Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë hedh poshtë rezolutën e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së

Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë miratoi një rezolutë me të cilën dënoi, mohoi dhe e vlerësoi si të pavlefshme rezolutën e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) kundër Turqisë.

Në rezolutën e miratuar në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë thuhet: “Kuvendi i Turqisë dënon dhe mohon përvetësimin e tezave të ngritura nga disa qarqe në kontekstin e pretendimeve për gjenocid armen nga Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së duke i shndërruar ato në një vendim përkundër kundërshtimeve të anëtarëve me arsye dhe ndërgjegje të shëndoshë”.

Në rezolutë në mes tjerash thuhet se ka pasur nisma të ngjashme edhe gjatë viteve të kaluara dhe se votat në Dhomën e Përfaqësuesve nuk u pasqyruan në këtë mënyrë armiqësore.

Theksohet se ajo që ka ndryshuar gjatë periudhës së kaluar nuk janë dokumentet e historisë, por mentaliteti i turpshëm politik i mbingarkuar në llogaritë e sotme të interesit të vogël, ndërsa thuhet se kjo është një iniciativë e hapur për të errësuar të vërtetat historike.

Në mes tjerash bëhet e ditur se Turqia përballë këtyre pretendimeve çdoherë ka mbrojtur qëndrimin për hapjen e arkivave duke thënë se kjo është detyrë e historianëve dhe theksohet se përpjekjet e tilla të pakuptimta për të degjeneruar politikën kanë potencial të urrejtjes.

“Një rezolutë tjetër e Dhomës së Përfaqësuesve me kërcënime për vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë për shkak të Operacionit ‘Burimi i Paqes’ nuk është gjë tjetër veç se një iniciative për shantazh”, u tha në rezolutë ndërsa bëhet e ditur se “Turqia kurrë nuk i është gjunjëzuar shantazheve dhe pronarët e politikës përkatëse do të informohen që kjo rezolutë refuzohet me forcë”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne