“Lëvizja Bashkë”: Buxheti për vitin 2024, pasqyrë e keqqeverisjes, abuzimit dhe indiferencës ndaj halleve të popullit

"Lëvizja Bashkë": Buxheti për vitin 2024, pasqyrë

“Lëvizja Bashkë” e cilësoi projektbuxhetin e vitit 2024 si buxheti i varfërisë dhe zhvatjes. Duke analizuar zërat e buxhetit, nga pensionet, pagesat për koncesionet, parashikimet për të ardhurat nga ndërtimi dhe shitblerja e pasurive të patundëshme dhe mungesa e një modeli të qëndrueshëm ekonomik, lëvizja e drejtuar nga Arlind Qori u shpreh se teksti i relacionit është përplot me shifra entuziaste abstrakte, por analiza e detajuar e tij tregon se edhe në vitin 2024 me punën dhe pasurinë e popullit shqiptar do të abuzohet, si zakonisht dhe sipas saj, fatkeqësisht si partisë në pushtet, edhe pseudopozitës u intereson spektakli i zjarrit, tymit, kacavjerrjes, grushteve dhe ngritjes së papërgjegjshme të kartonëve.

Reagimi i “Lëvizja Bashkë”

BUXHETI I VARFËRISË DHE ZHVATJES

Buxheti i propozuar nga qeveria për vitin 2024 pasqyron keqqeverisjen, abuzimin dhe indiferencën e partisë në pushtet ndaj halleve dhe problemeve të shumicës dërrmuese të shoqërisë. Teksti i relacionit është përplot me shifra entuziaste abstrakte, por analiza e detajuar e tij tregon se edhe në vitin 2024 me punën dhe pasurinë e popullit shqiptar do të abuzohet, si zakonisht.
Në buxhetin e vitit 2024 nuk parashikohet rritje reale e pensioneve, por në rastin më të mirë vetëm indeksim i tyre. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se Shqipëria është një nga vendet me pensionet më të ulëta në Evropë, ku pensioni minimal, bashkë me shtesat, nuk i kalon kufijtë e 100 Eurove, kurse pensioni mesatar mbetet rreth 150 euro.
Shkaku strukturor i mbetjes në vend të pensioneve është numri i ulët i kontribuuesve në skemën e detyrueshme të sigurimit shoqëror. Sipas shifrave zyrtare, raporti më i mirë i pritshëm (në vitet 2024-2026) midis kontribuuesve (punonjësve që paguajnë sigurimet shoqërore) dhe përfituesve (pensionistëve) është 1.4. Ndërkohë për të pasur një skemë të shëndoshë sigurimesh shoqërore ky raport duhet të jetë midis 2.8 dhe 3.3.
Faktorët kryesorë në këtë raport të ulët midis numrit të kontribuuesve dhe të përfituesve janë emigrimi masiv i popullsisë në moshë pune, papunësia e lartë (rreth 11% aktualisht) dhe puna në të zezë. Kjo e fundit reflektohet edhe në parashikimin më optimist të viteve 2024-2026, ku raporti midis kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe numrit të popullsisë në moshë pune nuk do të jetë më i lartë se 43%.
Nuk do të kenë fat më të mirë as përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike. Për qytetarët më të varfër, qeveria nuk parashikon asnjë lek më shumë ndihmë, duke mos marrë në konsideratë as nivelin skandalozisht të ulët të ndihmës ekonomike në vendin tonë, as rritjen e pritshme të çmimeve.
Indiferenca e qeverisë ndaj qindra mijëra pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës ekonomike është edhe më tronditëse nëse u referohemi të dhënave të vetë qeverisë, e cila krenohet se në vitin 2024 parashikon të mbledhë 19.5 miliardë lekë më shumë të ardhura se këtë vit. Po t’i shtonim kësaj shifre 1 miliard eurot që shpërdorohen dhe vidhen mesatarisht çdo vit nga institucionet publike, në Shqipëri do të ishte krejt e mundshme vendosja e minimumit jetik, edhe rritja domethënëse e pensioneve dhe ndihmës ekonomike.
Indiferencës qeveritare nuk do t’i shpëtojnë as studentët. Për ta nuk parashikohen as ulje tarifash, as subvencionim i librave, strehimit dhe ushqimit, as rritje e qenësishme e financimit të shtetit për jetën universitare publike. Pavarësisht se studentët po braktisin në masë auditorët – për shkak të tarifave të larta, mungesës së perspektivës për punë në profesion dhe kostove të larta të jetesës – qeveria magjistare që kemi mbi krye parashikon që në dy vitet e ardhshme do të kemi një rritje prej 16.5% të numrit të studentëve të regjistruar në programet e nivelit të dytë dhe të tretë në universitetet publike. Të mos ishte për të qarë, një parashikim i tillë do të na bënte për të qeshur. Auditorët po braktisen me ritëm të shpejtë, ndërkohë që në nivelin e dytë dhe të tretë të studimeve studentët do të vazhdojnë të paguajnë tarifa të larta e të pasubvencionuara.
Shpërfillja qeveritare ndaj varfërisë dhe problemeve sociale të shumicës dërrmuese të shoqërisë bëhet edhe më revoltuese kur shohim se sa bujare do të vazhdojë të jetë buxheti i shtetit ndaj oligarkëve që kanë përfituar kontrata koncesionare dhe PPP. 11 koncesionarët do të përfitojnë 14.3 miliardë lekë në vitin 2024, mes të cilëve futen edhe koncesionet tanimë të shpallura korruptive si ai i sterilizimit të pajisjeve mjekësore, inceneratori i Tiranës etj.
Këtyre koncesioneve, në të shumtën e rasteve të panevojshme ose abuzive që në konceptim, u shtohet edhe barra e rëndë e dëmshpërblimit që shteti shqiptar duhet t’u paguajë përfituesve të tenderave apo koncesioneve të mëhershme, të cilët kanë fituar gjyqin ndaj shtetit shqiptar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Për shkak të shkeljeve ligjore – të qëllimshme ose si rezultat i paaftësisë – shteti shqiptar u detyrohet firmave private rreth 173 milionë euro, mes të cilave spikasin për nga shuma e madhe kompanitë Hydro Srl (çështja Becchetti) dhe Copri Construction (rruga Tiranë-Elbasan). Të tjera miliona euro që mund të shkonin për rritjen e pensioneve dhe ndihmës ekonomike.
Ardhmëria e ekonomisë dhe ekuilibrave sociale në Shqipëri bëhet edhe më e zymtë kur vihet re vazhdimi i një modeli të zhvillimit të paqëndrueshëm ekonomik. Për shembull, në gjashtëmujorin e parë sektorët me kontribut më të madh në ofertën agregate mbeten ndërtimi dhe shit-blerja e pasurive të paluajtshme. Nga ana tjetër, zhvillimi turizmit është shoqëruar me rënien e të ardhurave nga eksporti i mallrave. Ekonomia shqiptare vazhdon të mbahet nga remitancat. Qeveria mburret se ato janë rritur me 17.8% krahasuar me një vit më parë, duke heshtuar faktin se kjo do të thotë se më shumë qytetarë në moshë pune janë larguar nga Shqipëria. Paqëndrueshmëria e modelit aktual të zhvillimit do të përkeqësohet nga refuzimi i qeverisë për të nxitur prodhimin industrial dhe shërbimet e kualifikuara, si dhe nga një model taksimi që godet punën më shumë se kapitalin dhe e ngarkon barrën më të rëndë fiskale te konsumatorët e mallrave bazike.
Gjithë sa më sipër, do të duhej të ishin nxitëse të një debati të fuqishëm parlamentar mbi buxhetin e vitit 2024. Fatkeqësisht si partisë në pushtet, edhe pseudopozitës u intereson spektakli i zjarrit, tymit, kacavjerrjes, grushteve dhe ngritjes së papërgjegjshme të kartonëve.
Populli shqiptar meriton shumë më mirë se kaq!/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne