Lideri i Hamasit Ismail Hanija futet në listën amerikane të terrorizmit

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar Ismail Hanijan, liderin e lartë politik të Hamasit, si “terrorist global”.

Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi ​​një njoftim për shtyp të mërkurën ku thoshte se Hanija “ka lidhje të ngushta me krahun ushtarak të Hamasit” dhe “ka qenë një mbështetës i luftës së armatosur, përfshirë edhe luftën kundër civilëve”.

Vendosja e Hanijes në “listën e terrorizmit” do të thotë se do të ketë ndalime udhëtimi për të dhe se çdo pasuri financiare me bazë në SHBA mund të ngrijë.

Do të ketë gjithashtu ndalim për çdo qytetar apo kompani amerikane që të bëjë biznes me të.

Hamasi, i cili drejton Rripin e Gazës të pushtuar nga Izraeli, u themelua në vitin 1987 mbi një strategji të luftës së armatosur kundër pushtimit dhe ka një krah ushtarak të njohur si brigada Izz al-Din al-Qassam.

54 vjeçari u zgjodh shefi politik i grupit në muajin maj 2017, duke zëvendësuar Khaled Meshaalin. Lideri i cili ka lindur në një kamp refugjatësh në Gaza, është parë prej kohësh si pragmatik dhe fleksibël në qëndrimet e tij ndaj Izraelit dhe mbështetës për një shtet palestinez në krah të atij izraelit.

Duke folur për Al Jazeeran nga Rripi i Gazës, zyrtari i lartë i Hamasit Ghazi Hamad tha se vendimi i SHBA-së është pjesë e një fushate më të gjerë kundër palestinezëve që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën një vit më parë.

“Është e qartë se kjo armiqësi e administratës amerikane ndaj palestinezëve është e pashembullt, me mbështetjen e pakushtëzuar të Izraelit, vendimin rreth Jeruzalemit dhe shkurtimin e fondeve për agjencinë e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara,” tha Hamadi.

Ai shtoi se Hanija është një “ikonë e rezistencës” dhe kjo për ne është diçka që na bën krenarë”.

Hamasi nuk ka dhënë një përgjigje formale ndaj vendimit të SHBA-së, por pritet ta bëjë këtë më vonë të mërkurën.

Trump ka marrë një seri vendimesh muajt e fundit që kanë rritur tensionet në rajon.

Trump njoftoi më 6 dhjetor se SHBA zyrtarisht e njeh Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe do të fillojë procesin e largimit të ambasadës nga Tel Avivi për në Jeruzalem. Ky veprim nxiti protesta në të gjithë territoret e okupuara palestineze dhe në shumë qytete të mëdha të botës.

Ndërsa më 17 janar qeveria amerikane vendosi të shkurtojë më shumë se gjysmën e fondeve të planifikuara për agjencinë e ndihmave të OKB-së për refugjatët palestinezë, një institucion që ka qenë litar shpëtimi për më shumë se pesë milionë refugjatë palestinezë të regjistruar për mbi 70 vjet.

‘Vdekjet amerikane’

Departamenti i Shtetit e akuzon Hamasin për përfshirje në sulme që kanë rezultuar në vrasjen e 17 amerikanëve që nga themelimi i grupit.

Rosiland Jordan i Al Jazeeras duke raportuar nga Uashington DC, tha se ky përcaktim ngre mundësinë që SHBA ta cojë Hanijen në gjyq.

“Kjo ndoshta e bën më të lehtë për Departamentin e Drejtësisë Amerikane që të përpiqet ta sjellë atë në gjyq për rolin e tij të dyshuar në vdekjen e 17 amerikanëve”./aljazeera/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne