Kundërshtarët e regjimit të Sisit përballen me trajtime çnjerëzore dhe me shkelje të të drejtave

Një artikull i botuar në agjensinë Sada, një platformë e lidhur me Carnegie International, ka zbuluar se Egjipti jo vetëm që i ekzekuton disidentët, por gjithashtu kryen vrasje pa gjyq dhe u neglizhon trajtimin mjekësor.

Egjipti ka qenë gjithmonë një vend lider në botën arabe, qoftë në kontekstin politik, qoftë në atë ekonomik. Nismat e Egjiptit gjatë ngritjes së shtetit të Izraelit çuan në luftërat arabo-izraelite, megjithëse këto luftëra përfunduan kur Egjipti nënshkroi një marrëveshje paqeje. Ngjashëm me këtë, revolucioni në Sheshin Tahrir i vitit 2011 ndezi shpresat në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, por zjarri i shpresës nuk u mbajt ndezur për një kohë të gjatë. Ndërsa shtetet e Gjirit dhe SHBA-ja mbështesin me padurim regjimin aktual dhe akuzojnë grupe të caktuara si Vëllazëria Myslimane për rënien e stabilitetit, grupet e të drejtave paralajmërojnë se shkeljet e të drejtave të njeriut janë bërë sot në vend më të përhapura se kurrë.

Në vitin 2013, ministri i atëhershëm i mbrojtjes Abdel-Fattah el-Sissi drejtoi një grusht shteti të përgjakshëm ushtarak, duke rrëzuar presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt, Mohammad Morsin. Që atëherë, ka filluar një goditje e ashpër ndaj disidentëve, jo vetëm ndaj Vëllazërisë Myslimane, por edhe ndaj kujdo që kundërshton Sisin. Referendumi i fundit kushtetues i muajit të kaluar hapi rrugën që Sisi të mbetet në pushtet deri në vitin 2030. Pavarësisht nga lufta e vendit për përmirësimin ekonomik, shkeljet e të drejtave të njeriut janë bërë alarmante.

Në fund të shkurtit, autoritetet egjiptiane ekzekutuan nëntë vetë bazuar në akuzat se ata ishin përgjegjës për vrasjen e Prokurorit të Përgjithshëm egjiptian Hisham Barakat. Disa grupe të të drejtave, përfshirë Amnesty International dhe Kombet e Bashkuara, thanë se gjyqet nuk ishin të drejta dhe se të pandehurit ishin detyruar që ti bënin rrëfimet e tyre nën tortura. Regjimi egjiptian është përballur me kritika të ngjashme që nga koha kur ndodhi grushti i shtetit, në fund të të cilit regjimi i ri dënoi qindra njerëz me vdekje.

Për shkak se regjimi egjiptian e dinte se do të kishte kritika të ashpra për ekzekutimet, ai në masë të madhe i është shmangur zbardhjes së aktgjykimeve. Në vend të kësaj, numri i vrasjeve pa gjyq dhe i zhdukjeve është rritur në mënyrë dramatike në vend. Në një artikull të Maged Mandour të botuar nga Sada, një platformë online e lidhur me Carnegie International, Qendra Nadeem për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës dhe Torturës raportoi: “Në vitin 2015, ka pasur 464 raste të zhdukjeve me dhunë, duke arritur në 980 raste në vitin 2016.” Duke nënvizuar rritjen e vrasjeve pa gjyq, autori thotë, “Ndërsa numri i ekzekutimeve zyrtare u zvogëlua nga 44 në vitin 2016 në 32 në 2018, numri i vrasjeve pa gjyq u rrit në mënyrë dramatike”. Policia egjiptiane pohon në përgjithësi se këta njerëz kane vdekur si pasojë e incidenteve me shkëmbime zjarri, por autori citon dëshmitarë okularë që pretendojnë se: “Këto incidente me të shtëna armësh janë të fabrikuara dhe fotografitë e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë në përputhje me të dhënat e policisë. Në të kundërt nga versioni i forcave të sigurisë, këto fotografi tregojnë se viktimat kanë vdekur nga ekzekutime të afërta, dhe pas vrasjeve janë zhvendosur nga vendi.”

Grupet e të drejtave të njeriut gjithashtu përmendin kushtet nëpër qendrat e ndalimit ku kujdesi mjekësor dhe të ushqyerit janë të pamjaftueshme. Autori beson gjithashtu se forcat e sigurisë egjiptiane i privojnë me qëllim të burgosurit nga ushqimi në mënyrë që ata të vdesin nga uria. “Për shembull, në vitin 2015 Qendra Nadeem dokumentoi 81 raste të vdekjeve në qendrat e paraburgimit për shkak të neglizhencës mjekësore, të ndarë nga 137 të tjerë që ata i shënuan se ishin vrarë drejt përdrejt brenda qendrave të paraburgimit. Ky numër mbeti i qëndrueshëm me 80 raste në vitin 2016. Para kësaj, ka pasur 170 raste të dokumentuara të vdekjeve për shkak të neglizhencës mjekësore duke filluar nga korriku 2013 deri në maj 2015. Trendi ka vazhduar me shtatë të burgosur që vdiqën nga neglizhenca mjekësore vetëm në janar 2019”, thuhej në artikull./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne