Të dashur shqiptarë anembanë botës, të dashur vëllezër të Kosovës,
Ditën e djeshme ka ndodhur një nga skandalet më të mëdha pas 27 vjetësh të çlirimit të Kosovës! Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e njohur si OVL, është vënë në dispozicion të dy njerëzve më antishqiptarë që ka toka, Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke nxjerrë dokumente të vërteta e të pavërteta për të sulmuar ish-ushtarin Dritan Goxhaj, me pretendimin se herë ai nuk ka qenë ushtar i UÇK-së e herë ka qenë mercenar (ushtar me pagesë).
Ata kanë publikuar një letër, sikur janë disa pagesa, që nuk janë pagesa mercenarësh. Por nga idiotësia e tyre, e pavetëdijshme ose e qëllimshme, në krye të asaj letre të publikuar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në krye të listës është emri i Heroit të Kombit, legjendarit Tahir Sinani, një nga heronjtë më të dashur të Kombit Shqiptar pas Adem Jasharit e Zahir Pajazitit!
Pra, OVL-ja ose Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e vënë në dispozicion të Edvin Ramoviçit, na thotë me këtë letër se Heroi i Kombit, Tahir Sinani, paska qenë ushtar mercenar në Kosovë!
Është turpi më i madh që ka ndodhur 27 vite pas çlirimit të Kosovës!
Dua t’i kujtoj Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se Edvin Kristaq Rama është njeriu më antikosovar që ka pasur ndonjëherë historia e Kombit Shqiptar!
Babai i tij, Kristaq Rama, ka qenë pjesë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, pjesë e sistemit të diktatorit Enver Hoxha, i cili është vënë në krye të Shqipërisë me ndihmën e Serbisë.
Dua t’ju kujtoj OVL-së dhe gjithë vëllezërve të Dardanisë se babai i Edvin Ramës, Kristaq Rama, është firmëtari i varjes së poetit të kombit, Havzi Nela, nga sistemi komunist!
Dua t’ju kujtoj OVL-së dhe gjithë vëllezërve tanë shqiptarë të Dardanisë se Edvin Rama, nga dita që ka ardhur në pushtet, ka punuar kundër interesave të Kosovës.
1. Projekti për ndarjen e Kosovës dhe përplasja me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, sepse nuk pranonte të ulej në tryezë me Aleksandër Vuçiqin për marrëveshje për copëtimin e Kosovës.
2. Presioni dhe kërkesat e shumta ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për të votuar Gjykatën e Hagës për krime lufte në Kosovë, në interes të Serbisë, ku sot vetë Hashim Thaçi është i akuzuar.
3. Vizitat dhe takimet e shpeshta vëllazërore me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në dëm të Kosovës.
4. Marrëdhëniet e ftohta dhe sulmet e vazhdueshme ndaj ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, po ashtu siç ka bërë më parë me komandantin Ramush Haradinaj.
5. Mashtrimi dhe tradhtia ndaj Kosovës për Portin e Shëngjinit, që më parë ishte firmosur nga qeveria e mëparshme shqiptare për të qenë port i Kosovës, por Edvin Rama e anuloi.
6. Rruga e Kombit, e ndërtuar nga vetë populli shqiptar dhe e paguar me taksë speciale; vendosja e traut me pagesë për vëllezërit tanë të Dardanisë.
7. Organizimi për të formuar Ballkanin e Hapur, për ta bërë Serbinë superfuqi në Ballkan dhe që Serbia të arrinte ëndrrën e saj shumë shekullore për të pasur dalje në detin shqiptar, përmes Portit të Shëngjinit, pra atij porti që më parë ishte planifikuar t’i jepej Kosovës.
8. E dini ju se populli shqiptar i Shqipërisë prej 13 vitesh konsumon miell të ardhur nga Serbia, madje sipas pretendimeve edhe jashtë standardeve të Bashkimit Europian? Ky biznes është negociuar mes shtetit shqiptar dhe biznesit serb nga Baton Haxhiu, i cili, sipas pretendimeve, merr përqindje nga kjo tregti. Qindra miliona euro i shkojnë Serbisë çdo vit për miellin.
Kam plot e plot pika të tjera, por besoj se këto janë të mjaftueshme që OVL-ja e Kosovës ta kuptojë pse ai shesh në Tiranë është i mbushur çdo ditë me qindra mijëra të rinj që kërkojnë largimin e kryeministrit Edvin Kristaq Rama.
Ju, duke i shërbyer Edvin Ramoviçit, dolët në sulm ndaj një protestuesi që quhet Dritan Goxhaj, i cili në atë protestë ka folur si mijëra protestues të tjerë. Nuk ka folur as në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, as si përfaqësues i ndonjë subjekti fetar apo politik, siç jeni munduar ta paraqisni.
Dritan Goxhaj nuk është pjesë e organizimit të protestës në Tiranë; është thjesht një qytetar si qindra e mijëra qytetarë të tjerë që protestojnë për hallet dhe vuajtjet e tyre.
Dritan Goxhaj nuk ka dalë kurrë me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në protestë, ndonëse edhe sikur ta bënte, për ju duhet të ishte krenari, sepse çfarë ka më të bukur sesa flamuri i UÇK-së të valëvitet në duart e qindra mijëra të rinjve shqiptarë në zemër të Shqipërisë, në Tiranë.
Disa muaj më parë ju keni bërë një organizim në Tiranë në mbështetje të çlirimtarëve që ndodhen në burgun e Hagës. Dritan Goxhaj ishte aty me ju. Ishin me mijëra shqiptarë të ardhur nga treva të ndryshme të Shqipërisë që valëvitnin flamurin e UÇK-së.
Pse atëherë nuk i thatë Dritan Goxhajt: “Largohu nga këtu, se ti je agjent iranian dhe nuk ke qenë ushtar i UÇK-së”? Dritan Goxhaj ka mbi 20 vjet që ftohet në televizione si ish-ushtar i UÇK-së. Pse nuk dolët asnjëherë ta përgënjeshtroni?
Por dje, kur ai as nuk foli për UÇK-në dhe as nuk doli aty si ushtar i UÇK-së, ju u vutë në shërbim të Edi Ramës.
Pesë pikat që Dritani lexoi në atë podium, që ishin kërkesat e shumë shqiptarëve për një Shqipëri demokratike si gjithë Europa, nuk kishin asnjë lidhje me ju apo me Kosovën, por kishin lidhje me shtetasit e shtetit shqiptar që jetojnë në Shqipëri.
Kujt i ka penguar flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në sheshin e Tiranës? Vetëm një njeriu: Aleksandër Vuçiqit, presidentit të Serbisë. Siç ka ndodhur edhe herë të tjera në stadiume apo evente ndërkombëtare, ku Serbia ka kërkuar largimin e atij flamuri.
Prandaj ju bëj lutje Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dalë dhe t’i kërkojë falje familjes së Heroit të Kombit, Tahir Sinani, si dhe të gjithë atyre ish-ushtarëve që kanë emrin në atë listë, disa prej të cilëve mund të mos jenë më gjallë sot.
T’u kërkojë falje qindra mijëra protestuesve që dalin çdo ditë në atë shesh dhe që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, si dhe ndalimin e shpopullimit të Kombit Shqiptar.
Dhe drejtuesit e zyrës së OVL-së, nëse u ka mbetur një pikë sedër apo fytyrë, duhet të japin dorëheqjen sot.
Uroj ta merrni sinqerisht dhe ta lexoni disa herë letrën time e të reflektoni.
Përzemërsisht,
Një vëlla nga Malësia e Madhe, Shqipëri
Sokol Tatiçaj🇦🇱
Shperndajeni sa ma shum ju lutemi! Tu shkojne kjo leter ne veshin e presonave pergjegjes!/Kosovapost.net



















