Kryediplomati libanez: Shpresoj se mund të kemi një armëpushim këtë mbrëmje

Ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bou Habib tha se shpreson që një armëpushim të fillojë këtë mbrëmje në vendin e tij që ndodhet nën sulmin izraelit.

Ai foli në sesionin “Dialogu për Paqe” në “Forumin e Dialogut Mesdhetar MED”, i cili me kontributin e Ministrisë së Jashtme të Italisë, organizohet për herë të 10 këtë vit nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Politike (ISPI), një institut kërkimor me qendër në Itali.

Bou Habib tha se sulmet izraelite kanë vazhduar intensivisht prej 60 ditësh dhe se ata janë në favor të një armëpushimi. “Shpresoj se mund të kemi një armëpushim këtë mbrëmje. Të gjithë presin që Izraeli të pranojë armëpushimin”, tha ai.

“Autoriteti i vetëm në jug të Libanit duhet të jetë qeveria libaneze. Për ta arritur këtë është jetike të promovohet bashkëpunimi midis Forcave të Përkohshme të Paqes së OKB-së në Liban (UNIFIL) dhe ushtrisë libaneze”, tha kryediplomati libanez.

Pas këtij fjalimi, në intervistën për kanalin italian “Rainews24”, Bou Habib iu drejtua kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për një armëpushim. “Po, e thashë këtë por vendimi përfundimtar i takon kabinetit izraelit dhe mbi të gjitha kryeministrit Netanyahu”, tha ai.

– Në sulmet e Izraelit në Liban humbën jetën 3.768 persona

Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin kufitar me Hezbollahun, më 23 shtator nisi qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, 3.768 persona, përfshirë 946 fëmijë dhe gra si dhe 222 punonjës shëndetësorë janë vrarë ndërsa 15.699 të tjerë janë plagosur që nga 8 tetori 2023.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

Ndërkaq, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.

Vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut. Sipas të dhënave nga qeveria libaneze mbi 1.9 milion njerëz janë zhvendosur për shkak të sulmeve izraelite në të gjithë vendin. Më shumë se 624 mijë nga personat e zhvendosur kanë migruar në Siri./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress