Nga sot, me vendimin e GJKKO-së për Sali Berishën, mbrojtësit ligjorë të të gjithë zyrtarëve që ndodhen në arrest, e ku dosja e tyre ka shkuar për gjykim, do ta përdorin për ndryshimin e masës së sigurisë. Pasi ky vendim ka krijuar një precedent.
Rikthimi i çuditshëm i PD në Kuvend për buxhetin e shtetit, duket se ishte pikërisht sinjali i një zhvillimi të ri pas rrëmujës që përjashtoi mbi 20 deputetë nga seanca.
Ai kërcim pindarik ishte pjesë e një axhende, e cila u përqendrua tek një zhvillim i pritshëm, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Sali Berishën.
Vendim, i cili siç doli, ishte kundër tij, pasi nuk kishte si shkonte ndryshe, ngaqë do të kthehej në një precedent regresiv, edhe për subjekte të tjera që mund të jenë pjesë e hetimeve të Prokurorisë Speciale.
Megjithatë, të gjithë antenat në Tiranë flisnin për një lirim të Sali Berishës, që duket se përdorën Gjykatën Kushtetuese si bllof.
Lirimi i Sali Berishës, ka ardhur si një artific ligjor, duke u mbështetur në fazën që tashmë ai nuk përbën një problem për prishje provash, ngaqë dosja ka shkuar në gjykim e loja është hapur.
Megjithatë, lirimi i tij ka krijuar një standard, një precedent, që ka shumë mundësi të shpërndahet, dhe të përdoret përkatësisht edhe me subjektet e tjerë nën hetim nga SPAK-u, pra zyrtarë dhe politikanë të lartë.
Nuk ka asnjë çudi që e njëjta gjë të ndodhë me Ilir Metën, sapo ish-Presidenti të moderojë pak gjuhën ndaj SPAK-ut, e dosja të plotësohet edhe më tej për t’ju afruar gjykimit./Pamfleti