Justinian Topulli
Ju ftojmë të na bashkoheni me nënshkrimin tuaj online:
Kundër përjashtimit të fesë nga debati publik
Deklaratë
Ne, besimtarët myslimanë, shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe dënojmë fuqimisht përpjekjen e Kryeministrit Edi Rama për t’i përcaktuar vendin dhe kufijtë e veprimtarisë së një hoxhe, nisur nga reagimi i tij publik ndaj hoxhës Mustafa Tërniqi.
Duke deklaruar se “vendi i hoxhës është në xhami, jo në protestë”, Kryeministri nuk kufizon thjesht veprimtarinë e një hoxhe, por ai merr guximin të përcaktojë kufijtë e pranisë së fesë në jetën publike. Me këtë deklaratë, ai i jep vetes një tagër që nuk ia njeh as Kushtetuta dhe as demokracia: të vendosë se deri ku mund të shtrihet misioni i klerit dhe cili është vendi i fesë në shoqëri.
Një qëndrim i tillë bie ndesh me parimin themelor të demokracisë: sovranitetin e popullit. Në një shtet demokratik, vendi i fesë në jetën publike nuk përcaktohet nga Kryeministri, por nga qytetarët, përmes Kushtetutës që ata kanë miratuar. Nuk është Kryeministri ai që përcakton vendin e qytetarëve, të klerikëve apo të vetë fesë. Janë qytetarët ata që, përmes sovranitetit të tyre, përcaktojnë vendin, kompetencat dhe kufijtë e Kryeministrit dhe të çdo funksionari publik.
Ky është edhe kuptimi i vërtetë i shtetit sekular. Neutraliteti i shtetit nuk i jep pushtetit politik të drejtën të kufizojë fenë apo praninë publike të besimtarëve. Përkundrazi, ai e ndalon shtetin të favorizojë ose të diskriminojë një besim dhe garanton që çdo qytetar, pavarësisht bindjes së tij fetare, të marrë pjesë lirisht në jetën publike.
Demokracia fillon pikërisht aty ku pushteti humbet të drejtën për t’u treguar qytetarëve vendin e tyre. Në një republikë kushtetuese janë qytetarët ata që i tregojnë pushtetit vendin dhe kufijtë e tij.
Qëndrimi i Kryeministrit jo vetëm cenon të drejtën e çdo qytetari për të shprehur bindjet dhe për të ushtruar liritë e tij kushtetuese, por bie edhe ndesh me historinë e vetë Shqipërisë.
Historia jonë dëshmon se hoxhallarë, priftërinj, pastorë, baballarë bektashinj dhe klerikë të të gjitha besimeve nuk qëndruan të mbyllur brenda mureve të faltoreve. Ata ishin ndër ndërtuesit më të përkushtuar të kombit shqiptar. Nga Hafiz Ibrahim Dalliu te Dom Nikollë Kaçorri e Fan Noli, nga At Gjergj Fishta te Haxhi Vehbi Dibra, historia shqiptare dëshmon se kleri nuk ka qenë spektator i kombit, por një nga ndërtuesit e tij. Shqipëria moderne u ndërtua pikërisht sepse kleri nuk e kufizoi misionin e tij vetëm brenda xhamive, kishave dhe teqeve.
Vetëm regjimi komunist u përpoq ta përjashtonte fenë dhe klerin nga jeta publike, përmes persekutimit, burgosjeve, internimeve dhe eliminimit fizik të atyre që refuzuan t’i nënshtroheshin ideologjisë së pushtetit. Pikërisht për këtë arsye është shqetësuese që sot dëgjojmë sërish nga kreu i qeverisë një logjikë që synon t’i tregojë klerit se ku duhet të jetë dhe ku nuk duhet të jetë.
Kryeministri Rama duhet të kuptojë se vendi i klerikut nuk përcaktohet nga pushteti politik, por nga misioni i tij, nga ndërgjegjja e tij dhe nga të drejtat që i garanton Kushtetuta. Vendi i hoxhallarëve, priftërinjve, pastorëve, rabinëve, baballarëve bektashinj dhe i çdo kleriku tjetër është aty ku e kërkon detyra e tyre morale dhe qytetare: në faltore, në media, në universitete, në institucione, në debat publik, në protestë paqësore dhe kudo ku ngrihet zëri për të vërtetën, drejtësinë dhe të mirën e përbashkët.
Nëse sot Kryeministri pretendon se vendi i hoxhës është vetëm në xhami, çfarë e pengon nesër të pretendojë se vendi i profesorit është vetëm në auditor, i gazetarit vetëm në redaksi, i artistit vetëm në skenë apo i gjyqtarit vetëm në sallën e gjyqit? Demokracia nuk mbrohet duke i mbyllur qytetarët brenda roleve që u cakton pushteti, por duke garantuar lirinë e tyre për të marrë pjesë në jetën publike.
Të pretendosh se një klerik duhet të kufizohet vetëm brenda mureve të faltoreve përbën një konceptim të gabuar të demokracisë kushtetuese, të lirisë fetare, të lirisë së shprehjes dhe të pjesëmarrjes qytetare. Deklarata të tilla përfaqësojnë një frymë represive ndaj lirive fetare dhe politike, të papajtueshme me rendin kushtetues të Republikës së Shqipërisë.
Ndaj i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama të tërhiqet nga kjo qasje dhe të respektojë të drejtën e çdo kleriku, ashtu si të çdo qytetari tjetër, për të marrë pjesë lirisht në jetën publike të vendit.
Po ashtu, u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që besojnë në lirinë, dinjitetin dhe rendin kushtetues të mos pranojnë asnjë përpjekje për t’i dhënë pushtetit politik të drejtën të vendosë se ku mbaron liria e fesë dhe ku fillon jeta publike.
Në një republikë kushtetuese, pushteti nuk vendos kufijtë e lirisë. Përkundrazi, liria vendos kufijtë e pushtetit. Janë qytetarët, përmes sovranitetit të tyre dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ata që përcaktojnë vendin e fesë në shoqëri, vendin e qytetarëve në jetën publike dhe kufijtë që pushteti nuk mund t’i kapërcejë kurrë e për asnjë arsye./fb


















