Kryeministri “friks” ndaj pronarëve dhe trimosh ndaj gazetarëve!

Ylli Rakipi e vuri në sprovë trimërinë e kryeministrit, që është bërë gojëdalë me gazetarët, duke i hedhur si mish për top, në thonjtë dhe dhëmbët e militantëve. Mirë pra, gazetarët që të kritikojnë qënkan ca kazanë, po pronarët e mëdhenj të mediave? Kryeministrit trimosh, mbas kësaj pyetjeje, i mbahet goja, bie nga forma dhe elokuenca, e kap lemza, i thahet gjuha, i spërdridhet fytyra, bukoset, nguroset, nuk ngrefoset, zverdhet, zvjordhet dhe ka frikë të flasë!

S’ka gjë më të shëmtuar kur sheh se si duket kësisoj kryeministri ynë, kryetari i katundit të Shqipërisë, kryekatundari ynë pra, i shkurtër, i kruspullosur, i merakosur, i telefosur, i qullosur, si një i papunë që lyp te Sandri Klanit, te Vjollca e Topit, apo te Irfani i Panoramës, punë dhe një pjatë groshë veresie dhe mbi të gjitha, dashamirësi mediatike.
Bravo Rakipi, të paktën shqiptarët që kanë sy, e panë kryeminsitrin llafazan dhe gojë dalë, gojëprishur e gojëshpuar ndaj më të “dobtëve” dhe të pambrojturve gazetarë, që kryeministrit, i rrudhet gjuha dhe serviloset live ditëziu.

 

Tipike e burokratit mediokër e arrogant, që u lëpihet shefave dhe u zbrazet atyre që ka poshtë. Një kryeministër pra, që mbetet pa fjalë dhe “sharm”, se ka frikë nga inati i Irfanit, nga hakmarrja e Sandrit apo nga humori i prishur i Vjollcës.

O Ed kryeministri, sdo të doja kurrë të të shihja në këtë batak, si butak dhe pa shtyllë kurrizore, në këtë zvarritje jo dinjitoze, në emër të pushtetit, që lyp anë e mbanë katundit.

As si Edi dhe as si kryeministri i katundit tim! Kjo rrëfen se sa poshtë ka rënë pazari në Albanistan, se sa dëm i çon tërë ato dhurata të begata, që të ka dhënë Zoti dhe shqiptarët e mjerë, në gjithë këto vite, që kur le pas Parisin.

Sepse o zoti kryeministër i Katundit, të rilindur kokëposhtë dhe sipas teje, edhe bufi e di, por edhe ti e di shumë mirë, se nëse ka një “Sistem” të keq dhe të deformuar, si e nënvizon ti, kjo fillon te pronarët dhe jo te gazetarët.

Por ti u tregove xhuxh, duke u hedhur frelëshuar, si një fjalaman në kafenetë e lagjes, duke marrë nëpër gojë gazetarët, të cilët, janë si janë, janë apo nuk janë të ngjashëm me pikturat e tua, janë sidoqoftë, shumë më lart se niveli i kabinetit tënd qeverisës.

Ndërsa kur u fol për pronarët e mediave, që askush se di sa shkollë, sa dije dhe sa akademikë janë, tu tha pështyma për turp të Perëndisë…
Sepse shqiptarët e telendisur, e besuan anën tënde të rreme të medaljes, që do vendosje rregulla dhe shtet dhe që do të ishe demek në ënën e tyre, duke filluar nga koka e sistemit. Te Oligarkët që fsehin taksat dhe fitimet. Por ti, si tepsixhi dhe llupsaqar që je, jo vetëm që nuk i preke, nuk i gërvishte dhe nuk i ciflose Oligarkët, por i lëpive sir, me njëmijë përkujdesje, si lopa viçin. Sepse koka e sistemit të mediaveve, apo e kazanëve mediatikë, janë pronarët e mediave, që ti u servilosesh, duke u dërguar mijëra sms-ra, që i lëshon si gazra, mëngjes, drekë dhe darkë.

Nuk të pati fare hije, që përgojove gazetarët, por ani, kjo në një kontekst të caktuar edhe mund të kapërdihej. Por ngërçi që të kapi kur erdh puna te pronarët, e zhgaraviti, e njollosi dhe e shëmtoi portretin tënd të mbetur, për faqe të zezë.
Pse kështu vlla?!
Pse nuk rri dot pa i vënë fre dhe prag gjuhës tënde të shkapërderdhur? Përse nuk të del dot një fjalë e mirë veresie nga goja?

Je kryeministër! Po ti je vetë i pari që kjo të duket si një shaka dhe si pjesë e një loje të pabesueshme apo si sekuencat e një filmi me Charlie Chaplin, në periudhën e ndritur të “filmit pa zë”.
Por Chaplini ishte një gjeni, një gjeni i vërtetë, që nuk kish frikë nga kasta apo oligarkia e kohës. A mund të mendohet se një gjeni si ai, të kishte një frikë dhe një tmerr të pafshehur, nga Sandri, nga Irfani, apo nga Vjollca, nga të cilët kishte edhe asokohe në Amerikë?
Ja pra, 1 nga 1000 arësyet, sepse ti je krejt i pabesueshëm dhe se atë “timon” që ti, ua kërkon shqiptarëve vetëm për vete dhe pa të tjerë dhe pa frena, nuk e do për shqiptarët, por për pronarët, për konçesionarët, atyre të cilëve ti u shërben në të vërtetë.

Dhe kjo është tepsija e mirëfilltë, e byrekut dhe e çyrekut, kjo është pula apo struci që ti ke mprehur thikat të shqyesh pas 25 Qershorit, në gostinë e madhe të shqyerjes së Shqipërisë, që do ta shtrosh e do ta gjakosësh, pa kamera tv, me miqtë e tu pasanikë, me të cilat do të ndash mishin e pakët, kockat dhe brinjët e cfilitura të Shqipërisë, që të dha emër dhe të bëri dikushi, ndryshe nga Parisi.

Sidoqoftë, pres me ëndje të më përgënjeshtrosh sa më parë, nëse mundesh, sepse me të vërtetë do të ëndëroja që ti të kesh të ndenjura të mjafta për ta bërë dot këtë.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne