Muslimanët në dy qytete të Sirisë shënojnë në paqe Bajramin

Muslimanët në dy qytete në veri të Sirisë, të cilat u pastruan nga terroristët përmes operacionit “Burimi i Paqes” të Turqisë, të dielën festuan Fitër Bajramin duke shënuar fundin e Ramazanit në paqe.

Mijëra njerëz u kthyen në Tal Abyad dhe Ras al-Ayn, dhe derisa ka shtëpi dhe biznese që u dëmtuan rëndë nga lufta civile, në rrugë kishte një gjallëri.

Përveç ushtarëve turq, ushtarët e Ushtrisë Kombëtare Siriane janë duke garantuar sigurinë në qytete.

“Ne e festojmë këtë Bajram me një lumturi tjetër. Allahu na dha një Ramazan paqësor pas nëntë viteve luftë”, tha Mosa Homaini nga Tal Abyad, duke nënvizuar mbështetjen e Turqisë për të vendosur paqen në rajon.

Ndërkaq, Halil Askah tha se ai plotësoi nevojat e familjes së tij 12-anëtarëshe gjatë Ramazanit me ndihmën e dërguar nga Turqia.

“Ne besojmë se do të kemi festë të mirë pas një muaji të agjërimit paqësor, sepse rajoni ynë tani është i sigur”, tha ai, duke falënderuar Turqinë për mjedisin paqësor.

Osman Taacci, i cili u kthye në Ras al-Ayn pasi qëndroi gjashtë vjet në Turqi, tha se ata kanë pasur një Ramazan të qetë për herë të parë në vite dhe janë duke festuar Bajramin me dashuri dhe entuziazëm.

Tal Abyad dhe Ras al-Ayn u pastruan nga terroristët gjatë operacionit “Burimi i Paqes”, i cili u nis më 9 tetor të vitit 2019.

Aksioni ushtarak u iniciua për të eleminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat, për të siguruar kufijtë e Turqisë, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të siguruar integritetin territorial të Sirisë.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega e saj në Siri./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne