Ligji për Rininë, CRCA letër Metës: Mos e dekreto, krijon mundësinë që organizatat të varen nga politika

Organizata e rinisë, CRCA/ECPAT Shqipëri, një ditë pas votimit në Kuvend të Ligjit për Rininë i ka dërguar një kërkesë Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë. Në letrën e drejtorit të kësaj organizate, Altin Hazizaj, janë renditur 8 argumente pse ligji nuk duhet dekretuar.

Sipas letrës ku ligj krijon mundësi serioze që politikanët të vendosin nën kontroll organizatat rinore të shoqërisë civile në nivel lokal dhe kombëtar, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për shkeljen e parimeve bazë të demokracisë dhe funksionimit të organizatave rinore të shoqërisë civile në Shqipëri.

LETRA E PLOTË:

CRCA/ECPAT Shqipëri, ju drejtohet më këtë letër të hapur publike, për të kërkuar ndërhyrjen tuaj për të mos-dekretuar Ligjin “Për Rininë” për shkak se shkel haptazi të drejtat e njeriut të mbrojtura nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë.

Më datë 15 Tetor 2019, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës, mbylli diskutimin nen per nen dhe në tërësi të projektligjit “Për Rininë”, duke e miratuar atë.

Në datë 4 Nëntor 2019, Parlamenti i Shqipërisë miratoi me 79 vota projekt-ligjin, duke ua dërguar atë ju si President i Republikës për dekretim përfundimtar.

CRCA/ECPAT Shqipëri, ka qenë e vetmja organizatë e shoqërisë civile që e ka ndjekur me shqetësim dhe analizuar publikisht të gjithë procesin e diskutimit dhe miratimit të projektligjit. Miratimi i këtij ligji vendos nën diktatin e Qeverisë dhe Bashkive mbi 681,548 të rinj e të reja të moshës 15-29 vjeç në Shqipëri!

Referuar neneve të projektligjit “Për Rininë”, shqetësimi ynë qëndron në këto aspekte:
1. Nxit korrupsionin dhe mungesën e llogaridhënies të zyrtarëve publike në nivel vendor dhe qendror.

2. Eshtë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, aktet kryesore të OKB-së dhe të Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut. Ai vendos në mënyrë të pashpjegueshme kompetenca, të cilat duhet t’i kenë në kontroll vetë të rinjtë, në duart e Kryetarëve të Bashkive apo të Ministrit përgjegjës për Rininë. Kjo në bindjen tonë është t’i vendosësh të rinjtë qëllimisht nën diktatin politik të një apo disa forcave të caktuara politike.

3. Krijon mundësi serioze që politikanët të vendosin nën kontroll organizatat rinore të shoqërisë civile në nivel lokal dhe kombëtar, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për shkeljen e parimeve bazë të demokracisë dhe funksionimit të organizatave rinore të shoqërisë civile në Shqipëri.

4. Mohon të drejtën për të përfituar shërbime rinore të gjithë të rinjve në vend.Kjo do të thotë se 139,043 studentë dhe 116,646 nxënës të arsimit të mesëm në Shqipëri, nuk do të kenë mundësi të marrin asnjë shërbim falas, pavarësisht se, ashtu siç e tregoi edhe Raporti i UPR për Shqipërinë përpara OKB-së, të rinjtë janë ndër grupet më të varfëra dhe më të përjashtuara të shoqërisë.

5. I heq të drejtën të gjithë të rinjve që të pajisjen me Kartën Rinore, aq shumë të kërkuar në të gjitha protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri, duke iu mohuar aksesin në të gjitha shërbimet që atyre do t’ju takonte në bazë të kartës.

6. Shkel të drejtat e të rinjve duke iu mohuar atyre përfaqësimin në të gjitha organet vendimarrëse! Pas protestave të studentëve, duket se Qeveria po tregon me veprime e saj se nuk mbështet asnjë zë kritik ndaj politikave shthetërore për të rinjtë. Çdo VKM dhe nismë për të rinjtë, e miratuar në Këshillin e Ministrave, pas protestave të studentëve në Shqipëri, ka kaluar pa u diskutuar apo konsultuar me organizatat apo grupimet Rinore;

7. Përmban dobësi serioze teknike, gjuhësore dhe strukturore, të cilat mund të përbëjnë edhe shkak për mos-zbatimin e tij.

8. Nuk krijon asnjë strukturë dhe mekanizëm institucional, lokal apo kombëtar që do të lehtësonte punën për rininë dhe llogari-dhënien e zyrtarëve publikë përkundrejt të rinjve. Ai gjithashtu në asnjë nen të tij, nuk garanton të drejtën për punësim me dinjitet të të rinjve. Sipas MAPS Report rreth 30% e të rinjve në vendin tonë, nuk janë as të punësuar, as të arsimuar dhe as të trajnuar.

9. Shfaq mangësi themelore përsa i përket edhe përputhjes së tij me aktet e Këshillit të Europës për të Rinjtë dhe me Aquis të Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria prej kohësh aspiron të hapë bisedimet e antarësisë me BE-në.

I nderuar z. President, CRCA/ECPAT Shqipëri, Ju kërkon sot publikisht të ktheni mbrapsht projektligjin “Për Rininë”, duke mos lejuar kështu që deputetët të shkelin me forcën e kartonit, të drejtat e të rinjve dhe të rejave në Shqipëri.

PËR TË RINJTË! ME TË RINJTË! NGA TË RINJTË!/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne