Kurz: Të sigurojmë kufijtë dhe të luftojmë kundër trafikantëve

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, porositi sot nga Budva se shtetet e Ballkanit Perëndimor ndihmuan Bashkimin Evropian (BE) në ndalimin e migrantëve për të hyrë në shtetet e tyre, por se kufijtë doemos duhet të sigurohen dhe se të gjitha shtetet duhet të luftojnë kundër trafikimit të migrantëve.

Kurz, i cili merr pjesë në konferencën për ekonominë që mbahet në Budva, në pyetjen që të komentojë për problemin me migrantët në kufirin mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë, tha se falënderon shtetet e Ballkanit Perëndimor për mbështetjen.

“Kemi patur vështirësi në vitin 2015, 2016 dhe 2017 për shumë vende në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndihmuar për të siguruar kufijtë e tyre, ata kanë ndihmuar në përshpejtimin e procesit të mbylljes së rrugës ballkanike drejt BE-së. Por presim nga vendet e Ballkanit Perëndimor të qëndrojnë të përkushtuar ndaj partneritetit dhe të punojmë së bashku për të ndaluar migrimin ilegal”, tha Kurz.

Ai theksoi se “si qeveri duhet t’u lejojmë migrantëve të hyjnë në BE, e jo të jenë kontrabandistët ata që do të vendosin”.

“Kjo do të thotë që ne duhet t’i sigurojmë kufijtë dhe duhet të luftojmë së bashku kundër kontrabandistëve. Prandaj unë jam shumë mirënjohës, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten partnerët tanë”, tha Kurz.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne