Rajoni

Qeveria e Kosovës ofron mbështetje financiare për nxënësit e Luginës së Preshevës

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga Kryeministri, Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka marrë disa vendime, përfshirë edhe vendimin për mbështetje financiare për nxënësit e Luginës së Preshevës.

Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Qeveria ka ndarë 70 mijë euro “në emër të ndihmës për blerjen e librave dhe materialeve shkollore për nevojat e nxënësve të Komunës së Bujanovcit, Komunës së Medvegjes dhe Komunës së Preshevës”, komuna në të cilat jetojnë gjithsej rreth 100 mijë banorë të nacionalitetit shqiptar.

Propozimin për ndarjen e mjeteve financiare për blerjen e librave dhe materialeve të tjera shkollore për nevojat e nxënësve të këtyre komunave e ka bërë zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj kërkese, Ministria e Financave ka komunikuar me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë për ta mbështetur këtë kërkesë dhe kërkoj aprovimin për ndarjen e 70 mijë eurove për nxënësit e Luginës”, ka thënë Krasniqi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria njeh Bashkësinë e Tarikateve të Kosovës

Gjithashtu në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, duke shtuar edhe një bashkësi fetare, atë të Tarikateve të Kosovës.

Me plotësim ndryshimet e Ligjit sipas Zyrës së Kryeministrit të Kosovës rregullohet statusi juridik i bashkësive fetare në Kosovë dhe njihen 6 bashkësi fetare: Bashkësia Islame e Kosovës; Kisha Ortodokse Serbe; Kisha Katolike; Bashkësia e Besimit Hebre; Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës; Bashkësia e Tarikateve të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ka thënë se me këtë projektligj synohet të rregullohet statusi i lirive fetare.

“Me ligjin në fuqi janë 5 bashkësi fetare në Kosovë. Me projektligj është shtuar edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës që ka 60 mijë anëtarë”, ka thënë Selmanaj.

Gjithashtu në këtë mbledhje, me propozim të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është miratuar vendimi për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës 1990, të cilët kanë marrë pjesë në Mbledhjen e 2 korrikut 1990 dhe kanë vazhduar pjesëmarrjen në mbledhjet e Kuvendit deri më 24 maj 1992./AA

OPINIONE

INTERVISTA