Llalla: Rivlerësim të gjithë prokurorëve

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zhvilloi një takim me drejtuesit e prokurorive të të gjithë niveleve për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të vlerësimit profesional të prokurorëve, në kuadër të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Njoftohet se në bazë të këtij ligji, Prokuroria e Përgjithshme ka detyrimin ligjor që të mbështesë Komisionin e Vetingut për përmbushjen e një prej tre komponentëve të rivlerësimit të prokurorëve, i cili është aspekti profesional.

“Në takim, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi dhe, më tej u ra dakord që, deri në fund të kësaj jave e konkretisht deri më datë 29.09.2017, të përfundojë vlerësimi profesional në kuadër të ligjit të Vetingut për prokurorët kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si edhe për anëtarët prokurorë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”,  njofton zyra e Llallës.

Ndërkohë, po vijon me intensitet puna për përfundimin e rivlerësimit profesional të prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të drejtuesve lokale të prokurorive në nivel Rrethi dhe Apeli.

Më tej, procesi vijon me rivlerësimin profesional për të gjithë prokurorët e Republikës së Shqipërisë.

Raportet e vlerësimit paraprak profesional do të hartohen nga një komision i posaçëm, i krijuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe do t’i vihen në dispozicion Komisionit të Vetingut, i cili do të ndjekë procedurat e mëtejshme të përcaktuara në ligj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne