Kryediplomati turk: Mbështesim deri në fund pozicionin e drejtë të TRNC-së

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, ka reaguar ndaj ndërhyrjes së Forcës Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (OKB) ndaj ndërtimit të rrugës Pile-Yiğitler në territoret e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) dhe tha se besojnë që OKB-ja ka humbur paanshmërinë e saj në këtë ngjarje dhe se mbështesin deri në fund pozicionin e drejtë të TRNC-së.

Ministri Fidan ka folur lidhur me këtë çështje në një konferencë të përbashkët për media pas takimit të zhvilluar në Ankara me zv/kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Mariya Gabriel.

Duke theksuar se rruga e bërë nga administrata qipriote greke për popullatën greke që ndodhet në Pile nuk i është nënshtruar asnjëherë pengesës dhe dënimit të OKB-së, Fidan u shpreh: “Por kur e njëjta gjë ndodh me palën turke, papritur shohim se Kombet e Bashkuara dhe zyrtarët në ishull lënë rolin e tyre si punonjës të Kombeve të Bashkuara dhe me një qëndrim si një skifter ndërmarrin hapa serioze në drejtim të pengimit të projektit të rrugës humanitare”.

“Kjo situatë ka shkaktuar përjetimin e ngjarjeve të padëshiruara më 18 gusht”, theksoi Fidan, duke shtuar se kanë vërejtur që ka një mungesë koordinimi brenda vetë pranisë civile dhe ushtarake të OKB-së në Qipro.

“Sepse ka bisedime që vazhdojnë prej një kohe të gjatë mes përfaqësuesve civilë dhe zyrtarëve të TRNC-së. Këto bisedime vazhdojnë prej shumë kohësh. Ndaj tyre është bërë njoftimi se kur do të ndërtohet kjo rrugë. Pavarësisht kësaj, grumbullimi i automjeteve të OKB-së në zonën e diskutueshme në një mënyrë të pazakontë dhe në kundërshtim me këto, nuk është një qëndrim që ne e mirëpresim. Me këtë qëndrim ne besojmë se OKB-ja ka humbur paanshmërinë e saj në këtë ngjarje. Punimet tona në këtë drejtim do të vazhdojnë. Mbështesim deri në fund pozicionin e drejtë të TRNC-së”, deklaroi Fidan.

Ministri Fidan përmendi edhe procesin e anëtarësimit të Türkiyes në Bashkimin Evropian (BE) dhe tha se vlerësojnë se kjo do të përmirësojë “pozicionin e BE-së si një aktor global”, por se kjo çështje nuk vërehet dhe nuk preferohet në këtë mënyrë nga ana e vendeve anëtare të BE-së.

Pasi theksoi se presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka nënvizuar këtë çështje dhe ka rikujtuar këtë iniciativë, ministri Fidan tha se anëtarësimi i Türkiyes në BE “ofron mundësi të reja edhe në BE edhe në rajonin tonë”.

“Rekomandoj që dritarja e mundësive të reja të përdoret nga zyrtarët e BE-së dhe liderët evropianë pa u mbyllur”, shtoi ai./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne