Shqiperia

Kukësi, kandidat për çmimin Nobel për Paqen

Në shtypin e shkruar, në emisione të organeve të medias audio-vizive ose në portale zënë vend ngandonjëherë edhe vlerësime shpërfillëse për kontributet e Shqipërisë dhe njerëzve të saj gjatë luftës së Kosovës. Janë deformime të shëmtuara të të vërtetave historike që, për fat të keq, shkojnë paralel me disa zhvillime aktuale në Shqipëri, Kosovë, hera-herës edhe në mjediset shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Të shfaqura si koincidenca të rastit, në fakt janë djallëzore, sepse nxijnë realitetin dhe nxitin artificialisht, ngrenë në kult ndasi, grindje ose konflikte brenda forcave politike, zhvillime këto që nuk iu shërbejnë aspak shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre euroatlantike. Kjo thashethemnajë e padobishme është e përgënjeshtruar vazhdimisht nga publikimi i të vërtetave të pamohueshme, që nxjerrin në dritë solidaritetin vëllazëror të shqiptarëve në të dy anët e kufirit, veçanërisht gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Përkundër ndonjë tentative të pasuksesshme diversioniste, si dhe për ta risjellë sërish në vëmendjen e lexuesve këtë çështje, shfletuam librin Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë, 1998-2002), botim i UMSH-Press & ONUFRI, Tiranë 2018. Autori Ksenofon Krisafi, ka mbajtur postin e ambasadorit, përfaqësuesit të përhershëm të Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë, në vitet 1998-2002, kur kriza kosovare dhe lufta e Kosovës ishin objekt diskutimesh edhe në forumet ndërkombëtare të Gjenevës. Prej tij shkëputëm pjesën e mëposhtme.

 Dhimbje e dashuri për popullin e Kosovës

Shqipëria, vendi i prekur që në fillim dhe drejtpërsëdrejti nga kriza kosovare, provoi ndër të parat dhimbjen e madhe për dramën e bijave dhe bijve të saj të përtej kufirit, viktima të politikës së egër të genocidit dhe të spastrimit etnik serb. Ajo u përball befasisht me një fluks të konsiderueshëm refugjatësh, të cilët nisën të kalonin kufirin qysh në qershorin e vitit 1998. Numri i tyre shtohej vazhdimisht duke krijuar probleme të mëdha në pikat kufitare të Padeshit, Morinës, Zogajt dhe Qafa e Prushit, në rrethet e Tropojës dhe të Hasit, në pikat kufitare të Vermoshit dhe Hanit të Hotit, në Qafë Thanë etj. Mbërritja e vazhdueshme e grupeve të shtuara të njerëzve, në kushtet e rënda të dimrit që kishte trokitur në derë në ato kohë të vështira, e përkeqësonte gjithmonë e më shumë gjendjen dhe punën e autoriteteve qendrore e lokale. Qeveria shqiptare e vlerësoi me seriozitetin maksimal situatën dhe mori me shpejtësi masat e nevojshme për të ndihmuar të sapoardhurit, duke i furnizuar me ushqime, strehim, tenda, veshmbathje, medikamente, asistencë mjekësore e shëndetësore etj. Me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 330, të datës 5 qershor 1998 dhe me ndihmën financiare të UNHCR, në Ministrinë e Pushtetit Vendor u krijua një Zyrë e posaçme për refugjatët, kurse në Prefekturën e Kukësit u caktua një i plotfuqishëm. Ndërkohë u krijuan shtabet lokale për përballimin e situatave që rëndoheshin nga çasti në çast. Vëmendje e veçantë iu kushtua grupeve vulnerabël, fëmijëve dhe grave shtatzëna, të moshuarve, të sëmurëve, të plagosurve dhe handikapatëve.

Kaloi kështu dimri i 1998-1999 dhe nisi pranvera, e cila për shqiptarët në të dy anët e kufirit, nuk erdhi si stina e ringjalljes, e shpresës për jetën dhe për ditë më të mira, por si koha e gjëmës së madhe, tepër e rëndë dhe e dhimbshme. Në muajt e parë të 1999, Kukësi, porta hyrëse e Shqipërisë, po përjetonte kohë epike. Ajo ishte hapur tej e ndanë, për pritjen e disa qindra mijëra qënieve njerëzore, që kishin lënë pas vatrat, shtëpitë e shkrumbuara, të mbjellat e shkatërruara, trupat e pajetë të të dashurve të vet. Në fytyrat dhe shpirtin e tyre shfaqej dukshëm hija e dhimbjes së papërshkrueshme të luftës, tmerrit, egërsisë, barbarisë së kriminelëve, të cilët kishin vite që po përgjaknin njerëz të pafajshëm, me të cilët kishin jetuar si shtetas të njëjtë të një shteti të përbashkët…

Pikërisht në ato ditë, si ambasadori i Shqipërisë, trokita në zyrën e Sadako Ogatës, për t’ia ripërsëritur dhe përshkruar tashmë më në hollësi, atë që ndodhte në Kukës, si dhe për t’i kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të strukturave të organizatës që drejtohej prej saj, me qëllim që të shpëtoheshin jetë njerëzish. Ajo, me sa duket, e mësuar me ngjarje të tilla, shprehu keqardhjen e çastit dhe u përpoq të më qetësonte, duke thënë se, sipas njoftimeve të saj, situata nuk ishte aq dramatike sa u përshkrua prej meje. Disa ditë më vonë, në seancën e 24 marsit 1999, të Komisionit të të Drejtave të Njeriut (KDNj), do të pranonte se kishin të drejtë ambasadori i shtetit shqiptar dhe strukturat e tjera të tij, që e ndjenin nga afër realitetin e vërtetë kosovar, të shfaqur dhimbshëm në të gjitha dimensionet, në territorin shqiptar.

Skenat që zhvilloheshin ato ditë në Kosovë, ngjanin së tepërmi me ndodhi të tjera, të rënda, që ishin vërtetuar në territoret e saj, shumë kohë më parë. Në vitin 1913, Dotation Carnegie, i alarmuar nga lajmet që mbërrinin nga skenat e luftës dhe mizorive me të cilat ajo shoqërohej në viset shqiptare të ish vilajetit të Kosovës, dërgoi një komision hetimi në vend, për verifikimin e situatës. Në raportin e vet ai mblodhi fakte dhe prova të shumta, midis të cilave bënin pjesë edhe dëshmi të publikuara në shtypin gjerman. Aty lexohet ndër të tjera se “Djegie shtëpish dhe fshatrash të tëra, vrasje në masë e popullsive të çarmatosura, dhunë e padëgjuar, plaçkitje dhe brutalitet i çdo lloji,- ja mjetet me të cilat kanë vepruar dhe veprojnë ende tupat serbo-malazeze, me qëllim që ta transformojnë tërësisht fizionominë etnike të rajoneve të banuara ekskluzivisht nga shqiptarë.”

Këtyre Komisioni iu shtonte edhe konstatimet e veta, duke thënë se “në fshatrat gjysmë të shkretuara, kur ato nuk ishin tërësisht të braktisura…, atyre iu mjaftonte që t’iu vinin zjarrin. Të paralajmëruar nga ndriçimi i zjarreve njerëzit largoheshin me nxitim të madh. Një migrim i vërtetë popullsish po kryhej…. Përgjatë hekurudhës vijonin radhë të pafundme karrosh, qerresh me buaj, të ndjekura nga familjet e emigrantëve dhe në rrethinat e qyteteve të mëdha ne gjetëm të vendosur grupe të ikurish.”

Këto rreshta duket sikur iu referoheshin ngjarjeve që ndodhnin jo në vitin 1913, por rreth 90 vjet më pas, kur në këto rajone kishte sërish të vrarë, gjak, plagë, shtëpi të djegura, të shkatërruara, vend i shkretuar, radhë të pafundme njerëzish, të lodhur, të rraskapitur, me dhimbje e plagë shpirti. Tabloja dhe imazhi nuk dallonin shumë me përjashtim të faktit që vendin e karrocave dhe qerreve e kishin zënë traktorët dhe kamionët. Mijëra burra, gra, fëmijë e pleq, hipur mbi ta ose edhe në këmbë ecnin pa u ndalur për t’iu larguar të keqes që i ndiqte nga pas. Ecnin drejt një shprese, drejt një destinacioni, që edhe pse i panjohur, dihej se ishte toka e tyre, atdheu i vet i munguar. Më tej, në Kukës, në mbarë Shqipërinë, sikurse edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe vende të tjera, zhvilloheshin aktet e tjera të dramës së nisur në qytetet dhe fshatrat kosovare. Aty ndalte për pak çaste rrugëtimi rraskapitës i dhjetëra e qindra mijëra njerëzve që iknin përmes “shiut të plumbave” të ushtrisë serbe.

Në mesditën e 28 marsit 1999 kishin kaluar Morinën dhe kishin marrë rrugën e Kukësit rreth 300 vetë nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël. Ishin ata që shpëtuan nga masakra e forcave serbe e datave 25, 26 dhe 27 mars. Tragjedia e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, ishte pjesë e operacionit famëkeq “Patkoi”, që kishte për qëllim neutralizimin e aksioneve çlirimtare të UÇK-së. Në masakrën e Krushës së Vogël u vranë 113 vetë nga mosha 13 vjeçare deri në atë më të vjetrin, ose rreth 70% e 178 meshkujve. Në Krushën e Madhe, siç shkruan Hashim Thaçi, u krye një ndër krimet më të mëdha të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile shqiptare. Përfaqësuesit e Tribunalit të Hagës gjetën 2 krematoriume, 8 varreza masive dhe 243 të vrarë – gra, fëmijë dhe pleq, çka ka bërë që masakra të cilësohet si Aushvici i Krushës së Madhe. Mbërritja e tyre në Kukës u pasua nga “ortekë” të tjerë refugjatësh prej dhjetra e qindra mijëra vetësh, kryesisht gra, fëmijë e të moshuar. Ata vinin në këmbë, mbi traktorë dhe automjete të tjera dhe mbushnin çdo hapësirë të lirë në qytet, në rrethinat e tij dhe në rrugën Morinë – Kukës. Siç thuhet në librin librin “Kukësi në 79 ditë”, streha e parë ishin shtëpitë e kuksianëve dhe pastaj, kur numri rritej, strehë bëhej çdo mjedis, nga sheshi qendror, hapësira ndërmjet xhamisë dhe ndërtesës së Prefekturës, ish-këndi i lojërave për fëmijë, mjediset e brendshme të magazinave, xhamia dhe Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina”, hapësirat rreth tyre, traktorët etj. Gjëndja rëndohej sepse në qytet mbaronte buka, mielli dhe mallrat e tjerë ushqimorë, ndërsa fluksi i të ardhurve shtohej pandërprerë. Autoritetet shqiptare vunë me shpejtësi në dispozicion miell dhe ushqime nga rezervat e shtetit, rreth 20 mijë çadra etj.

Njerëzit e Kosovës ndalnin në Kukës “për të marrë frymë” nga lodhja, traumat, dëshpërimi, për të shkarkuar dhimbjen për njerëzit e vrarë e të masakruar, për shtëpitë e rrënuara, për dëbimin nga trojet e veta. Më pas niseshin me kolona automjetesh për në qytete të tjerë. Por qyteti mbetej kurdoherë plot. Apartamentet e banorëve vendas ishin të tejmbushura, po ashtu shkollat, magazinat e braktisura etj. Aty kishin mbërritur gjithashtu edhe rreth 500 gazetarë të huaj.

Me porosi nga MPJ, më 29 mars 1999, i kërkova takim Drejtorit të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, Brunson Mackinley, i cili më dëgjoi me vëmendje të veçantë dhe më premtoi se do të bënte gjithëçka ishte në kompetencën e organizatës që drejtonte, për të lehtësuar gjëndjen e refugjatëve kosovarë.

Tre ditë më vonë, më 1 prill, i mbushur me shqetësim e dhimbje të thellë nga aktet e shumta të kësaj tragjedie që luhej me fatet e vëllezërve tanë të përtej kufirit, do t’i drejtohesha seancës plenare të KDNj, në atë që u quajt Debat special për Kosovën, duke thënë ndër të tjera se “Ajo që po ndodh sot në Kosovë nuk është një episod i izoluar dhe as i rastit. Është vazhdim i një politike konstante dhe i përpjekjeve të dështuara të Beogradit për të realizuar ëndrrën shekullore të qarqeve shoviniste serbe, spastrimin etnik në Kosovë. Është një nga aktet më të rënda në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, i cili që prej gjysmës së dytë të shekullit të kaluar ka qënë sistematikisht viktimë e shovinizmit serb. Siç jeni në dijeni, brenda një kohe shumë të shkurtër, mbi 500 mijë persona janë dëbuar nga Kosova. Mijëra të tjerë janë mbledhur në kampe përqëndrimi dhe mbahen peng në vende ku serbët mendojnë se do të jenë objekt i sulmeve ajrore të NATO-s. Sipas dëshmive të refugjatëve, qindra dhe ndoshta mijëra të tjerë janë vrarë egërsisht. Këto masakra çnjerëzore si dhe shkatërrimi total i qindra fshatrave dhe qyteteve shqiptare, që tregojnë vënien në jetë nga ana e Beogradit të politikës së tokës së djegur, përbëjnë një katastrofë humanitare në përpjestime të pashembullta. Ky është një nga aktet më të rënda në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, i cili që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar ka qenë sistematikisht viktimë e shovinizmit serb.”

Çmimi Nobel i Paqes për Kukësin?!

“Qyteti i Kukësit, gjatë kësaj krize, mbajti dhe përballoi barrën më të rëndë të pasojave të krizës… Në këtë qytet prej vetëm 15 000 banorësh, të mbidhjetëfishuar nga refugjatët kosovarë, nuk pati asnjë incident, asnjë grabitje, asnjë vrasje dhe asnjë akt tjetër të tillë, madje as në rrethinat dhe rrugët e rrënuara, gjatë transportit të të shpërngulurve kosovarë. Vetë qytetarët e Kukësit treguan një përkujdesje të veçantë në trajtimin e refugjatëve kosovarë, kujdes i cili i vuri pritë përhapjes së epidemive dhe vdekjeve… Shumë nëna kuksiane u kthyen në nëna edhe për shumë fëmijë të Kosovës, të ngelur jetimë pas masakrimit të prindërve të tyre nga forcat policore serbe. Gjatë kohës së krizës së Kosovës, qyteti i Kukësit u bë një simbol i gjallë i humanizmit dhe paqes.” Vlerësimet e mësipërme bëheshin në një letër që mban datën 5. 2. 2000, të cilën Kryeministri shqiptar i asaj kohe, z. Ilir Meta, ia drejtonte znj. Sadako Ogata. Nëpërmjet saj kërkohej ndërhyrja “pranë Komitetit të Institutit norvegjez të Çmimit “Nobel” për Paqen, për të përkrahur e mbështetur qytetit shqiptar verior të Kukësit si kandidaturë për dhënien e Çmimit “Nobel” të Paqes.”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kabineti i Kryeministrit na shkruan që të ndërhynim te organizatat ndërkombëtare në Gjenevë për t’iu kërkuar që edhe ato të lobonin në Komitetin e Institutit norvegjez të Çmimit “Nobel” për Paqen. I kërkova takim znj. Ogata, e cila më priti  menjëherë. Pasi iu referova përmbajtjes së letrës, i fola për “sakrificat e banorëve të Kukësit për pritjen dhe strehimin e refugjatëve kosovarë duke kryer kështu një akt të paprecedent në historinë e njerëzimit.” I kujtova se para disa vitesh, Çmimi “Nobel” i ishte dhënë një shqiptareje, Nënë Terezës, duke i theksuar se populli shqiptar i trashëgon këto virtyte fisnike. Banorët e Kukësit, pjesë e këtij populli, e meritojnë vlerësimin me këtë çmim.

Zonja Ogata më bëri të ditur se Kukësin dhe banorët e tij, kishte patur rastin t’i njihte gjatë vizitës që kishte bërë në atë qytet në kohën e luftës në Kosovë. Foli me admirim e simpati për humanizmin, bujarinë, mikpritjen dhe solidaritetin e tyre me refugjatët kosovarë, që meritojnë të vlerësohen me një çmim të tillë. Por shpjegoi se Komisariatit i vijnë me qindra kërkesa për mbështetje propozimesh për dhënie çmimesh të ndryshme që e vështirësojnë ndërhyrjen e saj dhe, në rast se do ta bënte një gjë të tillë, mund të krijonte komplikacione e precedentë të papëlqyer, megjithatë ajo premtoi se do të përpiqet ta bëjë një gjë të tillë në rrugë të tjera.

Kërkesën e kryeministrit shqiptar për mbështetjen e kandidaturës së Kukësit për Çmimin “Nobel” për Paqen, me nismën tonë, ia transmetuam në 5 mars 2000 edhe Drejtorit të Përgjithshëm të OIM, z. Brunson Mackiley, gjatë një dreke, ku merrte pjesë edhe zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i misionit amerikan Michael Arietti. Pranoi menjëherë, duke premtuar se do të ndërhynte energjikisht, por për të vepruar priste letrën e Kryeministrit. Gjatë drekës u bisedua gjerësisht rreth çështjes së Kosovës, krizës së rëndë në atë vend, kontributit të OIM, organizatave të tjera ndërkombëtare, Shqipërisë dhe vendeve të tjerë. Z. Mackinley, i karakterizuar nga ndjenja objektiviteti dhe paanshmërie, ishte takuar ato ditë në Bruksel me Bodo Hombah, drejtues i Paktit të Stabilitetit. Më njoftoi se kishte biseduar edhe rreth nismës së krijimit të një organizmi permanent rajonal dhe me këtë rast kishte propozuar kandidaturën e Tiranës për vendosjen e selisë së tij…

Mbështetje i kërkuam edhe Presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Jakob Kellenberger si dhe Presidentes së Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Dr. Astrid N.Heiberg.

Prof. Ksenofon Krisafi

OPINIONE