Kumbaro “modernizon” Butrintin me salcice të tymosura

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka bërë një hap pas në lidhje me skandalin e denoncuar nga Report Tv mbi ndërtimin që po kryhet brenda Parkut Arkeologjik të Butrintit. Pas denoncimeve të forta nga Report Tv, e cila ka faktuar me foto e video skandalin në zonën historike të trashëgimisë sonë kulturore, ministrja Kumbaro ka kërkuar ndërprerjen e punimeve, duke pezulluar punimet. Në një intervistë televizive këtë të shtunë, Kumbaro tha se ka pezulluar punimet për objektin në park për të sqaruar më parë të gjitha pyetjet dhe më pas për të vijuar punimet.

“Punimet kanë filluar që në muajin gusht. Por në fillim të kësaj jave unë kam kërkuar përmes një shkresë të ndalohen punimet për objektin në park (jo pezullim) me bindjen që vlen, se duhet të sqarohen të gjitha pyetjet, nga të gjithë faktorët, nga të gjithë aktorët dashamirës, apo dashakeqës, dhe kjo për një rëndësi që unë i jap transparencës dhe opinionit publik. Kur të shterohen të gjitha pyetjet do të vijohet me punimet. Punëtorët janë larguar, vetëm disa prej tyre po punojnë për mbulimin e sitit, për të mos u dëmtuar materialet nga agjentët atmosferikë”, tha ministrja Kumbaro.

Faktin se Parku i Mrekullueshëm i Butrintit mund të “tymoset nga salçiçet’, ministrja Kumbaro e quajti thjesht frikë të njerëzve, duke pohuar se në kontratë është e shkruar qartësisht, ku përcaktohet edhe pjesa estetike.

“Është qartësisht e shkruar në kontratë kjo gjë, ku përcaktohet dhe pjesa estetike. Unë e kuptoj frikën e njerëzve”, theksoi Kumbaro.

Ndërsa për sa i përket asaj që do të ofrojë kompania e salsiçeve në park, Kumbaro deklaroi: ‘Kompania në fjalë është një nga taksapaguesit e rregullt të shtetit shqiptar deri edhe tek linjat ushqimore të lehta, këtë gjë e bën në një kontratë të rreptë shërbimi siç është kjo. Do të jenë linjat të lehta ushqimi dhe pije të lehta’.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne