Kryeprokurorja speciale maqedonase Katica Janeva, e dyshuar për korrupsion

Emri i kryeprokurores speciale tashmë të dorëhequr, Katica Janeva, doli në shesh pas arrestimit të një pronari televizioni dhe një personi tjetër të dyshuar për zhvatje dhe pastrim parash. Një biznesmeni maqedonas që po gjykohej, ata i kishin kërkuar 8 milionë euro për t’ia lehtësuar rrethanat e dënimit përmes një prokurori, që rezulton të jetë Katica Janeva.

Ekspertët juridikë vlerësojnë se kredibiliteti i Prokurorisë Speciale është sulmuar në masë të madhe dhe se do ta ketë shumë të vështirë që të rikthejë besimin e qytetarëve, veçanërisht nëse vazhdon të ketë këtë përbërje.

Zaev: Vazhdoj të besoj në sistemin gjyqësor

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në një konferencë për media tha se vazhdon të besojë në sistemin gjyqësor dhe kërkoi të respektohet pafajësia derisa të zbardhet i gjithë rasti lidhur me dyshimet për përfshirjen e ish-kryeprokurores Katica Janeva në shantazhin kundër një biznesmeni.

“Besoj se kushdo që ka gabuar duhet të përgjigjet. Kjo është ajo që besoj. Vetëm kështu mund të sjellim drejtësinë”, ka theksuar Zaev.

VMRO-DPMNE: Të arrestohet Katica Janeva, zgjedhje të parakohshme parlamentare

Nga ana tjetër, opozita me VMRO-DPMNE-në në krye kërkon arrestimin e Katica Janevës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që është pjese e ekzekutivit, është shprehur i shqetësuar për këto zhvillime që mund të ndikonin tek proceset e integrimit të vendit.

Nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM) kanë reaguar duke thënë se rasti i fundit i Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar është dëshmi se qeveria është e përkushtuar për luftimin e korrupsionit, pavarësisht se për cilin personalitet bëhet fjalë.

Një nga shtyllat më kryesore, në bazë të së cilës Brukseli do ta vlerësojë Shkupin lidhur me caktimin e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, është përcaktimi i statusit të Prokurorisë Speciale Publike, mandati i së cilës përfundon në muajin shtator.

Prokuroria Speciale Publike u formua më 2015-n dhe kishte për detyrë të hetojë aferën e përgjimeve, që u publikua në shkurt të po atij viti nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër i vendit. Prokuroria Speciale gjatë kësaj periudhe ka ngritur 17 padi penale kundër 94 personave, përfshi këtu edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili është i arratisur në Hungari për t’iu shmangur vuajtjes së dënimit me dy vjet burg./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne