Nga Vasiljano Buba
Kryepeshkopi Anastas, pas më shumë se tre dekadash shërbimi në Shqipëri, pasi rindërtoi nga rrënojat një Kishë të gjallë dhe të organizuar, largohet nga kjo jetë për tu bashkuar me Zotin. Pas tij mbeti një trashëgimi e pashlyeshme: katedrale, manastire, spitale, universitete dhe një komunitet besimtarësh që e deshën dhe e nderuan. Por, pavarësisht veprës së tij të madhe, sulmet ndaj tij vazhdojnë. Pas vdekjes, një mori individësh dhe grupe, që në vitet e tij të gjallë ishin të përkushtuar për ta sulmuar dhe denigruar, vazhdojnë të përhapin mllef dhe shpifje kundër kujtimit të tij.
Në diskursin publik, nëpër media dhe forume të ndryshme, vazhdojnë shpifjet dhe sulmet, një fenomen që tashmë është bërë i zakonshëm. Ata që e kundërshtuan gjatë gjithë jetës së tij, ata që ndërtuan një narrativë të bazuar në spekulime dhe ideologji të mykura, tashmë shfaqin të njëjtin mllef edhe ndaj kujtimit të tij. Si dikur farisenjtë që, pasi kryqëzuan Krishtin, kërkuan t’i thyenin edhe eshtrat, ashtu edhe sot, të njëjtat mendësi kërkojnë të njollosin edhe varrin e tij.
Turma vazhdon të flasë, duke përsëritur të njëjtat klishe boshe, duke mos mundur të pranojë se Kryepeshkopi Anastas ishte një figurë që e tejkaloi urrejtjen e tyre të vogël njerëzore. Vepra e tij qëndron si dëshmi e pashlyeshme, dhe ky është fakti që i shqetëson më shumë.
Në anën tjetër, servilët e partisë në pushtet sikundër janë disa gazetarë, analistë, profesorë apo edhe këllira të tjera, që me gojën plot kanë folur për patriotizëm dhe nacionalizëm për dekada të tëra – tani janë të ngushtë, të bllokuar, dhe pa asnjë mundësi për të manovruar. Pasi Kryeministri (që është arsyeja e ekzistencës së tyre social~politike), bëri një akt të papritur, lavdëroi Kryepeshkopin Anastas për kontributet e tij të mëdha për ringritjen e Kishës dhe shoqërisë shqiptare. Ky akt e ka lënë këtë grup servilësh të tronditur dhe të pafjalë. Të gjithë ata që shpifnin për “jargavitje nacionaliste” tani janë të shushatur, të “detyruar” të mbështesin figurën që deri dje e keqinterpretonin dhe e përdhosnin. Ata që përballë këtij lavdërimi ishin të mbushur me mllef, tani ngelen të shtangur, sepse e dinë mirë që Kryepeshkopi me fjetjen e tij tek Zoti ka fituar respektin dhe nderimin edhe më të madh prej gjithë botës fetare dhe asaj akademike, por ky grup i neveritshëm kocaqist, xhufkarist, dalipist janë të mbërthyer në një mori pozita të ngushta për t’u bërë të pranueshëm.
Për të nderuar këtë figurë të jashtëzakonshme, nuk erdhën vetëm besimtarët, por edhe primatët dhe delegacionet e Kishave nga e gjithë bota. Ata që e njohin thellësisht punën dhe përpjekjet e tij lavdëruan angazhimin e palodhur të Kryepeshkopit për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Ata që kanë eksperiencën dhe njohurinë për këtë fushë e dinë se Kryepeshkopi Anastas ka kontribuar më shumë se kushdo tjetër në këtë periudhë të vështirë. Ata që flasin për këtë temë janë ata që kanë përvojën dhe vizionin e duhur, jo ata që shpifin dhe denigrojnë nga pozita të errëta dhe injorante. Të gjithë ata që janë të ngulitur në errësirë shpirtërore dhe mendore – ata që kanë frikë nga gjithçka që është përtej përcaktimit të tyre të ngushtë – kanë mbetur në heshtje, sepse përballë një vepre të tillë, gënjeshtrat e tyre janë të pashembullta.
Një nga shqetësimet e tyre kryesore është vendvarrimi i Kryepeshkopit. Ata ngrejnë pyetje që burojnë jovetëm prej paditurisë së thellë por edhe prej dashakeqësisë: “Pse duhet të prehet në Katedrale?”. Përgjigjja është e thjeshtë: sepse ashtu e ka kërkuar ai vetë, sipas dëshirës së tij të fundit. Asnjë nga Kryepeshkopët e mëparshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk e kishte shprehur një dëshirë të tillë, ndërsa për varret e tyre Kisha ka bërë përpjekje maksimale për t’i nderuar siç e kërkon tradita dhe hierarkia kishtare. Megjithatë, nuk ka gjetur mbështetjen e institucioneve shtetërore përgjegjëse, të cilat, ndër vite, kanë treguar një indiferencë të qëllimshme ndaj kësaj çështjeje.
Veprat e Kryepeshkopit Anastas do të qëndrojnë përjetësisht si një dëshmi e përkushtimit të tij për Kishën dhe shoqërinë shqiptare. Historia, si ajo që lidhet me Krishtin, nuk mund të fshihet. Ajo që ai la pas, si një njeri që i shërbeu me përkushtim një populli të shkatërruar shpirtërisht dhe materialisht, do të mbetet e pavdekshme. Siç Krishti u Ngjall dhe triumfoi mbi armiqtë e tij, po ashtu edhe figura e Kryepeshkopit Anastas është përherë e pranishme në zemrat e besimtarëve dhe në veprat që ai ndërtoi.
Turma e shushatur vazhdon të flasë, si gjithmonë. Ata që shpifin dhe shpërndajnë urrejtje janë gjithmonë të zhurmshëm, por historia është e heshtur dhe e fuqishme. Dhe ajo flet qartë: veprat e Kryepeshkopit Anastas janë të gjalla, dhe për ata që kërkojnë të shohin, janë të dukshme përjetësisht.
I paçim uratën Kryebariut tonë, e dim se lutet për ne, sikundër edhe ne lutemi për shpirtin e tij.
/MediaSociale