Lajmi i fundit/ Policia izraelite sulmon imamët e Xhamise al-Aksa

Policia izraelite bastisi Kupolën e Shkëmbit (Kubetus’s Sahra) brenda kompleksit Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, sulmoi imamët dhe punonjësit e xhamisë dhe mbylli të gjitha portat e kësaj faltoreje të shenjtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Policët izraelitë janë futur në kompleks dhe krahas imamëve, kanë sulmuar edhe personat që ishin brenda për të kryer ritet fetare, tha në një deklaratë për mediat Firas Dibs, zëdhënësi i Autoritetit të Vakëfeve Islame të Kudsit, organ nën kompetenca të Jordanisë që kujdeset për Al-Aksanë.

Dibs tha se Vasif el-Bekri, kreu i Gjykatës Sheriatike të Kudsit dhe Kadiu Kryesor i Autoritetit të Vakëfeve Islame, si dhe Omar al-Kisvani, drejtori i Vakëfit të Mesxhid al-Aksasë, janë goditur nga ana e policisë izraelite, ndërsa shtoi se tensionet në Aksa janë rritur.

Dibs kërkoi mobilizim emergjent për faltoren e shenjtë dhe tha se aktualisht të gjitha portat e saj janë mbyllur.

Në ndërkohë, fotografitë dhe videot e publikuara nga autoriteti i vakëfeve tregojnë se shumë policë izraelitë duke vrapuar në oborrin e kompleksit Al-Aksa dhe përreth Kupolës së Shkëmbit.

Autoriteti i vakëfeve po ashtu ndau me mediat fotografitë të cilat tregojnë arrestimin e tre palestinezëve nga ana e policisë izraelite.

Sipas dëshmitarëve okularë, nga postblloku policor brenda Aksasë është vërejtur tym, por arsyet e tij ende ngelin të panjohura.

Ata thanë se policia ka bastisur Kupolën e Shkëmbit duke pretenduar se disa të rinj i kanë sulmuar me fishekzjarre.

Helikopterët e policisë izraelite ka vazhduar të patrullojë në rajonin e Qytetit të Vjetër, ku gjendet Mesxhid al-Aksa, ndërkohë që tensionet në kompleksin e shenjtë ende vazhdojnë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne