Letër e hapur Nr. 2 për Sh. S. Madam Ambasadoren Kim

nga Gjergji Thanasi

 

E nderuara Madam Ambasadore

Letrën time numër dy drejtuar Shkelqesisë Suaj po e nis me një falenderim. Ashtu sic edhe ju informova këta rilindasit janë frikacakë në ekstrem, kështu që e hanë shumë presionin. Pasi unë ju shkrova letrën e parë, numëruesit rilindas me urdhër të shefave të tyre nga 3 vota më shkruan plot 5 vota në tërë Qarkun Durrës. Ju falenderoj, sepse tashmë ju më kursyet pagesën e një dreke me peshk e verë “ Barone Ricasoli” për personin e tretë, që më kishte votuar. Meqenëse kam marrë jo 3 por 5 vota, e shoh të udhës që votuesit të tretë pro meje të mos ia jap atë drekën me peshk, për të cilën ju informova në letrën e parë. Në kushtet e Rama Rregjimit një fitore e tillë është kuptimplotë për mua. Me një mini presion dhe mu shtua me dy të tretat  numri i votave të shkruara në defterët e numëruesve rilindas, për më tepër që kurseva edhe lekët e një dreke me peshk e me verë italiane (SIC!).

Shkëlqesia Juaj, meqenëse sic themi ne shqiptarët, oreksi vjen duke ngrënë, në këtë letër të dytë do të doja tu kërkoja dy favore të tjera.

Së pari rilindasit dy votat, që më shtuan i kishin shkruar si të hedhura pro meje në QV numër 1468. Në këtë qendër votimi ata mendonin se kishte votuar vjerra bashkë me tim kunat, kështu që me një gur vrisnin 2 vota. Fatkeqësisht ndër minitruket elektorale, që bëjnë rilindasit, është edhe ndarja e nukleve familjare në QV të ndryshme duke shpresuar që familje të tilla, të cilat besohet se votojnë anti Rilindje, të kenë sa më shumë vështirësi fizike për të votuar. Në QV 1468 është në listën e votuesve (numri 363 ) vetëm kunati im, ndërsa vjerra me numër votuesi 647 është në një QV tjetër, ku mua ende nuk më kanë shkrua asnjë votë pro!!
Me një rezultat të tillë mua nuk më ngelet gjë tjetër vetëm se të grindem me vjerrën, pse nuk paska votuar për mua. Ju lutem shumë ndërhyni te Skënderbeu i Surrelit, alias kryeministri Edvin, që tu japë urdhër “cinovnikëve” të KQZ, që urgjentisht të ma numërojnë si pro meje edhe votën e vjerrës. Me një votë shtesë ata do të shmangin një alamet sherri dhëndërr vjerrë, një sukses jo i parëndësishëm i Rilindjes apo jo?!?!?!??!

Së dyti unë do tu kërkoja ju, që të ushtronit presion mbi “Gospodarin” tonë, kryeministrin Edvin, që të mi numëronte të gjitha votat pro meje në të gjitha QV-të e Qarkut Durrës. Unë jam plotësisht i bindur se numërorët rilindas më kanë vjedhur aq shumë vota, saqë praktikisht më kanë vjedhur mandatin. Shkëlqesia e Juaj unë ndryshe nga lideri de jure i opozitës nuk i kam shitur paraprakisht zgjedhjet e 25 prillit, prandaj kërkoj fuqimisht që ju të ndërhyni, me qëllim që rilindasit të më kthejnë votat, që më kanë vjedhur, praktikisht një mandat deputeti!

Madam Ambasadore mua mandati i deputetit më është bërë fiksim njëlloj sic ishte bere fiksim magazina për personazhin e Jovan Bregut!!!! Unë kam plotësisht besim se ndërhyrja e juaj pranë Skëndërbeut të Spiropalit aka kryeministrit Edvin do të jetë e frytshme për një numër arsyesh. Kryeministri ynë, ndonëse luan teatër sikur të jetë një Rambo apo një Kashej i pavdekshëm në politikë faktikisht, është kokrra e frikacakut! Ai mandatin e tretë e ka fituar vite më parë, kur përfundimisht bleu Lulin e Utrehtiti, shefin e opozitës shqiptare. Një mandat më shumë apo një geishë rilindase më pak në parlament nuk ngre fare peshë për planet, që ka kryeministri Edvin për të ardhmen madhështore të Atdheut tim. Nëse unë nuk e marr “magazinën e Jovan Bregut” pra mandatin e deputetit, unë premtoj ta përmbys “tryezën”!!!

Madam Ambasadore kali im i betejës do të jetë përdorimi i pajisjeve për identifikimin biometrik të votuesve (Sistemi SEIV, pajisja PEI). Në rastin e vajzave të mija, që më 25 prill votuan në Durrës duke qenë njera në Itali dhe tjetra në Gjermani, këto pajisje më së paku dështuan ta kryejnë detyrën për të cilën u blenë sa frëngu pulën!!! Shumë e nderuara Madam Ambasadore ju e kuptoni fare mirë që një kompani e kalibrit të “Smartmatic International Holding B.V.” (Smartmatic SGO Group)ka shumë më tepër peshë, sesa një ambasadore amerikane e kategorisë së tretë sic jeni ju! Kjo kompani për të shmangur reklamën e keqe (bad publicity) të mbështetur në fakte solide dhe të provuara përtej cdo dyshimi të arsyeshëm, është e gatshme ta bëjë Skëndërbeun e Surrelit të kërcejë me një këmbë ashtu si Lenini, Arrixhiu i Sukthit e bënte arushën Mira! Në këtë kontekst ju duhet të zgjidhni: Ose ta këshilloni kryeministrin Edvin të më kthejë mandatin e vjedhur, ose do tu duhet të mendoni mirë, por ama shumë mirë për tekstin e kabllogramit, që do tu duhet të shkruani për në “Foggy Bottoms”.

Duke lënë mënjanë modestinë false ju siguroj që unë kam aftësi të bëj atë që anglezët e quajnë: to punch well above my weight! Ju lutem shumë ushtroni ndikimin tuaj te kryeministri Edvin, që ai të urdhërojë “Arsen Lupenët” e votave urgjentisht të më kthejnë votat e vjedhura dmth mandantin e deputetit, që më takon ligjërisht.  Argumentave të mësipërme u shtoj faktin, se po u hap kapaku i “gropës septike” të quajtur: Zgjedhjet e 25 prill, pasojat për kompaninë “Smartmatic” do jenë globale, duke filluar nga zgjedhjet në SHBA në nëntorin e shkuar. Gorbacovi nja 33 vite më parë e quajti planetin tonë një fshat global, prandaj edhe sot një “bad publicity” në “cifligun” edvinian të quajtur Shqipëri mund të ketë reperkursione deri edhe në SHBA.

Fort e nderuara Madam Ambasadore amerikane ju siguroj, që këto paralajmërime publike i kam seriozisht. Nëse nuk besoni në seriozitetin tim, mund të pyesni ekspertin e zgjedhjeve, vëzhguesin e 25 prillit dhe përfaqësuesin e “Smartmatic” në Tiranë më 25 prill 2021, z. Paul De Gregorio! Ju siguroj se për të përdorur me eficencë maksimale kalin tim të betejës dmth vjedhjen e votave duke shfrytëzuar le të themi “loopholes” në funksionimin e pajisjeve për identifikim biometrik të zgjedhësve të Kompanisë “Smartmatic” unë ndër të tjera do të përdor dy shumëfishues force.  Së pari do tu drejtohem për ndihmë kompanive konkuruese të “Smartmatic” në tenderin e organizuar nga Z. Qelibashi, “Cari” ynë i votimeve. Unë besoj fuqimisht se kompani të tilla si “Thales Group”, “CGTS”, “Dermatolog Identification System GmbH”, madje, madje edhe kompani minore si palestinezja “Cybernetica AS”, apo edhe amerikania “M2SYS Technology” do të jenë shumë interesuara të më mbështesin mua dhe kalin tim të betejës aka: pajisjet për identifikim biometrik të zgjedhësve…..

Një tjetër atu në betejën time për rekuperimin e mandatit, që më vodhën rilindasit, janë lidhjet dhe kontaktet e mia me media të jashtme dhe botërore.  Unë ju siguroj që do të përdor në maksimum kontaktet e mija nga Tehran Times te The New York Times nga Courtney Kealy e TRT World te Tim Lister e CNN, nga Marko Vesovic e DAN te Giovanni Giacalone e Il Giornale etj etj. Ju siguroj se për të fituar këtë betejë mua më mjaftojnë vetëm këto dy grupe shumëfisuesish force, madje edhe pa kërkuar ndihmë në funksion anti Ramë nga zonjusha e Bashkisë së Tiranës me nom de bataille “Uriah Fiku”! Me të tillë shumëfishues të forcës dëmi, që unë i bëj Sundimtarit (Overlord) të Surrelit realisht është shumëfish më i vogël, sesa kthimi te i zoti dmth te mua i mandatit të vjedhur.

Madam ambasadore Kim ju lutem shumë t’i kini parasysh këto, që po ju shkruaj, në mënyrë që mos të komplikoni edhe për veten tuaj fitoren publicitare/plebishitare të mandatit të tretë nga ana e “Overlord-it” të Surrelit. Imagjinoni për një moment sikur në vëmendjen e personave të kalibrit të Antonio Mugica-s të mbërrijë cështja e pajisjeve të Kompanisë Smartmatic të përdorura në Shqipëri.  Askush për një plesht (mandati im i deputetit) nuk djeg jorganin (hapja e cështjes së pajisjeve “Made In Smartmatic” përdorur nga Venzuele në v. 2004 deri në zgjedhjet presidenciale amerikane në nëntor 2020). Pasojat do jenë të tmerrshme! Ju lutem shumë mos e lejoni trurin e kryeministrit Edvin tashmë prej vitesh nën ndikimin e substancave psikotrope, që të djegë jorganin për një plesht!!!!!!

Duke ju falenderuar paraprakisht

Ju siguroj për konsideratën time më të lartë për Ju

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne