Kriza demografike, që ka përfshirë Rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht Shqipërinë me tkurrjen e popullsisë dhe emigrimin e lartë të të rinjve, përveç ndikimit negativ në tregjet e punës dhe cilësisë së demokracisë, mund të bëhet shkak edhe për destabilitet të përgjithshëm, vë në dukje një analizë e fundit e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR) në lidhje me çështjet e sigurisë në Rajon. Sipas Barometrit të Ballkanit më 2023, gjendja ekonomike dhe papunësia janë shqetësimet kryesore për qytetarët e Rajonit, me 47% dhe 32% e të anketuarve që i identifikojnë këto si problemet kryesore.
Por në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ikja e trurit është shfaqur si një nga çështjet më të rëndësishme përkatësisht 41% dhe 27% të të anketuarve që e kanë theksuar atë si një problem kritik, me rritje nga viti i kaluar. Ekspertët e KRB-se vënë në dukje se, kjo tendencë, veçanërisht në Shqipëri, mund të lidhet me valët e reja të migracionit dhe një rritje e kërkesave për azil në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në Bosnje dhe Hercegovinë, 29% e të anketuarve identifikojnë ikjen e trurit si çështja e tretë më urgjente, që tregon një rritje prej 8 pikësh nga viti 2022.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që koordinon Nismën e Berlinit vë në dukje se plakja e popullsisë kontribuon në një sfidë demografike, duke ndikuar negativisht tregjet e punës, produktivitetin ekonomik, dhe sistemet e mirëqenies sociale. Largimi i të rinjve dhe sidomos atyre me aftësi rrit pabarazitë në të ardhura, punësim dhe zhvillim të infrastrukturës dhe mund të bëhen shkaqe për tensione të mundshme sociale. Ikja e vazhdueshme e trurit dhe migrimi i fuqisë punëtore nga rajoni përfaqësojnë çështje urgjente që duhen zgjidhur, pasi mund të ndikojnë negativisht stabilitetin ekonomik dhe më pas tronditin sigurinë në të gjithë rajonin.
Rënia e popullsisë dhe emigrimi i të rinjve ka të ngjarë të nxisë bizneset që të kërkojë zëvendësimin e fuqisë punëtore, gjë që do të ndërlikojë më tej tensionet e brendshme, analizojnë ekspertët e sigurisë. Ata bëjnë thirrje se, adresimi i sfidave ekonomike mund ta bëjë Rajonin më të sigurt./Monitor