Liban, mijëra fëmijë në protestë kundër vrasjes së fëmijëve nga Izraeli në Gaza

Mijëra fëmijë që u mblodhën në kryeqytetin e Libanit, Bejrut protestuan kundër vrasjes së fëmijëve nga ushtria e Izraelit në Rripin e Gazës nën bllokadë.

Edhe fëmijët që jetojnë në Liban janë gjithashtu objektiv i sulmeve izraelite. Në sulmet që ushtria izraelite ka ndërmarrë kundër Libanit që nga 8 tetori e deri më tani kanë humbur jetën 14 civilë, përfshirë një gazetar dhe 3 fëmijë.

Në sheshin Rijad Al-Solh në Bejrut u mblodhën mijëra fëmijë të cilët reaguan kundër masakrimit të moshatarëve të tyre në Gaza. Disa prej fëmijëve të ardhur nga shkolla të ndryshme mbajtën në duar foshnje kukulla të mbuluara me gjak, në përfaqësim të të vrarëve në Gaza.

Fëmijët lëshuan slogane në favor të Palestinës si dhe mbajtën fotografitë e moshatarëve të tyre të vrarë nga Izraeli dhe pankarta duke shprehur solidaritet me Gazën.

Në njërën prej këtyre pankartave tërhoqi vëmendjen mbishkrimi “Edhe ata meritojnë të jetojnë, të ndjehen të sigurt dhe të thurin ëndrra”. Po ashtu fëmijët shpeshherë brohoritën slogane kundër SHBA-së dhe Izraelit. Me flamuj palestinezë dhe libanezë në duar, fëmijët përfunduan protestën duke u kthyer në shkollat e tyre bashkë me mësuesit që i shoqëronin.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, në sulmet e Izraelit janë vrarë 10.569 palestinezë, përfshirë 4.324 fëmijë ndërsa janë plagosur 26.475 të tjerë. Parashikohet se nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga ushtria izraelite ndodhen ende mbi një mijë persona prej të cilëve shumica fëmijë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne