Kryeministri i Holandës dhe qeveria dhanë dorëheqjen

Hagë

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte njoftoi dorëheqjen e qeverisë së tij të premten pasi koalicioni katërpartiak u prish për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikën e imigracionit, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media pas një takimi të partive të koalicionit mbi shtrëngimin e politikës së imigracionit, Rutte tha se dallimet ishin të papajtueshme. Ai tha se dorëheqjen e Qeverisë do t’ia dorëzojë menjëherë mbretit Willem-Alexander.

Rutte tha se zyrtarët fillimisht do të nisin procesin zgjedhor dhe se qeveria e tij do të qëndrojë në detyrë si një administratë e përkohshme deri në zgjedhje. Disa deputetë të opozitës u shprehën të kënaqur dhe kërkuan zgjedhje sa më shpejt për Dhomën e ulët të Parlamentit me 150 vende.

Kryeministri më jetëgjatë i Holandës njoftoi vendimin disa orë pas raportimeve për rënien e koalicionit qeverisës, i cili nuk arriti një marrëveshje se si të trajtohej me azilkërkuesit që hyjnë në vend.

Pas disa ditësh bisedimesh midis anëtarëve kryesorë të kabinetit të udhëhequr nga Rutte, nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe koalicioni qeverisës u prish, raportoi më parë “NL Times”, duke cituar një burim të “afërt me negociatat”.

Kolapsi i dha fund mandatit të katërt të kabinetit të kryeministrit Rutte, i cili u inaugurua më 1 tetor të vitit të kaluar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne