Kuvajt, deputetët thirrje qeverisë t’u ndihmojë ujgurëve dhe muslimanëve të Indisë

Ligjvënësit e Kuvajtit i kanë bërë thirrje qeverisë së tyre të ndërhyjë për të ndaluar përndjekjen e muslimanëve në Turkistanin Lindor dhe Indi.

Një grup prej 27 deputetësh nënshkruan një deklaratë në të cilën ata theksuan solidaritetin me muslimanët Ujgurë përballë fushatës sistematike të Kinës kundër komunitetit të tyre.

Kina është akuzuar për zbatimin e politikave represive kundër komunitetit musliman dhe kufizimin e të drejtave të tij fetare, tregtare dhe kulturore.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të OKB-së, deri në një milion njerëz, ose rreth 7 për qind e popullsisë muslimane në rajonin Xinjiang, janë burgosur në një rrjet gjithnjë e më të madh të kampeve të “riedukimit politik”.

Në një raport në shtatorin e kaluar, Human Rights Watch akuzoi Pekinin për zbatimin e një “fushate sistematike të shkeljeve të të drejtave të njeriut” kundër muslimanëve Ujgurë në Xinjiang.

Ndërkohë, ligjvënësit kuvajtianë shprehën po ashtu shqetësime për kufizimet e fundit kundër muslimanëve në Indi.

Në Indi kanë shpërthyer protesta kundër një ligji të ri që u jep shtetësinë hindusëve, parsive, sikëve, budistëve, xhainistëve dhe të krishtërve, por jo edhe muslimanëve, të cilët kanë migruar nga Afganistani, Bangladeshi dhe Pakistani.

Aktivistët e kanë cilësuar ligjin si diskriminues, nga frika se ai ka për qëllim privimin e muslimanëve iindianë nga të drejtat e tyre. Megjithatë, kryeministri Narendra Modi ka hedhur poshtë pohimet./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne