevojshëm jetësor.
  • Laicizmi nuk ka një standard të njëjtë të aplikuar njëlloj nga shtetet laike. Shekullarizmi anglosakson dallon nga laicizmi europian. Diferenca midis këtyre dy modele të ndryshme lidhet me historinë politike dhe përvojat unike që kanë këto vende me zhvillimin e marrëdhënieve mes kishës dhe shtetit. Laiciteti është themeluar me mjete politike, ndërsa shekullarizimi është krijuar nga ndryshimet në religjiozitetin e formës së besimtarit. Midis fesë dhe shtetit në historinë klasike islame, nuk mund të kishte as konflikt, as bashkëpunim, as bashkim, as ndarje (siç ndodh me kristianizmin) sepse institucioni qeverisës i islamit përmbledh të dy funksionet, për rrjedhojë, në botën myslimane pati një laicizëm hibrid. Atje ligjet nuk qenë plotësisht civile.
  • Çdo individ formëson domethënien dhe kuptimin e tij për fenë, në formën e identitetit personal apo grupor, nëpërmjet ndërveprimit. Marrëdhënia e fesë me identitetin përmbledh të gjitha mënyrat përmes të cilave feja frymëzon vetidentitetin (identitetin personal). Si të gjithë komponentët që formojnë identitetin edhe këndvështrimi fetar (i individit) zhvillohet e ndryshon përgjatë trajektores së jetës që përshkon njeriu sepse praktikat fetare nuk janë të bashkëlindura por zhvillohen në saje të procesit të shoqërizimit. Si i tillë, ai ndryshon sipas roleve që merr individi në ndërveprimet me të tjerët dhe nga ndikimi që të tjerët kanë në zhvillimin e identitetit personal të tij, megjithëse ky ndikim nuk është përcaktues i prerë. Në shoqëritë e padiferencuara (tradicionale), feja i përshkon të gjitha rolet sociale, ndërsa në shoqëritë me nivel të lartë diferencimi (shoqëritë moderne) feja përbën vetëm një burim të ndjenjës së individit për përkatësi dhe identitet.
  • Kombi dhe feja, nisur nga bazat teologjike, do të duhej të mos rivalizoheshin mes tyre, megjithatë në kushte specifike të veçanta kjo ka ndodhur. Qëndrimi doktrinar i krishterë dhe islam është kategorikisht kundër nacionalizmit etnocentrist sipas të cilit entiteti etnik është kriteri përcaktues i njeriut. Ai konsiderohet si shkelës e kërcënim i transcendencës hyjnore, ku njerëzit nuk shihen si krijesa të barabarta për shkak të fragmentimit të pafund në nëngrupe të familjes së përbashkët njerëzore.
  • Fenomenologjia fetare si një metodë e re në studimin e feve i ka hapur rrugën studimit të të gjithë termave fetarë në mënyrë objektive e sistematike. Konkluzionet e saj janë thelbi i trajtimeve joteologjike të feve dhe shtrati i analizave hermeneutike të teksteve. Ajo është analiza sistemore e aspekteve të institucionalizuara të fesë, ndërsa njohja e tematikës së librave të shenjtë është baza e vlerësimit dhe krahasimit të tyre. Studimi i tematikës së dy librave (Bibla dhe Kur’ani) ofron njohuri substanciale të strukturës, karakteristikave, mesazhit, vizionit dhe filozofisë që kanë fetë.
  • Studimi krahasues i feve është termi që nënkupton studimin e të gjitha traditave dhe formave të jetës fetare të grupuara në formacione e modele të ngjashme ose të përafërta. Ai adreson nevojën për të sintetizuar informacionin e akumuluar mbi fetë përgjatë historisë njerëzore, duke analizuar jo vetëm të përbashkëtat, dallimet dhe format e jetës fetare, por edhe fazat e zhvillimit historik dhe evolutiv. Materiali i grumbulluar nga objekti i studimit historik është një nga elementet bazike të kërkimit në evoluimin e interpretimeve fetare, jo vetëm për t’ju qasur kuptimit, por edhe për të përcaktuar ndërveprimet mes feve të ndryshme.
  • Metodikat krahasuese mes feve përfshijnë qasje e analiza shumëdimensionale, filozofike, teologjike, politike, historike, qytetërimore etj., por orientimi krahasimor referuar teksteve, është analiza më reale e thelbit të tyre, ku bota judeo–kristiano–islame takohet në qendrën e besimit të përbashkët.
  • Krishterimi dhe Islami janë dy fe më vete, por ndryshe nga ç’mendojnë shumica e njerëzve, Bibla dhe Kur’ani kanë shumë pika të përbashkëta. Në tekstet e dy librave pavarësisht dallimeve nuk ka thirrje për armiqësi e urrejtje, ndërkohë baza doktrinare, orientimet, interesat e përbashkët dhe pikëtakimet mes tyre, mjaftojnë për të garantuar zhdukjen e fanatizmave provinciale, qëndrimeve ekstreme politike dhe përbuzjes së krijuar ndër shekuj, ku një pjesë e madhe e keqkuptimeve iu dedikohet qasjeve interpretimeve të cilat jo domosdoshmërisht përputhen me qëllimin e tekstit apo domethënien e tij.
  • Skizmat dhe ndarjet brenda feve janë një proces i shtrirë në kohë që tregojnë fazat dhe format e evoluimit doktrinar. Ato janë produkt i mospajtimeve doktrinare, interferimeve kulturore e filozofike pa anashkaluar influencën e pushtetit i cili në disa raste ishte përcaktues.
  • Tri skizmat e mëdha të Krishterimit konvergojnë diferencat e perspektivave politike, ekonomike, kulturore dhe teologjike mbi të kuptuarit e doktrinës, konfliktet mbi hierarkinë, çështjet e liturgjisë, objektet e kultit, luftërat për pushtet etj., kombinimi i të cilave shkaktoi përplasje të mëdha, ku dallimet doktrinare shpesh nuk ishin qëllimi por mjeti në duart e pushtetit.
  • Impakti i skizmave në Krishterim kaloi kufijtë e debatit doktrinar dhe u shfrytëzua nga rivaliteti politik, i cili çoi në ndarjen administrative të Europës (Lindore-Ortodokse dhe Perëndimore-Katolike) dhe më pas përcaktoi kufijtë e shteteve sipas besimeve në Europën Perëndimore. Paqja e Vestfalisë shpalli shpërbërjen e rendit të vjetër dhe zëvendësoi pothuajse tërësisht autoritetin qendror të perandorisë me sovranitetin e rreth treqind princave.
  • Problematika e ndarjeve dhe sekteve Islame si fenomen, ka filluar në kohët e hershme dhe vazhdon deri sot. Në botën myslimane ndarjet dhe sektet, në shumicën e rasteve, nuk lindën për shkak të diferencave doktrinare, megjithatë, sektet islame për nga numri i kalojnë ato kristiane.
  • Në historinë islame ka patur luftëra të brendshme fetare, gjatë të cilave përfaqësues të kampeve kundërshtare shfaqën alternativa të ndryshme doktrinare kryesisht në lidhje me trashëgiminë e pushtetit, por në botën islame nuk mund të flitet për luftëra fetare apo ndarje të mëdha në kuptimin që ky term ka për skizmat në krishterim. Sektet islame reflektojnë interferimin e faktorëve historikë, kulturorë e politikë në diferencat doktrinare.
  • Megjithëse të gjitha fetë kanë në zanafillën e tyre përhapjen e paqes mes njerëzve, marrëdhëniet mes tyre jo gjithnjë kanë qenë paqësore. Historiku i këtyre marrëdhënieve transmeton mes të tjerash perceptimin që fetë kanë shfaqur ndaj njëra–tjetrës në kohë të ndryshme, ku jo gjithmonë kërkimi i të vërtetës dhe paqja kanë qenë qëllim. Kurba e marrëdhënieve krishtero–islame me ulje–ngritjet e saj, ka kaluar në një proces dialogu teologjik e institucional të gjatë e të ndërlikuar.
  • Dialogu nga këndvështrimi fetar është obligim hyjnor. Dialogu ndërfetar është forma e duhur dhe një përgjigje korrekte ndaj pluralizmit fetar, jo vetëm në situata konflikti. Ai lind nga domosdoshmëria për të kuptuar se njerëzit vijnë nga tradita fetare të ndryshme, për të kontribuar në ndërtimin e paqes sociale dhe nxitjen e respektit të ndërsjellë. Pluralizmi fetar nuk është burim konflikti, por intoleranca në forma dogmatizuese dhe fanatike, krijon terrenin e nevojshëm për keqkuptime dhe urrejtje.
  • Që nga shfaqja e dy besimeve abrahamite, Krishterimit dhe Islamit, dialogu mes tyre ka evoluar duke kaluar në etapa historike të cilat herë e kanë favorizuar atë e herë e kanë ndërlikuar. Megjithatë ai mbetet jetësor për nga misioni që kanë fetë. Largësitë mes tyre nuk janë më ato të mesjetës dhe gjykimet gjithnjë e më tepër po i largohen praktikave të mohimit, abandonimit e përjashtimit, duke krijuar hapësirat e nevojshme për të qenë më pranë njëri–tjetrit në një dialog të domosdoshëm i cili përtej shtratit teologjik, lehtëson bashkëpunimin mes feve në nivelin lokal, rajonal e më gjerë.
  • Modeli ndërfetar paqësor shqiptar përbën një sfidë ndaj shumë teorive mbi bashkëjetesën e feve të ndryshme në një shoqëri multifetare. Shqipëria, për shkak të pozitës së saj gjeografike në udhëkryq qytetërimesh dhe influencave gjeopolitike e kulturore, paraqet në miniaturë një model të veçantë të multifetarizmit paqësor në rang global. Te shqiptarët, tradita ndërfetare dëshmon se horizontet e kulturës e të civilizimit zgjerohen atëherë kur secilit i jepet vendi dhe hapësira e nevojshme. Shqiptarët, me fenomenin e tolerancës fetare të trashëguar ndër shekuj nga antikiteti dhe mesjeta, përbëjnë një eksperiencë interesante për botën dhe një dimension të veçantë kulturor. Studimi i bashkëjetesës fetare në Shqipëri është një metodë efikase për të kuptuar se implikimet konfliktuale që ka krijuar feja në vende të tjera janë pasojë e koniunkturave ndërvepruese dhe keqinterpretimit fetar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne