Kronologjia/ Si precipitoi marrëdhënia e Edi Ramës me ndërkombëtarët brenda 1 viti

Në janar, kur Basha dhe Kryemadhi pranuan të ulen në tryezë me Edi Ramën, ende nuk ishte shuar jehona e protestave me ultimatumeve të tipit “ose ikën ai, ose të ikim ne”. Por ajo e 2020 qe një opozitë e gatshme t’i bindej në çdo hap ambasadorëve të Bashkimit Europian dhe të SHBA-së, të cilët i kishte pasur kundër në çdo hap në vitin 2019.

Ndaj kur u kthye në hullitë e sistemit, kthesa që u detyrua të bëjë opozita qe shumë e fortë, duke pranuar në tryezë edhe Damian Gjiknurin e përgjimeve të Bild, edhe Rudina Hajdarin që për vete ruajti mandatin e deputetes dhe i kundërshtoi në strategjinë e bojkotit të institucioneve.

 

 

Në marrëveshjen e 14 Janarit u ra dakort ngritja e Këshillit Politik (dokumenti më lart). Rama pranoi se parlamenti me 120 deputetë shndërrohej thjesht në noter të vendimeve që merrte Këshilli dhe se çdo konflikt zgjidhej nga arbitri OSBE/ODIHR.

Faktori ndërkombëtar reagoi me entuziasëm.

Delegacioni i Bashkimit Europian e quajti “një arritje të rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik në kuadër të procesit të integrimit”, ndërsa zyra e OSBE tha se marrëveshja ishte “një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”.

Entuziasmit të europianëve iu bashkuan edhe amerikanët me një deklaratë ku thuhej se “palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”

Arritjet e para në Këshillin Politik

Duke qenë se vinte nga rruga e protestave, opozita tentoi ta mbajë lart stekën në mbledhjet e para të Këshillit Politik dhe kërkoi qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër. Përgjigjia qe një Jo e thatë, me llogjikën se “ato që që nuk u arritën me “luftë” në rrugë nuk mund t’i marrësh në tavolinën e negociatave”.

Por në Këshill u arrit të bihej dakort për financimin e partive, për rolin e Policisë e Prokurorisë, hetimin nga SPAK të veprave penale të korrupsionit zgjedhor, mbrojtjen e raportuesve të shkeljeve zgjedhore, financimin e fushatave dhe identifikimin elektronik të zgjedhësve në të gjithë vendin.

Deri kur pandemia paralizoi negociatat për thuajse dy muaj.

Puna në Këshillin Politik rifilloi nën mbikqyrjen e rreptë të ambasadorëve, kur diskutohej për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe strukturën e KQZ-së. Kur palët nisën të mos lëvizin nga pozicionet, takimet u zhvendosën në rezidencën amerikane. Yuri Kim, Luigi Soreca dhe Dankan Norman ishin aty dhe u morën me detajet.

Vëmëndja e përgatitjes së një marrëveshjeje u pa kur Lulzim Basha qe në mëdyshje për një moment dhe ambasadorja amerikane Juri Kim nuk ngurroi të dalë me një deklaratë publike për t’i kërkuar reflektim. “Ka ardhur koha për opozitën dhe mikun tim Luli Basha që të baraspeshojë të gjithë faktorët dhe të thotë “PO” për popullin shqiptar dhe të thonë “PO” për Shqipërinë. Topi është në fushën e tij. E ardhmja e vendit është dorën e tij” tha Juri Kim duke marrë përsipër marrëveshjen si një arritje personale.

Në 5 Qershor marrëveshja u arrit për identifikimin biometrik në zgjedhje, ndërsa u la në fuqi variant që ishte për administratën zgjedhore.

5 Qershori ishte një nga momentet më euforike të ambasadorëve të huaj. Me ton triumfal dhe me shikimin hedhur tej në horizont, ambasadorja amerikane foli për ditë më të mira për popullin shqiptar, për “parti që dhanë”, për “një hap të madh para” apo për “fitoren e Shqipërisë”.

Kush që ndjek me pak interes zhvillimet politike në vend, do ta kishte të lehtë të dallonte naivitet në deklaratat e diplomates që kishte vetëm pak muaj në Tiranë dhe nuk e njihte mirë situatën. Në fakt, kjo ishte e vërtetë. Yuri Kim kishte vetëm pak muaj në Shqipëri dhe nuk kishte nga ta dinte çfarë do të pasonte.

Por edhe Luigi Soreca, që kishte kohë në Shqipëri, nuk u kursye ne deklarata, kur tha se “Shqipëria ishte më pranë BE”, pas kësaj marrëveshjeje.

Sikur të mos mjaftonin deklaratat pompoze nga rezidenca amerikane, marrëveshja e 5 Qershorit u përshëndet edhe nga Mike Pompeo, Sekretari Amerikan i Shtetit që gjatë një konference në ëashington u shpreh: Mirëpres marrëveshjen ndër-partiake në Shqipëri për Reformën Zgjedhore, e cila do të forcojë demokracinë e saj dhe do të forcojë më tej të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ne inkurajojmë të gjithë palët e interesuara të kodifikojnë këtë marrëveshje politike”.

Rama i pakënaqur

Por entuziasmi i rezidencës amerikane, nuk e kishte prekur Edi Ramë, që nuk e fshehu pakënaqësinë. Kryeministri i Shqipërisë që me ndërkombëtarët e kishte pasur grurë për gati 7 vjet në pushtet, tha se ishte hera e fundit që do të arrihej një marëveshje nëpër ambasada.

“Pse duhet të kërkonim strehë në një ambasadë shumë mike në këtë vend dhe pse duhej që komunikimi mes nesh të kalonte në disa gjuhë dhe përgjigjet të jepeshin në disa bedelë?” pyeste Rama, që në fjalën e tij e përsëriti dy herë “kjo duhet të jetë e fundit dhe sa më takon mua kjo është e fundit” duke shfaqur shenja nervozizmi për atë që ishte nënshkruar. Kryeministri nuk e la me kaq.

Me pretekstin se i duheshin votat e deputetëve gjoja-opozitarë, Rama nisi t’i kushtojë më shumë vëmëndje Murrizit, Stojkut dhe emrave të tjerë të estradës në kuvend. Serioziteti me të cilin i trajtoi kreu i mazhorancës i shndërroi kërkesat e tyre në një nismë ligjore, që kishte të bënte me ndryshimin e sistemit zgjedhor, listat e hapura dhe ndalimin e koalicioneve. Deputetët kërcënonin se do të vendosnin veton ndaj produktit të marrëveshjes PS-PD-LSI dhe i gjithë skeçi dirigjohej nga Rama.

Nisma ligjore parashikonte ndryshimin e Kushtetutës duke krijuar një model të ri të listave të hapura, por që shoqërohej me ndalimin e koalicioneve dhe shpejt mori mbështetjen e Partisë Socialiste. Qëllimi ishte i qartë, përçarja e opozitës.

Kërcënimet e opozitës për stabilitetin e vendit dhe alarmi se po prishej konsensusi i 5 Qershorit, morën përgjigje direkte nga Rama. Nga parlamenti , Rama tha se “një fije peri e ndan, realizimin deri në fund nga grisja e asaj marrëveshje dhe këtë fije peri duhet ta ruajë mirë Lulëzim Basha”.

Ambasadorët u kapën në befasi. Kuptuan se në 5 Qershor kishin hapur shampanjën ende pa u mbyllur mirë loja dhe se rregullat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, po ndryshoheshin në mënyrë të njëanshme. Reagimi ishte i avashtë dhe i kujdesshëm.

Luigi Soreca pranonte se e njihte rolin e parlamentit, por duhej “dialog me të njëjtin shpirt bashkëpunues dhe një mekanizëm gjithëpërfshirës të treguar gjatë marrëveshjes së 5 Qershorit”. Ambasada amerikane ishte akoma më e zbutur, ndërsa i kujtonte Ramës fjalën e dhënë. “Drejtuesit përkatës kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”

30 Korriku

Por në 30 korrik, mazhoranca bashkë me deputetët e gjoja-opozitës parlamentare ndryshuan Kushtetutën, duke prishur marrëveshjen që kishin arritur me opozitën dhe me bekimin e ambasadorëve të huaj. Nga foltorja e parlamentit, Rama foli për herë të parë për sovranizëm, duke iu kundërvënë thirrjeve të ambasadave.

Rama tha se fliste nga “foltorja e një kuvendi sovran, i një vendi Sovran”. Sipas tij, vendimet për sistemin zgjedhor I takonin “Parlamentit të Republikës së Shqipërisë dhe shtetit shqiptar” dhe se kjo “nuk është një zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadorën e SHBA, as me ambasadoren e BE dhe as me askënd tjetër”.

“Natyrisht nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, ambasadores së BE-së, ambasadorit të ëashington-it apo e Brukselit, e Berlinit apo e Parisit që ne kërkojmë prej 30 vjetësh në anglisht zgjidhjen e problemeve tona, që janë probleme shqiptare. Prej 30 vjetësh kërkojmë shahit për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe për të zgjidhur problemet që i krijojmë vetë apo që na takon t’i zgjidhim sëbashku. Nuk është përgjegjësia e tyre. Për këtë ata meritojnë falenderim dhe respekt.
“Por kur dëgjoj ambasadorën amerikane që thotë do t’i ndjekim me vëmendje drejtuesit politikë, a do e mbajnë fjalën a s’do e mbajnë fjalën, sinqerisht nuk më vjen mire” tha kryeministri.

Në 30 Korrik, për Ramën ishte hera e parë që u kundërvihej ambasadorëve, të cilët në çdo moment të vështirë nuk kishte hezituar t’i përdorte si mburojë kundër sulmeve të opozitës.

Ndryshimi i Kushtetutës u shoqërua me bojkotin e opozitës në Këshillin Politik. U duk sikur situata precipitoi sërish në të njëtën pikë ku kishte nisur, me një marrëveshje të grisur, me një mazhorancë shurdhe dhe një opozitë të nëpërkëmbur që detyrohej t’i përshtatej rregullave të lojës që i cakoi qeveria.

Si të mos mjaftonte kjo, mazhoranca solli në Këshillin Politik dhe më pas depozitoi në kuvend një variant për lista të hapura që nuk ishin të hapura. Pra e gjithë pikënisja e kauzës së ndryshimit të Kushtetutës rezultoi false. Rama u mbrojt se varianti i listave të hapura që propozonte PS ishte “i modelit europian”dhe se në 1 Tetor mazhoranca do të t’i kalonte ato në kuvend.

Por pak ditë më parë, opozita u rikthye në Këshillin Politik, me një variant të sajin për listat e hapura 100%. Mbi Ramën dhe të tijët, vërshuan sërish mesazhet në gjuhën angleze, që kishin të bënin me ultimatumin e 1 Tetorit.

I fundit ishte ai i nënkryetarit të grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David ëadephul, që ishte i drejtpërdrejtë: “Kthejuni konsensusit në Këshillin Politik. Dhe jepini ODIHR-it mundësinë që të vlerësojë ndryshimet që do të arrihen në Këshillin Politik për listat zgjedhore. Vetëm nëse thotë ODIHR-i se reforma zgjdhore është në përputhje të plotë me kriteret e OSBE/ODIHR-it, atëherë edhe ne do ta kemi të lehtë që të themi se është plotësuar edhe kushti i reformës zgjedhore”.

Pak ditë më parë, Rama kishte udhëtuar drejt Gjermanisë për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por atje nuk e takoi kancelarja Merkel. Veç kësaj, në takim nuk i shkoi as kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann ëadephul, dhe as kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum.

Juri Kim e quajti një “çështje nderi” rikthimin për të negociuar në Këshillin Politik. “Ata që kanë nënshkruar atë letër janë persona përgjegjës për të zbatuar 5 qershorin. Kështu që pritja ime është që 5 qershori do të nderohet” tha Kim, duke hedhur në media vazhdimisht mesazhe për kryeministrin Rama.

Edhe ambasadori i BE Soreca, i kishte kërkuar Ramës rikthimin në tryezën e bisedimeve, pasi sipas tij “çdo propozim për ndryshime të mëtejshme në nenet e Kodit Zgjedhor, të cilat shkojnë përtej qëllimit të marrëveshjes së 5 qershorit, të diskutohen siç duhet në kuadrin e Këshillit Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse para se të votohet në Parlament”

Listat e hapura 100% nuk janë varianti që preferon PS, por tani ato janë në tryezën e bisedimeve, bashkë me ofertën për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it. Pavarësisht kësaj, ai u detyrua t’i bindet ndërkombëtarëve dhe të rikthehet sërish në Këshillin Politik. Nga ultimatumi i 1 Tetorit, Rama u tërhoq.

Me ambasadorët e huaj marrëdhëniet nuk janë më si dikur. Në 25 Prill do të votojnë shqiptarët, por shpërfillja e faktorit ndërkombëtar 6 muaj para zgjedhjeve do të ishte naivitet. Herën e fundit që e pyetën për ambasadorët, kryeministri ishte në Vlorë.

“Për ambasadorët flas kur jam me ta. Në Vlorë do flasim për ngrohje globale. Nejse Vlora është qendra e botës. Mos ta ulim nivelin e tyre në Vlorë.”– u foli gazetarëve Rama, të cilët nëse duan të gjejnë një vizitë të tij në kancelaritë perëndimore, duhet të shkojnë shumë larg në arkiva./Lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne