Kurti kërkon zgjedhje në Kosovë: Po mbahen në gjithë Europën. Gjykata Kushtetuese vendos pas pesë ditësh

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kërkon zgjedhje në muajt e ardhshëm dhe sa më shpejt ndërkohë që Gjykata Kushtetuese pas pesë ditësh vendos nëse qeveria e re LDK- AAK- Nisma është legjitime apo jo.

Kurti thotë se Kosova po ia del me koronavirusin, dhe duhen zgjedhje si në Europë pasi po vendoset në pikëpyetje demokracia.

Ai shprehet se nuk ka ngërç institucional në Kosovë, por vetëm mospajtime që kanë zgjidhje, dhe zgjidhja sipas Kurtit janë zgjedhjet e parakohshme.

STATUSI NGA ALBIN KURTI

Ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashton zgjedhjet

Sot u bënë dy muaj nga mocioni i mosbesimit. Më 25 mars krizës shëndetësore iu pat shtuar edhe ajo politike. Mirëpo, ne po ia dalim. Dje ishte dita e parë, që nga 13 marsi, pa të infektuar me virusin Corona.

Ngërç institucional? Nuk është e vërtetë. Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht.

/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne