Kryeministri pakistanez: Në aktet terroriste në vend përdoren armët amerikane

Kryeministri i qeverisë së përkohshme të Pakistanit, Anvarul Hak Kakar deklaroi se Islamabadi është i bindur se armët amerikane përdoren në akte terroriste në Pakistan. Kryeministri Kakar tha se qëndrimi i Islamabadit se armët amerikane përdoren në aktivitete terroriste në Pakistan bazohet në fakte në terren dhe se këto nuk janë teori konspirative.

Duke iu referuar shpërbërjes së ushtrisë afgane nga 150 mijë persona brenda dy ditësh gjatë tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani, Kakar tha se ka pikëpyetje se ku janë zhdukur armët e këtyre ushtarëve. Kakar deklaroi se Islamabadi është i bindur se armët amerikane përdoren në akte terroriste në Pakistan. “Armët amerikane shiten në tregun e zi jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe në Lindjen e Mesme”.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Vedant Patel tha se forcat amerikane nuk lanë asnjë pajisje prapa gjatë tërheqjes së tyre nga Afganistani.

“Nuk është e mundur të ndryshohet politika në lidhje me emigrantët e parregullt”

Kakar theksoi se Pakistani ka të drejtën morale dhe ligjore për t’i përjashtuar emigrantët e parregullt. “Emigrantët e paligjshëm luajnë rol të madh në përhapjen e pasigurisë në Pakistan”. Lidhur me 25 mijë shtetasit afganë që do të shkojnë nga Pakistani në vende të tjera, Kakar tha: “Ata që duan t’i marrin këta njerëz janë gati, ne nuk do t’i presim këta njerëz. Afganistani nuk është provinca jonë e 5-të, është një vend tjetër”.

“Nuk është e mundur të ndryshohet politika në lidhje me emigrantët e parregullt”, tha ai.

“Sulmet në Pakistan u rritën me 60 për qind pas talebanëve”

Kryeministri pakistanez tha se pasi talebanët morën kontrollin në Afganistan në gusht 2021, Islamabadi shpresonte se administrata e re në Kabul do të merrte masa të ashpra kundër grupeve anti-pakistaneze dhe veçanërisht talebanëve pakistanezë (TTP). “Pas formimit të qeverisë se përkohshme talebane në Afganistan, incidentet terroriste në Pakistan u rritën me 60 për qind ndërsa sulmet vetëvrasëse me 500 për qind. 2.067 civilë humbën jetën në këto masakra në dy vitet e fundit”, tha Kakar.

Ai theksoi se “terroristët anëtarë të TTP” ishin përgjegjës për vrasjen e civilëve të pafajshëm në Pakistan dhe gjakderdhjen në këtë vend. Sipas tij, TTP kreu sulme në Pakistan duke përdorur territorin afgan./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne