Kufiri detar me Greqinë, Rama ndryshon përbërjen e Komisionit/ Ja anëtarët

Qeveria ka ndryshuar përbërjen e posaçme të Komisionit për kufirin detar me Greqinë. Komisioni i ri do të përbëhet nga zv.ministra, mes të cilëve edhe ai i Jashtëm, që me shumë gjasa mund të jetë Gent Cakaj, që gjithashtu është ministër në detyrë i Punëve të Jashtme. Vendimi vjen pas vizitës së Ramës në Athinë dhe takimit me kryeministrin grek.

Në mbledhjen e fundit të saj është vendosur që ky komision të përbëhet nga 7 anëtarë, dhe në përbërje të tij të jenë:

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, kryetar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mjedisin, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për energjinë, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për peshkimin, ujitjen dhe kullimin, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, anëtar.

Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe kryen këto detyra:

a) Organizon mbledhjet e Komisionit dhe njofton anëtarët;
b) Planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse;
c) Realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit;
ç) Raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.

Sipas vendimit, komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.
Titullarët e institucioneve përgjegjëse të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision./boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne