Kurti nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme por shtrëngon masat, Thaçi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar kushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qarkullimit të qytetarëve pa shpallur më parë gjendjen e jashtëzakonshme në vend.

“Ju informoj se duke marrë parasysh rrethanat e reja të krijuara pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendim antikushtetues, si president i vendit duke respektuar në tërësi kompetencat kushtetuese dhe ligjore kam vendosur t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese në kërkesë për interpretim të çështje së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”, tha Thaçi.

Edhe pse gjendja e jashtëzakonshme është kërkuar me ngulm nga kreu i shtetit dhe nga aleati i koalicionit të Kurtit, Isa Mustafa sërish qeveria nuk e ka marrë një vendim të tillë duke e cilësuar si të paarsyeshëm.

Megjithatë masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë janë marrë pasi komunat që kanë pasur të infektuarit janë izoluar, ndërsa nga sot ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 10:00 e deri në orën 16:00, si dhe prej orës 20:00 e deri në orën 06:00.

Në orët kur mundësohet lëvizja në rrugë, më shumë se dy persona nuk do të lejohet të lëvizin së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.
Këto masa u kundërshtuan pak minuta pasi u vendosën në qeveri nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se kufizimi i lirisë së lëvizjes mund të bëhet vetëm nëse paraprakisht shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

“Nisur nga konfuzioni i krijuar, sot qytetarët janë detyryar që të dalin në mëngjes e të furnizohen, duke shkaktuar tollovi. Ajo tollovi janë rrethana të reja , sepse i ka frikësuar dhe i ka detyruar qytetarët për të dalë në mënyrë urgjente”, është shprehur Thaçi lidhur me masat e marra.

Ndërkohë që palët prej kohësh kanë përplasje me njëri-tjetrin. Më 17 mars, presidenti Thaçi propozoi një dekret për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila tha se do t’i dërgohet kuvendit për miratim. Dekret që u mbështet edhe nga Mustafa, por u kundërshtua me forca nga kryeministri.

Më pas Kurti shkarkoi Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme duke e akuzuar se përhapi panik tek qytetarët, vendim që nuk u prit fare mirë nga Lidhja Demokratike e Kosovës – parti në koalicionin qeverisës, e cila ka nisur punën për nënshkrimin e një mocion mosbesimi për ta shkrirë qeverinë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne