Shqiperia

Lan duart me biznesmenin Bashkim Ulaj. Ministrja Balluku nis pastrimin e vendngjarjes

Pas drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci, i cili dha dorëheqjen, sot është shkarkuar drejtori i Autoritetit të Rrugëve, Afrim Qendro. Ministrja e re e Infrastrukturës, një njeri shumë i afërt i kryeministrit Edi Rama, ka marrë përsipër detyrën e pastrimit të rrënojave të Damian Gjiknurit sidomos me predhën e rëndë të mashtrimit të kompanisë DH Albania në prokurimin e Lotit i të Unazës së Madhe. E njëjta kompani kishte fituar tender edhe me OST-në duke krijuar dyshime të mëdha se ishte klient i preferuar nga Lart.

Nisur nga ajo që tashmë është thuajse e konfirmuar, pas DH Albania qëndronte biznesmeni Bashkim Ulaj, pronar i Gener 2 dhe televizionit A2. Mesa duket zoti Rama po fshin gjurmët e çdo marrëdhënieje me zotin Ulaj në aferën e Unazës duke i hequr atij edhe koncesionin e rrugës Thumanë – Kashar, e cila siç e di shumë shumë mirë zoti Rama dhe për këtë ka dokumente shkresore dhe komunikime zyrtare SHUMË EKSPLICITE , është një projekt i dëshiruar prej tij dhe ndoshta i adresuar prej tij apo njerëzve afër tij drejt kompanisë në fjalë.

Përtej kësaj, formalisht qeveria po na thotë se ajo po largon dy zyrtarë që lejuan një kompani të mashtrojë duke shpallur se faji iku me Gjiknurin. Por a do ta mbajë dot këtë standard ministrja e re?

Ish – ministri Gjiknuri deklaroi pak pas skandalit me DH Albania se verifikimi i dokumentacionit të një kompanie është fakultativ pasi i lihet asaj përgjegjësia. Gjiknuri madje shtoi se do të kishte ndryshime ligjore për të eliminuar këtë problem që është i përhapur. Pra, a do të kontrollohen këtë e tutje dokumentet e çdo kompanie fituese? Mbetet për t’u parë ndërkohë që Pilati i Tiranës po lan duart me biznesmenin Ulaj me të cilin siç unpa nuk qullosi dot gjë.

OPINIONE