Lideri anti-Islam Geert Wilders fiton zgjedhjet e përgjithshme në Holandë

Geert Wilders, lideri i Partisë së Lirisë (PVV) anti-islame dhe e ekstremit të djathtë, që doli e para me një diferencë të madhe sipas rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Holandë vuri në dukje se tashmë ata nuk mund të injorohen më.

Në fjalimin para mbështetësve të tij pas rezultateve të para që tregojnë partinë e tij në vend të parë, Wilders deklaroi: “U bëj thirrje partive të tjera, tashmë fushata ka mbaruar dhe votuesit kanë folur. Tani do të na duhet të gjejmë ngjashmëritë me njëri-tjetrin. Do të na duhet të punojmë së bashku. PVV ka fituar 35 ulëse të cilat nuk mund të injorohen nga asnjë parti. Duam që holandezët të jenë përsëri në vendin e parë dhe do ta sigurojmë këtë”.

Duke mbrojtur idenë e tij se bazuar në këto rezultate tashmë nuk mund të injorohen më, se një situatë e kundërt me këtë do të jetë jashtëzakonisht anti-demokratike dhe se votuesit nuk do ta pranojnë këtë, Wilders tha: “Vendin do ta drejtojmë (qeverisim) ne”. Në një deklaratë për transmetuesin publik NOS, lideri racist duke u përpjekur të zbusë retorikën e tij tha se dëshiron të bëhet kryeministri i të gjithëve, pavarësisht përkatësive etnike dhe fetare dhe se shpreson që të arrijnë marrëveshje në bisedimet për koalicion me partitë e tjera.

“Unë jam me shpresë. E kuptoj që partitë nuk duan qeveri që vepron në kundërshtim me kushtetutën. Edhe këtë nuk do ta bëjmë. Nuk do të flasim për xhamitë, Kuranin apo shkollat islame. Do të flasim që holandezëve t’u jepet sërish përparësia, e cila është shpresa e tyre”, theksoi Wilders. Në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që u mbajtën dje në Holandë, sipas “exit polls” dhe rezultateve paraprake, Partia PVV e kryesuar nga Wilders u rendit e para duke fituar 35 ulëse nga 150 në Parlament. PVV ndiqet nga aleanca e Gjelbër e Majtë dhe Partia e Punës e kryesuar nga ish-zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans me 25 ulëse.

Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e kryesuar nga Dilan Yeşilgöz-Zegerius duke humbur 10 ulëse në krahasim me zgjedhjet e mëparshme u rendit e treta. Partia Kontrata e Re Sociale e Pieter Omzigt i cili u zgjodh nga Unioni Demokristian në zgjedhjet e vitit 2021 dhe më vonë themeloi parti duke u larguar, mori pjesë për herë të parë në zgjedhje dhe u rendit i katërti me 20 ulëse. Omzigt i cili është bërë emri kyç në këtë aritmetikë parlamentare, në deklaratat e mëparshme ka thënë se nuk do të hyjnë në koalicion me Wilders-in, por pas rezultateve të para u përmbajt nga përdorimi i një deklarimi të qartë për këtë çështje.

Numri i deputetëve të Partisë Denk, anëtarët së cilës përbëhen kryesisht nga turq dhe muslimanë, nuk ka ndryshuar në krahasim me zgjedhjet e mëparshme dhe ka qenë 3./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne