LSI nxjerr bllof Bolinon. Nuk marrim pjesë në zgjedhje në Kavajë

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, ka reaguar menjëherë sot për të përgënjeshtruar lajmin e dhënë nga mediat se kjo parti kishte vendosur të merrte pjesë në zgjedhjet e Kavajës.

Rama iu theksoi mediave se “nuk do të jemi pjesë e procesit zgjedhor në bashkinë e Kavajës” dhe anashkaloi faktin se LSI-ja ka regjistruar sot komisionerin e saj për administrimin e procesit në këtë bashki, pikërisht 1 ditë pasi afati i regjistrimit kishte kaluar dhe një natë më parë, Rama e Meta kishin pasur bashkë një darkë kokë më kokë.

Nënkryetari i LSI-së e shtoi kështu edhe më shumë misterin e marrëveshjes së mbrëmjes së të dielës ndërmjet dy liderëve të koalicionit, Ramës dhe Metës, në një restorant në Tiranë.

Ndërkohë që theksoi dy herë se “LSI-ja nuk merr pjesë në zgjedhjet e Kavajës dhe ku nuk është regjistruar”, ai kërkoi ta përforconte këtë duke e ndarë nga pjesëmarrja e saj me komisioner në votim më 7 maj sepse “ne duam zgjedhje për Shqipërinë, jo për partitë”, siç u justifikua.

I pyetur se çfarë marrëveshjeje pati mbrëmjen e djeshme për koalicionin ndërmjet Ramës dhe Metës, Luan Rama iu kthyer nervoz gazetarëve me fjalët: “Për çfarë marrëveshje po flisni?!” duke nënkuptuar se nuk kishte të tillë./syri.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne