Kriza mes Madridit dhe Barcelonës në pikën kulmore, reagime ndërkombëtare

Parlamenti katalan më në fund ka shpallur pavarësinë e këtij rajoni, pasi kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka deklaruar se dëshiron të marrë nën kontroll të plotë Katalunjën.

Mocioni për pavarësi ka kaluar me votimin e 135 asamblistëve, ku 70 ishin pro, 10 kundër dhe 2 fletëvotime ishin zbrazëta. Mijëra katalunas janë mbledhur jashtë ndërtesës së Parlamentit për të festuar dhe vallëzuar pas mocionit që kaloi. Ndërkaq, kryeministri spanjoll menjëherë pas votimit ka shkruar në Twitter: “Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Spanjës të ruajnë qetësinë”. Presidenti rajonal Carles Puigdemont dhe zëvendëspresidenti Oriol Junqueras kanë shkëmbyer mesazhe urimi duke shtrënguar duart pas votimit. Por ende pa kaluar 40 minuta që nga shpallja e pavarësisë së Katalunjës nga Spanja, Senati i Spanjës ka miratuar kontrollin direkt mbi Katalunjën. Parlamenti i Spanjës ka aktivizuar nenin 155 të Kushtetutës i cili parashikon heqjen e autonomisë së rajonit si dhe kthimin e tij në kontrollin direkt të Madridit. Kryeministri Rahoy dhe Presidenti Puigdemont janë përplasur me deklarata, ndërsa situata ka krijuar një panoramë pasigurie mbi atë që pritet të ndodhë. Pas aktivizimit të nenit 155, kryeministri i Spanjës, Mariano Rahoy u shpreh se të gjithë duhet të ruajnë qetësinë në një kohë kur autoritetet po përpiqen që të rikthejnë ligjshmërinë në rajonin e Katalunjës.“Objektivi është që të insistojmë në kthimin mbrapsht të ligjshmërisë. Dua t’u them spanjollëve dhe katalanasve që të qëndrojnë të qetë. Gjërat do të rregullohen. Ne do të veprojmë me maturi dhe efektivitet sikurse kemi vepruar deri tani.”

Nga ana tjetër, mesazhi i Puigdemont ishte që qytetarët të mbajnë në këmbë lëvizjen për pavarësi, por duke ruajtur natyrën paqësore të qëndresës së tyre. Ai shtoi se qeveria do të jetë e vendosur për të dërguar deri në fund vullnetin e popullit. Zhvillimet po ndiqen hap pas hapi edhe nga ndërkombëtarët. Ndërkohë, shpallja e pavarësisë nuk është njohur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Bashkimi Europian u shpreh se pavarësisht aktit të pavarësisë, asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e Brukselit kundrejt Spanjës. Ndërkohë, Uashingtoni e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara janë kundër lëvizjes separatiste si dhe mbështesin unitetin e Spanjës. Gjermania tha të premten se mbështet qeverinë spanjolle në debatin e saj me “separatistët në Katalunja” dhe nuk do të njohë një votim të pavarësisë nga parlamenti katalanas. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha se Berlini shihte përshkallëzimin e situatës me shqetësim, duke vënë në dukje se shpallja e njëanshme e pavarësisë shkeli parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Spanjës. Britania e Madhe nuk e njeh dhe nuk do ta njohë shpalljen e pavarësisë së Katalunjës nga Spanja, thanë zyrtarë të qeverisë britanike. Sipas Qeverisë britanike, deklarata për shpalljen e pavarësisë është e bazuar në një votim, i cili ishte konsideruar ilegal nga ana e Madridit zyrtar./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne