Ku shkeli Amstrong, në Hënë apo në një studio super sekrete?

Materiali i sugjeruar është marrë nga libri “Konspiracionet dhe mashtrimet më të famshme të të gjitha kohëve” me autorë Jonathan Vanckin (Xhonatan Venkin) & Jon Whalen (Xhon Uheilen). Vëllimi me nëntitullin mbështetës: “Misteret, mashtrimet dhe intrigat më të mëdha të historisë” ka ardhur në shqip nga Valter File ndërsa është botuar nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”.

***

 MASHTRIMI “APOLLO”

Ku ka shkelur Nil Amstrongu, në sipërfaqen e Hënës, apo në një kinostudio super sekrete pranë Las Vegasit?

Në qoftë se NASA ka bërë këtë mashtrim fenomenal, përse e ka bërë, dhe cili ka qenë përfitimi i mashtruesve?

Më 20 korrik të vitit 1969 Nil Amstrongu preku me këmbën e tij të majtë mbulesën me pluhur të sipërfaqes së Hënës dhe u bë njeriu i parë, i cili shkeli në Hënë. Për fat të keq, ky çast yjor i historisë, errësohet nga një hollësi e vogël e parëndësishme. Po qe se Bill Keizingu ka të drejtë, ka për të dalë, që Amstrongu e kreu kërcimin e vet gjigant për lavdinë e njerëzimit jo 386.160 kilometra larg Tokës, në detin e pajetë të qetësisë, por vetëm 150 kilometra në veri të qytetit të Las Vegasit, që gjallonte nga jeta, në një kinostudio super sekrete.

Po, kështu thotë Keizingu, mashtruan kombin dhe e bënë të besonte që Amstrongu dhe Eduin E. Oldrin i riu, shkelën mbi një peizazh të vërtetë hënor, kur në fakt që të dy “aktorët” luajtën, dhe madje mjaft keq, në një produkt të përbindshëm, të regjistruar nga qeveria, e cila me të drejtë mund të pretendojë të jetë një nga truket më të mëdha të të gjitha kohërave.

Mund të thoni, që këto përralla janë një marrëzi e pastër? Por ama jo edhe për miliona skeptikët, që e kanë parë me mosbesim spektaklin me kozmonautët, që bënin shëtitje nëpër Hënë. Keizingu ndan me ta mendimin e vet dhe shtron teorinë e vet me hollësi në librin “Kurrë nuk kemi shkelur në Hënë”, të cilën e botoi vetë. Ka shkruar artikuj në fushën e teknikës për “Rokuel Interneshënëll” (e cila jep mendimin e vet për të presupozuarin “Udhëtim deri në Hënë”), Keizingu nuk ngul këmbë, që është i lidhur drejt për drejt me truket e NASA-s. Bindja e tij më tepër bazohet tek njohuritë dhe intuita, nga “faktet” e materialit fotografik, dhe në ndjenjën e brendshme që “qeveria është specialiste në mashtrimin e shoqërisë”.

Kompensimi i mungesës së dëshmive të pakundërshtueshme, në mbështetje të versionit të Keizingut, është entuziazmi i tij i madh. “Mashtrimi për të cilin Amerika pagoi 30 miliardë dollarë”, vë në dukje ai, vazhdoi edhe me pesë zbritje të tjera të falsifikuara në Hënë dhe përfshin “fotografi të falsifikuara mirë”, shkëmbinj të falsifikuar hënorë dhe “astronautë të programuar”, të mos flasim për “shembullin e të pagabuarit (Uollter) Kronkait dhe rolin e tij të gazetarit dhe të fajtorit pa faj”. Para së gjithash *Keizingu ngre pyetjet, të cilave NASA dhe ish-astronautët i largohen si hajdutët e ndjekur nga policia. Përse në kupën qiellore nuk duken yje dhe përse astronautët “u shmangen përgjigjeve të sakta”? Në kushtet e mungesës së atmosferës, e cila mund të pengojë, qielli i mbushur me yje kishte për të qenë “pamja më e mrekullueshme, që ishte shpalosur ndonjëherë para syve të një vdekatari”, vë në dukje Keizingu. Sipas tij skenografët e NASA-s e kanë ditur, që do ta kishin të pamundur të gënjenin astronomët profesionistë me një fond yjor artificial.

*Me që sipërfaqja hënore është e mbuluar me një shtresë të trashë pluhuri, mbi të cilin këmba do të linte një gjurmë të thellë, atëherë përse aparati i zbritjes nuk ka gërmuar një krater të tërë? Përse në fotografi nuk vihet re pluhur hënor në mbështetëset e raketës.

*Po qe se hëna është “sterile”, siç u vërtetua gjatë ekspeditës së parë të “Apollo”, përse astronomët e misioneve që pasuan janë mbajtur në karantinë kaq gjatë? Keizingu supozon, se kishte qenë e nevojshme, së pari, për t’u çliruar nga ndjenja e fajit; së dyti, për të mësuar përmendësh të dhënat për Hënën; së treti, për t’u trajnuar me përgjigjet e pyetjeve.

*Përse shumica e kozmonautëve zënë detyra të rëndësishme nëpër kompanitë e mëdha?

Keizingu jep përgjigje pothuajse për të gjitha pyetjet, përfshirë këtu edhe atë më të zakonshmen – përse qe e detyruar NASA të falsifikonte fotografitë hënore të “Apollo”? Me sa duket, agjencia kozmike u mor me këtë falsifikim të komplikuar, sepse pas dështimeve shumëvjeçare teknike dhe burokratike, u bë e qartë, se NASA nuk do të arrinte të dërgonte njeri në Hënë të paktën deri në fundin e viteve ’60-të.

Për të mos u gjendur Amerika në një pozitë të pafavorshme para botës, NASA dhe fronti i padukshëm i ushtarakëve, seksioni i kundërzbulimit i Ministrisë së Mbrojtjes, përpunojnë një operacion super sekret, të cilin Keizingu e quan “Projekti i fluturimit të simuluar të “Apollos” (FSA). Për bazë sekrete të operacionit, anëtarët mendjeftohtë të ekipit, zgjedhin një rajon në Nevada, pranë zonës së ndaluar, atje ku Komiteti për energjinë atomike provonte bombat bërthamore, që ishte një barrierë ideale për kureshtarët e tepruar. Kuptohet, që, krijimi i bazës sekrete, jo më shumë se një orë larg me makinë nga “kampi i pushimit, i hapur për të arriturit me auto-stop gjatë gjithë javës, ku secili kishte mundësi të bënte çfarë të donte dhe ka në dispozicion më shumë se tridhjetë kazino të mëdha” ishte një përparësi më tepër. Sipas Keizingut, ekipi i FSA-së, në mënyrë të natyrshëm u lidhën me Koza Nostrën e Las Vegasit, të cilët me patriotizëm i afruan programit kozmik “shërbime” ekspertësh, sidomos në fushën “e përmbytjeve vdekjeprurëse”, le t’i quajmë kështu.

Në shkretëtirë ekipi i grumbulluar gërmoi një shpellë nëntokësore të cilën e kthyen në një “peizazh të vërtetë hënor”. (Sipas versioneve gojore të përhapura për trukun hënor, vendi i inskenimit është në Arizonë ose në Nju Meksiko). Në fakt, për mungesën e burimeve tradicionale gazetareske, jemi të detyruar t’i pranojmë me mirëbesim të gjitha “faktet” e sjella nga Keizingu: veç kësaj, edhe vetë Stenli Kubrik ndihmon në plotësimin e planit, duke shfrytëzuar eksperiencën e vet nga filmi “2001: Odiseja kozmike”. Regjisori punoi edhe mbi efektet speciale hollivudiane, të nevojshme për të bërë të besueshëm sajesën e NASA-s për publikun jo dyshues.

Ja si e përshkruan Keizingu realizimin e projektit në vija të përgjithshme:

*Një raketë e zbrazët “Saturn V” fluturon nga Florida para syve të një publiku të shumtë, nëpërmjet të cilës sajesa “Apollo” merr startin e autenticitetit. Mirëpo menjëherë porsa humbet nga vështrimi i njerëzve, raketa fantazmë zhytet në ujërat, në detin e Polit të Jugut.

*Ngarkohen “astronautët” në një avion reaktiv dhe transportohen në kompleksin e Nevadës. Atje u kanë siguruar “të gjitha komoditetet, ka edhe disa bukuroshe nga varietetë e Las Vegasit, kuptohet të pajisura me dokumente që mund të kryejnë detyra sekrete”. Duke vazhduar programin e tyre në “Klubin Hënor”, – po qe se na lejoni ta quajmë kështu, – Amstrongu dhe aktorët e tjerë, që merrnin pjesë në këtë farsë ishin “të lirë të shëtisnin, të luanin me automatet e lojërave dhe të hanin nga delikatesat e bufesë njëzetekatërorëshe të hotelit “Dunat”. (Gjatë këtij vakumi moral, shkruan Keizingu, që është i qartë për të gjitha, një nga astronautët “e shqepi në dru shefin e ekipit në një grindje për një vajzë me emrin Pijçi Kijn”).

*Kur më në fund u ngrit perdja, teknikët e efekteve speciale, operatorët televizivë dhe “specialisti i shëtitjeve hënore të FSA”, krijojnë një vepër pothuajse të përsosur të artit kinematografik. Me “shkeljen e tij në Hënë” Amstrongu thotë replikën e parashikuar në skenar. Çdo lëvizje, çdo tingull dhe replikë, nga “gabimet e padëshiruara”, deri në shakatë dhe “improvizimet e astronautëve”, janë parashikuar dhe stërpërsëritur. Ndërkohë NASA pjek në një furrë qeramike të teknologjisë së lartë “copa nga shkëmbinjtë hënorë”, të cilët duhet të shërbenin si dëshmi e udhëtimit deri në Hënë.

*Kur erdhi çasti i kthimit triumfal në Tokë, i hoqën astronautët nga orbita e bukurosheve të Las Vegasit dhe me të shpejtë i futën në një bazë të fshehtë ajrore në jug të ishujve të Havait (arkipelagu Tauramo, siç na sqaron me dashamirësi Keizingu). Atje i rrasën në një kapsulë false hermetike dhe i lëshojnë nga një avion transporti “C5-A” në ujërat e tërbuara të oqeanit.

Po që syzheti i afrohet shumë filmit “Kaprikorn 1” të xhiruar në vitin 1979, i cili tregon për një gjoja udhëtim në Mars, kjo ka ndodhur sepse Hollivudi e ka marrë idenë nga botimi i parë i librit, për të cilin ngul këmbë Keizingu.

Si në filmin e O. Xh.Simpsonit – Teli Savalas (ose çdo konspiracion tjetër, i cili ia vlen me të vërtetë), në versionin e Keizingut gjithashtu ka martirë, dhe me sa duket ata janë aq sa mund të mbushin një varrezë të tërë. Për shembull Tom Baroni, specialist i teknikës kozmike, i cili u ankua në Kongres, se mjetet e programit “Apollo” shkurtoheshin pa mëshirë. Ai vdiq në një aksident hekurudhor, “vetëm katër ditë pasi kishte bërë dëshminë”. Tre nga kozmonautët – njëri prej tyre Gys Grisam, u vra në një “fatkeqësi” në fushën e startimeve, në vitin 1967, sepse kapsula e tij morri zjarr. Grisami u ankua hapur, që “Apollo” kishte probleme me parrezikshmërinë, gjë që e ka shpënë Keizingun tek mendimi, që seksioni i kundërzbulimit të Pentagonit e ka inskenuar incidentin, për t’i mbyllur gojën të pakënaqurit dhe të frikësonte çunat e tjerë që edhe ata ta mbanin gojën mbyllur.

Përveç kësaj, këtu, si edhe në komplote e tjera të presupozuara, gjithashtu ka shpëlarje trush. Keizingu hedh supozimin, që astronautët janë përpunuar me metodat më bashkëkohore për kontrollimin e truve, për t’u kthyer në “Kandidatë Mançurianë” dhe për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të padiskutueshme në mashtrim. Ndoshta kjo e shpjegon edhe jetën e mbyllur, që bënin kozmonautët pas “kthimit të tyre nga Hëna”, si edhe “problemet serioze psikike”, tek disa prej tyre, shkruan Keizingu.

Keizingu pyet, çfarë në fakt përpiqen të fshehin kozmonautët? Nil Amstrongu “nuk dëshironte të fliste në telefon me mua”, ankohet autori në librin e vet. Olldrini kundërshton të merrte pjesë në një diskutim me kritikun këmbëngulës të “Apollos”. Por megjithatë, pavarësisht nga ngurrimi i tyre i kuptueshëm, me sa duket astronautët shfaqnin njëfarë interesimi ndaj veprimeve të studiuesit kalifornian. Ai hedh supozimin e zymtë, se agjentët e Amstrongut i ndjekin nga afër përpjekjet e tij për shkurorëzimin e “Apollos”.

Por, të fshehtat e NASA-s mbeten të padepërtueshme, po ashtu si kasafortat e Las Vegasit. Duke përjashtuar mundësinë, nga zbulime të papritura, e vetmja mënyrë që Keizingu të arrijë deri në fundin e këtij misteri, ishte të sulmonte astronautët me pyetje. Po ashtu si Davidi, i cili godiste kozmonautin e famshëm Goliat me gurë të vegjël tokësorë, studiuesi i palodhur bën provokimin e fundit: “Jam gati”, – deklaron Keizingu, – “të organizoj një diskutim televiziv me secilin nga kozmonautët veç e veç, ose po të duan, me të gjithë së bashku, si dhe të takohem me ta personalisht në çdo kohë…”

Deri tani kozmonauti Mançurian kundërshton ta hedhë këtë hap.

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne