Kujdes nga pornografia, më shumë adoleshentë po bien pre e saj

Sipas një studimi të ri në Australi, të rinjtë shikojnë pornografi rregullisht dhe janë të ekspozuar ndaj saj në një moshë shumë të re – 13 për djemtë dhe 16 për vajzat. Studiuesit dyshojnë në efektivitetin e mekanizmave që synojnë të mbrojnë shikuesit e rinj nga përmbajtjet për të rritur.

Hulumtuesja e Institutit Burnet, Dr. Megan Lim, e cila drejtoi studimin me 940 australianë të moshës 15-29 vjeçare, tha se ajo ishte e befasuar nga rezultatet.

“Të gjithë të rinjtë djem në studimin tonë thanë se shihnin pornografi, dhe po kështu edhe shumica e vajzave. Ata gjithashtu raportuan se shohin pornografi me frekuencë mjaft të lartë”, tha Lim për faqen zyrtare të Institutit Burnet.

“Rreth 80 për qind e të rinjve thanë se shohin çdo javë, dhe midis vajzve që shohin pornografi, pothuajse dy të tretat shohin të paktën një herë në muaj”, tha ajo, siç citon ABC-ja e Australisë.

Sipas studimit, mosha mesatare e ekspozimit të parë ndaj pornografisë në Australi është 13 për djemtë dhe 16 për vajzat.

Softueri i verifikimit të moshës dhe i filtrimit në internet, i përdorur për të mbrojtur audiencat e reja nga shikimi i përmbajtjeve për të rritur, ka provuar se është joefektiv, shtuan hulumtuesit.

“Ndërhyrjet siç janë softueri për verifikimin e moshës, softueri për filtrimin e internetit dhe monitorimi nga prindërit mund të luajnë një rol në reduktimin e ekspozimit rastësor ose aksidental ndaj pornografisë, veçanërisht tek fëmijët më të vegjël. Megjithatë, këto metoda nuk kanë të ngjarë të jenë efektive në ndalimin e një personi të motivuar nga qasja në pornografi”, thotë studimi.

Ekipi i Institutit Burnet thotë se edukimi seksual në Australi duhet të bëjë më shumë për t’u marrë me “normat e larta të përdorimit të pornografisë” nga të rinjtë.

Ata theksuan se pornografia është një “performancë”, dhe ekziston një hendek midis seksit të jetës reale dhe asaj që tregohet në filma.

Për ta bërë këtë ndryshim më të qartë tek të rinjtë, klasat relevante të edukimit seksual duhet të futen gjatë shkollës së mesme ose edhe më herët, thanë shkencëtarët.

Studiuesit pohojnë gjithashtu se ata kanë identifikuar një lidhje midis shikimit të pornografisë dhe problemeve të shëndetit mendor, duke thënë se kjo gjithashtu mund të ndikojë që të rinjtë të bëhen seksualisht aktivë në një moshë më të re.

“Ne nuk jemi këtu për të provuar se shikimi i pornografisë është një gjë e keqe. Por pa dyshim që shikimi i shpeshtë i pornografisë lidhet me disa rezultate negative, siç është shëndeti i dobët mendor”, tha Lim.

“Është e paqartë nëse pornografia është një faktor shkaktar në shëndetin e dobët mendor ose një tregues i problemeve themelore”, shtoi ajo.

Studiuesi u kërkoi psikologëve dhe psikiatërve që merren me të rinjtë që vuajnë nga probleme mendore për të “konsideruar nëse pornografia është një problem për disa klientë”.

Lim gjithashtu tha se të rinjtë nga komuniteti LGBT shikojnë pornografi më shpesh dhe në një moshë më të re sesa bashkëmoshatarët e tyre heteroseksualë.

“Hipoteza jonë është se këta adoleshentë po humbasin edukimin tradicional seksual” dhe u drejtohen filmave për të rritur “që të kërkojnë informacion të mëtejshëm rreth gjërave për të cilat ata janë kurioz”, shpjegoi ajo. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne