Lavrov: Është e papranueshme një luftë në Gadishullin Korean

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se është i papranueshëm fillimi i luftës në Gadishullin Korean, raporton Anadolu Agency (AA).

Lavrov foli në një konferencë shtypi, të organizuar në margjinat e sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York.

“Janë të papranueshme kërcënimet nga të dyja palët si dhe nisja e luftës në Gadishullin Korean. Duhet të zbusim zemërimin”, tha Lavrov i pyetur për rritjen e tensioneve midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut, pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se do të “shkatërrojë tërësisht Korenë e Veriut”.

Ministri rus deklaratat kërcënuese të presidentit Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un i ka quajtur “grindje e fëmijëve parashkollorë”.

Ai beson se disa vende neutrale evropiane mund të luajnë rolin e ndërmjetësit në zgjidhjen e krizës me Korenë e Veriut.

I pyetur nëse do të rihapen negociatat për marrëveshjen rreth programit bërthamor me Iranin, Lavrov tha se “Rusia nuk dëshiron të flasë sërish për marrëveshje për programin bërthamor”.

Ai gjithashtu foli edhe për zhvillimet në Siri dhe tha se prioritet është t’i jepet fund terrorizmit në Siri dhe se kjo kërkon bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Rusisë. “Nuk duhet të lejojmë ndarjen e Sirisë, ndarja e Sirisë do të pasqyrohet në të gjithë Lindjen e Mesme”, tha kreu i diplomacisë ruse.

Duke folur për çështjen izraelito-palestineze, Lavrov tha se është shqetësues problemi i cili nuk është zgjidhur pothuajse 70 vjet. “Palestinezët ende nuk kanë shtet”, ka thënë Lavrov./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne