Kryeministri Rama viziton monumentet osmane në Berat që po restaurohen nga TIKA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka inspektuar punimet restauruese në Xhaminë Mbret, Xhaminë e Beqarëve dhe Teqenë Halveti në qytetin e Beratit, punime që po realizohen nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Të pranishëm gjatë vizitës së kryeministrit Rama ishin edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan dhe zyrtarë të Bashkisë së Beratit, të cilët kanë shikuar nga afër ecurinë e punimeve restauruesve të cilat janë në vazhdim e sipër.

Xhamia Mbret në Berat është ndërtuar në vitin 1492 me dekretin e Sulltan Bajazidit të Dytë gjatë udhëtimit në Shqipëri në rrugën Ohër-Elbasan, duke shkuar drejt Vlorës.

Një tjetër monument osman në qytetin e Beratit është edhe Xhamia e Beqarëve, e njohur ndryshe Xhamia e Sylejman Pashës që është ndërtuar nga i biri i vlonjatit Ibrahim Pasha, Sylejman Pasha, në vitin 1827-1828.

Teqeja Halveti është ndërtuar mes viteve 1781-1782 nga Kurt Ahmet Pasha për Shejh Hasanin dhe tarikatin Halveti.

Kujtojmë se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në mars të vitit 2018 filloi punimet për restaurimin e pesë monumenteve osmane në Shqipëri, konkretisht restaurimin e Xhamisë Et’hem Beut në Tiranë, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret, Xhamisë së Beqarëve dhe Teqesë Halveti në Berat.

Punimet për restaurimin e pesë monumenteve të periudhës osmane po vazhdojnë dhe sipas zyrtarëve të TIKA-s, pritet të përfundojnë në një periudhë sa më të afërt.

TIKA në Shqipëri ka realizuar qindra projekte, duke ofruar mbështetje në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne