“Kurti duhet të jetë më fleksibël”, deputeti i PDK flet për bisedimet: Asnjë nga palët nuk është e interesuar për marrëveshje. Situata në Veri bombë e kurdisur

Deputeti i PDK Xhavit Haliti ka folur sot për bisedimet Kosovë-Serbi si dhe situatën në veri të vendit.

Haliti deklaroi se të dyja palët nuk janë të interesuara për marrëveshje dhe se kundërshtitë janë të panevojshme kur dihet se Kosova është e detyruar ta zbatojë. Sipas tij, Kurti duhet të jetë më fleksibël.

“Unë besoj që të dy palët nuk janë të interesuara të arrijnë marrëveshjen për të cilën janë zotuar në Ohër dhe marrëveshjet për të cilat janë angazhuar.
Janë të panevojshme kundërshtitë. Z.Kurti nuk duhet të kundërshtojë kaq shumë një vendim që është i detyruar ta zbatojë.
Nuk besoj që ka goditje të organizuar në variantin e tillë (Që thotë Kurti). Ndoshta ata ia kanë prishur dëshirën për atë që kërkon Kurti për njohjen e Kosovës de fakto. Marrëveshja ka disa pika për të cilat duhet të merren vesh. Kurti duhet të jetë më fleksibël. Mendoj që të ketë masa të tjera”, tha Haliti.

Ai tha më tej se Kosova nuk duhet të mbetet fajtore për moszbatimin e marrëveshjes.
“Nga informatat që kam unë besoj se nuk e ka biseduar me askënd procesin. Ne nuk duhet të mbesim fajtorë asnjëherë për moszbatimin e marrëveshjes. Kosova nuk është e rrezikuar nga askush sepse Serbia nuk e ka guximin të kalojë kufirin për veprime pushtuese. Nëse është kështu pse duhet të bëhet pengesë Kosova për zbatimin e marrëveshjeve që ka rënë dakord.
Nuk ka nevojë të çojë projekt z.Kurti dhe as Vuçiç, marrëveshja është e gatshme. Mendoj që varianti i pranueshëm që është pranuar dhe nga ndërkombëtarët është që asociacionit të mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kjo është ajo që ka kundërshtuar Gjykata Kushtetuese për ato gabime që ka marrëveshja e Brukselit, duke kërkuar që të përmirësohet teksti”, deklaroi deputeti i PDK-së.

Sa i përket qëndrimeve të Ramës, Haliti tha se politika e Shqipërisë ka qenë gjithmonë dhe duhet të mbetet gjithmonë me politikat e Kosovës. “Në kuptimin jo për të miratuar gjithçka nga Kosova, por do duhej që politika e Kosovës dhe e Shqipërisë me qenë një. Çdo hap që hidhet e njërit pa tjetrin është i gabuar. Kosova ka nevojë për mbështetjen e mëtejshme nga Shqipëria. Nëse nuk kemi mbështetjen e Shqipërisë, atëherë ku mund ta gjejmë”, tha ai.
Në lidhje me situatën në veri të Kosovës, Haliti deklaroi se veriu i Kosovës është një bombë e kurdisur, ndoshta dhe më herët për shkak dhe të gabimeve të politikave në Kosovë. “Kanë shkuar forca të ndryshme të shërbimeve të Serbisë. E kanë mbushur me armatim plot veriun e Kosovës, me idenë që ndoshta zhvillimet në Ukrainë dhe zhvillimet e tjera në Kosovë mund të sillnin një përplasje që Veriu i Kosovës të ndahej”, tha ai./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne