Hetimet për Khashoggin, merren deklaratat e 38 punonjësve të konsullatës

Në kuadër të hetimeve lidhur me vrasjen e gazetarit saudit të “Washington Post”, Jamal Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ka përfunduar procesi i marrjes së deklaratave të 38 punonjësve të konsullatës në mesin e të cilëve janë edhe shoferë dhe punonjës të mirëmbajtjes teknike, kontabilitetit dhe telefonisë.

Prokuroria Publike në Stamboll, përkatësisht Byroja për Terrorizëm dhe Krimet e Organizuara vazhdon hetimin në lidhje me vrasjen e Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll.

Procesi i marrjes së deklaratave të punonjësve të konsullatës filloi të premten e javës së kaluar. Në kuadër të kësaj janë marrë deklaratat e 38 punonjësve në cilësinë e “dëshmitarit”.

Dëshmitarët kanë shkuar në Pallatin e Drejtësisë në Stamboll dhe kanë dhënë deklaratat e tyre te prokurorët e përcaktuar nga Byroja për Terrorizëm dhe Krimet e Organizuara të Prokurorisë Publike në Stamboll.

Mësohet se përveç tyre, 5 persona ende nuk kanë dhënë deklaratë.

Punonjësit janë pyetur për atë se “a ka ndodhur ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme në ditën që ndodhi rasti, a kanë parë Jamal Khashoggin i cili ka shkuar edhe më parë në konsullatë dhe 15 personat që kanë shkuar nga jashtë dhe se për sa vite janë duke punuar në konsullatë”.

– Ngjarja

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.

Në vlerësimet e bëra nga burimet policore ishte konfirmuar se Khashoggi nuk ka dalë nga kompleksi i konsullatës, ndërkaq ishte përcaktuar se në orë të njëjta në ndërtesën e konsullatës kanë mbërritur 15 qytetarë sauditë, përfshirë edhe zyrtarë, të cilët më pas janë kthyer në vendet nga kishin ardhur.

Në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria Publike në Stamboll, nën koordinimin e një zëvendës kryeprokurori dhe të një prokurori, ishin kryer hetimet në kompleksin e konsullatës dhe në rezidencën e konsullit saudit në Stamboll, Muhammed el Uteybi, i cili ishte larguar nga Turqia.

Pas disa ditëve të mohimit se nuk dinë asgjë për fatin e Khashoggit, Arabia Saudite më 20 tetor pohoi se Khashoggi është vrarë gjatë një zënke brenda konsullatës.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne