Luan Spahiu, biznesmeni i ndërtimit që po përballet me drejtësinë për trafik kokaine: Pronat në emër të gruas kolumbiane

Luan Spahiu, një trafikant kokaine i dënuar nga gjykata Gjermane e Frajbugut me 5 vite burg dhe më pas i shndërruar në biznesmen ndërtimi në Shqipëri, tashmë po përballet me një proces hetimor për sekuestrimin e pasurisë.

Një vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda ka urdhëruar dy administratorët Arjan Baci dhe Erion Ricku, të agjencisë së pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, të bllokojnë 58 pasuri të paluajtshme dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të Luan Spahiut, babait të tij Hamit Spahiu, dy fëmijëve Fabian dhe Luisa Spahiut dhe bashkëshortes së tij kolumbiane Sandra Patricia Spahiu. Por pavarësisht kësaj sekuestro të vendosur në zyrën e hipotekës Tiranë, mësohet se pjesa dërmuese e këtyre pasurive që bëhet fjalë për apartamente dhe njësisë tregtare, janë të tjetërsuara, duke u shitur tek persona të tjerë. Apartamenteve, gjykata ka urdhëruar që Luan Spahiut ti sekuestrohen një automjet tip “Hummer”,një mjet Smart, një automjet Mercedes-Benz SL320, dhe vendosjen e sekuestros mbi aksionet e kompanisë së ndërtimit “Pinari”.

Kompaninë ja shiti gruas

Sipas akuzës këto pasuri dyshohet se rrjedhin nga të ardhura kriminale pasi Luan Spahiu, disa kohë më parë ka trafikuar kokainë nga Ekuadori në drejtim të Gjermanisë dhe në Hollanda. Për shkak të këtij aktiviteti kriminal, Spahiu rezulton i dënuar me 5 vite burg në Gjermani, dënim ky që është dhënë në vitin 2011. Mësohet se në 21 prill 2004 Spahiu ka themeluar kompaninë e ndërtimit “Pinari Shpk”, ndërsa në datën 26 gusht 2010 Spahiu ka vendosur të largohet nga kjo kompani dhe ti shesë biznesin e ndërtimit një shtetase të huaj, të quajtur Sandra Patricia Marquez Neira, nga Bogota e Kolumbisë. Kjo shtetase dyshohet të jetë dhe bashkëshortja e Luan Spahiut. Ndërkohë në 14 gusht 2012, kjo kompani ka ndryshuar statusin ekonomik, duke e pezulluar aktivitetin.

Pronat janë tjetërsuar

Pronat për të cilat Krimet e Rënda kanë urdhëruar sekuestron janë regjistruar në emër të Luan Spahiut dhe kompanisë së tij Pinari. Por pjesa dërmuese e këtyre pasurive mësohet të jetë shitur. 53-vjeçari rezulton i dënuar në Gjermani me 5 vite burg për trafik droge. Sipas burimeve të policisë, Spahiu është dënuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia dhe Ekuadori, drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne