Lidhja e drejtoreshës së Manastirliut me “monopolin” e oksigjenit spitalor (Dokumentat)

Luneda Sufali ishte një ndër emërimet suprizë të kryeministrit Edi Rama, menjëherë pas marrjes së mandatit të tij të parë qeverisës, në Shtator 2013.

Sufali, ende pa mbushur 30 vjeç në atë kohë, u emërua Drejtoresha e Lojëra të Fatit.

Para se të merrte detyrën e rëndësishme shtetërore, Sufali kishte një përvojë profesionale në kompaninë private të gazit, “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” shpk.

Lidhjet mes tyre vijojnë të jenë shumë të forta edhe sot. Ato nuk janë vetëm profesionale, por edhe ngushtësisht familjare.

Zonja Sufali është drejtoreshë e rëndësishme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale. Në Nëntor 2017, ajo u emërua Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, strukturë nën varësinë direkte të ministres Ogerta Manastirliu.

Ndërsa, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, kompania “GTS”, së bashku me “Messer” shpk, përbën “monopolin” në fitimin e tenderave multi-milionësh për oksigjenin spitalor, të zhvilluar pikërisht nga Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Manastirliu.

Lidhja Sufali-GTS
Në profilin e saj zyrtar në rrjete sociale, Luneda Sufali ka shënuar se ka qenë e Drejtore e administratës në kompaninë private “GTS”, para se Edi Rama ta emëronte në krye të Lojërave të Fatit. Karriera e saj ka vijuar me ngjitje që prej asaj kohe.

Në nëntor të vitin 2015, për arsye të pasqaruara, Sufali jep dorëheqjen nga posti në Ministrinë e Financave dhe emërohet Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, e cila në atë kohë drejtohej nga Blendi Klosi.

Më pas, në nëntor 2017, zonja Sufali emërohet Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, me firmën e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ndoshta për rastësi, por paralel me progresin në karrierë të Sufalit, kompania “GTS” forcon pozitat e saj në tenderat publikë të oksigjenit mjekësor, aq sa sot ka arritur të jetë në fazë “monopoli”.

Kompania “GTS” është regjistruar në Shqipëri në vitin 1996 dhe është në pronësi të kompanisë italiane “Sol” s.p.a.

LEXO EDHE  Ndëshkimet në rrugë, pezullohen 41 leje drejtimi, arrestohen 5 drejtues mjetesh

Shoqëria “GTS” ka administratorë në Shqipëri shtetasit italianë Giovanni Annoni dhe Matteo Fumagalli Romario.

Në vitin 2014, administratorët italianë ia delegojnë kompetencat e tyre shtetasin shqiptar Besnik Halili, i cili është bashkëshort i Luneda Sufalit.

Aktualisht, Halili është përfaqësues i kompanisë për kryerjen e të gjithë veprimeve të nevojshme të kompanisë në raport me institucionet publike. Pra, përfshirë edhe dokumentacionin për përfshirjen në tendera.

Dhe, tek pjesa e tenderave, duket se roli i Besnik Halilit ka qenë vendimtar për forcimin e portofolit financiar të kompanisë “GTS”.

“Monopoli”
“Boldnews.al” konsultoi të dhëna të transaksioneve publike në portalin “openprocurment”, lidhur me tenderat e fituar nga kompania “GTS” në strukturat shëndetësore për “oksigjenin spitalor”.

Rezulton se, që prej vitit 2016, kompania “GTS” është fituese thuajse në pjesën më të madhe të tenderave. Por, deri në atë moment, ka pasur një veçori-në tenderat e fituar prej saj, ka pasur edhe konkurentë të tjerë.

Duke filluar nga fundi i vitit 2017, që rastësisht përkon edhe me forcimin e raporteve institucionale Ogerta Manastirliu – Luneda Sufali, “GTS” merr trajtën e një kompanie “monopol”.

Në të gjithë tenderat e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat vartëse, përfshirë Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, për oksigjenin spitalor, fitues shpallet vetëm “GTS” ose e njëjta kompani, në bashkëpunim me “Messer” shpk.

Ky bashkim operatorësh u shpall së fundmi edhe fitues i një tenderi, pa garë, me vlerë 5 milionë euro, për furnizimin e QSUT-së me oksigjen spitalor.

I njëjti bashkim operatorësh, në periudhën 2016-2020, është shpallur fitues edhe në një seri tenderash spitalorë, me fond limit në vlerë totale rreth 4 milionë euro.

Kompania “GTS”, për tenderat ku ka marrë pjesë si operator i vetëm, ka fituar rreth 3 milionë euro të tjera tendera në strukturat spitalore, përgjatë periudhës 2016-2020./boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne