Kushner mohon lidhjet me Rusinë

Dhëndri i presidentit Donald Trump ka deklaruar se as ai dhe askush tjetër në stafin elektoral të Trump nuk kanë patur lidhje me zyrtarë rusë për manipulimin e zgjedhjeve.

Jared Kushner deklaroi se nuk ka kontakte të dyshimta dhe se nuk është mbështetur në fonde ruse për të financuar aktivitetet e tij sipërmarrëse. Kushner mbajti fjalimin e tij përpara se të niste seanca e marrjes në pyetje nga një panel i Senatit amerikan ditën e hënë. Senati, Shtëpia e Bardhë dhe një këshill i posaçëm po hetojnë ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar. “Unë nuk jam përlyer dhe nuk njoh askënd tjetër që gjatë fushatës të jetë përlyer me qeveri të huaja. Sa u takon kontakteve të mia me Rusinë ose përfaqësues rusë gjatë fushatës, mund të them se zor se ka patur”, tha Kushner. Megjithatë, bashkëshorti i Ivanka Trump bëri një deklaratë kontradiktore në fund të fjalimit, kur foli për “ndoshta katër kontakte me zyrtarë rusë”, gjatë dhe pas fushatës elektorale. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ai iu referua takimeve me avokaten ruse Natalia Veselnitskaya në qershor të vitit të kaluar. Flitet se ajo u ka ofruar njerëzve të Trump informacione në dëm të kandidates rivale Hillary Clinton./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne