Bota

Ligjvënësit hollandezë i thonë jo shamisë për oficeret e policisë

Gjashtë parti politike hollandeze janë kundër një propozimi nga zyrtari kryesor i policisë së Amsterdamit për të diskutuar lejimin e muslimaneve në forcat policore të mbajnë shami, sipas mediave hollandeze.

Zyrtari, komisioneri Pieter-Jaap Aalbersberg, i tha të përditshmes tabloide Algemeen Dagblad të enjten se “popullsia e Amsterdamit po ndryshon në aspektin e përbërjes [etnike] të saj” dhe sugjeroi që çështja duhet të debatohej.

Gjithashtu, ai kërkoi rritjen e multikulturalizmit në policinë e Amsterdamit, duke nënvizuar se rreth 52 përqind e vendasve të Amsterdamit kanë një sfond jo hollandez. Megjithatë, ai vazhdoi, kjo shumëllojshmëri nuk pasqyrohet në forcat e policisë, me vetëm 18 përqind të agjentëve që kanë rrënjë jo hollandeze.

Propozimi i Aalbersbergut përfshinte edhe lejimin e punonjësve të policisë me simbole fetare si kryqe dhe jarmulke hebreje.

Në faqen e internetit të Algemeen Dagblad, ka një sondazh lidhur me pyetjen, dhe 48 përqind e lexuesve që thonë se mbajtja e shamisë duhet të lejohet, ndërsa 51 përqind janë kundër saj.

Të paktën gjashtë parti kryesore politike, përfshirë Partinë Liberale VVD, që fitoi shumicën në parlament, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj hapit, sipas gazetës holandeze De Telegraaf.

“Simbolet e besimit nuk mund të kombinohen me uniformën e policisë. Një uniformë duhet të shprehë neutralitetin dhe uniformitetin”, tha ministri në largim i Sigurisë dhe i Drejtësisë, Stef Blok.

“Ne jemi në favor të një lëvizjeje drejt një diversiteti më të madh, por lejimi i shamive nuk është mënyra e duhur për ta bërë këtë. Nuk është e vërtetë se gratë përjashtojnë një karrierë në polici vetëm për shkak se nuk u lejohet të mbajnë shami koke,” tha parlamentari Ockje Tellegen, siç është cituar nga AFP.

Në vitin 2011, policia hollandeze miratoi një kod sjelljeje që i ndaloi forcat të mbanin simbole fetare “pasi nuk përputhen me neutralitetin e policisë”.

“Dikush që shpik [gjëra të tilla] duhet të punojë me Shoqatën Marokene. Policia me shami në kokë është policia e sheriatit, policia duhet të jetë neutrale,” tha për De Telegraaf udhëheqësi i PVV – Partia për Liri, politikani i ekstremit të djathtë Geert Wilders.

Gjithashtu edhe anëtarët e Partisë Socialiste folën kundër shamive të kokës, me parlamentarin Van Raak që tha: “Për fat të mirë në këtë vend kemi liri fetare, që vlen edhe për policinë. Por oficerët gjithashtu veshin një uniformë. Amsterdami kurrë nuk mund të vendosë të bëjë gjëra sipas kokës së vet, kjo uniformë vlen për të gjithë Policinë Kombëtare”. / © Gazeta Impakt